Teheran, Këshilli vulosi zgjedhjen e Ahmadinexhadit
Këshilli i fuqishëm Gardian i Iranit (Këshilli i 12 Klerikëve), ka certifikuar rezultatin zyrtar të zgjedhjeve të diskutueshme, një hap i papritur dhe i shpejtë që ka shtuar zemërimin në rrugët e Teheranit. Lajmin e konfirmoi televizioni shtetëror i Iranit. Njoftimi vjen në një kohë kur qeveria po përpiqet për të qetësuar trazirat e forta nëpër rrugët e kryeqytetit, nga mbështetësit e rivalit të Presidentit Ahmadinexhad, Hosein Mousavi. Qeveria e zgjati njëherë afatin për të riparë ankesat për votat e diskutueshme. Të hënën në mbrëmje, qindra njerëz kundërshtuan vendimin e qeverisë për ndalimin e protestave në rrugë, duke marshuar në të gjitha rrugët kryesore të Teheranit. Dëshmitarët, sipas "New York Times" thanë se milicia, aleate e qeverisë, kishte formuar një zinxhir njerëzish për të bllokuar rrugën e tyre. Qeveria ka censuruar të gjithë mbulimin e pavarur mediatik të situatës, duke burgosur qindra gazetarë dhe duke i hequr kredencialet qindra të tjerëve. Kur u hap lajmi i certifikimit të zgjedhjeve, njerëzit vërshuan nëpër rrugë duke bërtitur. Dje në mëngjes, televizioni shtetëror njoftoi se Këshilli Gardian kishte nisur numërimin e 10 për qind të votave në 22 qendra elektorale të Teheranit. Kandidatët e opozitës kanë refuzuar të marrin pjesë në rinumërim, dhe skepticizmi u rrit kur agjencia zyrtare e lajmeve, IRNA, tha se Mahmoud Ahmadinexhad kishte fituar më shumë vota nga sa ishte deklaruar në rezultatet e para zyrtare.