SHBA, 150 vite burg për mashtruesin më të madh financiar, Madoff
Financiari mashtrues në SHBA, Bernard Madoff, i cili i ka marrë investitorëve 13 miliardë dollarë me skemën "Ponzi", të njohur si mashtrimi më i madh financiar në SHBA, u dënua dje me 150 vite burg. Sipas "New York Times", Madoff ka qëndruar me duar të kryqëzuara dhe nuk ka treguar asnjë emocion ndërsa Gjykatësi vendosi që ai të kalonte pjesën tjetër të jetës në burg. Gjykatësi Denny Chin e refuzoi ankesën e avokatit të tij, se dënimi ishte i tepërt. "Ky nuk ishte krimi më i madh financiar në dokumente, por një krim i zbatuar në realitet", i tha Gjykatësi Madoff-it. Financieri Madoff, 71 vjeç, ka pranuar në mars se ai i ka mashtruar investitorët e miliarda dollarëve prej mbi një dekade me skemën "Ponzi". Para se të zbulohej skema, Madoff iu tha klientëve të tij se ata kishin investuar rreth 65 miliardë dollarë. Deri tani prokurorët kanë identifikuar 13 miliardë dollarë humbje. Gjatë seancës së djeshme, ndërsa jepej vendimi përfundimtar, nuk ka qenë i pranishëm asnjë nga pjesëtarët e familjes së tij. Një turmë prej qindra vetash prisnin jashtë Gjykatës në Manhattan në pritje të vendimit. Gjatë procesit gjyqësor kanë dëshmuar nëntë nga viktimat e tij, të cilët kanë rrëfyer se si janë shkatërruar jetët e tyre pas hyrjes në këtë skemë. Pas dëshmive, Madoff tha në një fjalim prej pesë minutash për gjykatësin, se "Unë jetoj në një shtet të munduar. Unë besoja kur nisa këtë program, këtë krim, se ishte diçka të cilën do ta dija ta menaxhoja". Kur mbaroi, Madoff u kthye me fytyrë nga 250 njerëzit e pranishëm në sallë, u kthye me fytyrë nga viktimat e tij dhe iu tha: "Do të jetoj me këtë për gjithë jetën time".