E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani, shkëlqimi dhe rënia e “perandorisë” verdhebluNga ringjitja në Superligë më 2002-2003 deri në thuajse rënien në Kategori të Parë

LEONARD KARAJ (PANORAMA SPORT) - Është fundi i një epoke. I asaj që lidhet më së shumti me emrin e Arben Lazes. I katapultuar me hir a me pahir në krye të presidencës së klubit në vitin 2003, Laze arriti ta ngrejë Elbasanin në piedestalin më të lartë të futbollit shqiptar. Por fatkeqësisht triumfi dhe dështimi i tij në krye të këtij klubi “kalëruan” së bashku deri në thuajse rënien aktuale të skuadrës nga Kategoria Superiore.

Probleme të shumta në merkato. Premtime për një skuadër dinjitoze, sikundër ajo kampione e tri viteve më parë. Mospagim rrogash për mungesë likuiditeti. Vënie gjobash, zënka, mëri, prangosje për trafikim droge, ndryshime trajnerësh, premio në rast fitoreje dhe mbi 200 mijë dollarë të harxhuara vetëm në merkaton e janarit. Në fund, një skuadër e eliminuar nga Kupa e Shqipërisë në çerekfinale dhe me shanset thuajse inekzistente për të mbijetuar mes më të mirave të Superligës. Ky është Elbasani, ekipi që me 99 % do të zbresë këtë sezon në Kategorinë e Parë. Pas shtatë vjetësh në elitën e futbollit shqiptar, ekipi verdheblu ka prekur sërish fundin. Por para kësaj rënie të hidhur, ai pati njohur lavdinë në majën e kampionatit shqiptar.

Historia

Tri herë ka rënë nga kategoria skuadra e Elbasanit. Më 1932-in, Urani (kështu quhej asokohe) u rendit i fundit në një kampionat me 7 skuadra, por vetëm një vit më vonë edhe për shtimin e ekipeve në Ligën e Parë, Elbasani u ringjit mes më të mirëve. Njëzet e ca vjet më pas, e njëjta histori. Në vitin 1955 Labinoti ra nga kategoria pas një sezoni totalisht të dështuar dhe do ti duheshin tre vjet për t’u ringjitur në Kategorinë e Parë, më 1958-ën. 40 vjet më vonë verdheblutë shijojnë edhe një herë rënien nga kategoria në sezonin 1999-2000. Së bashku me Partizanin e vendit të fundit, Elbasani do të kalonte për dy sezone tek inferiorët dhe vetëm në 2002-2003 do të ishte sërish në Superligë. Këtu fillon “epoka Laze”. 

Arben Laze

Në vitin 2003, Arben Laze do të merrte drejtimin e klubit të Elbasanit pas largimit të Refik Kumurisë. Ai u prezantua si një biznesmen i fuqishëm, ndonëse aktivitetet e tij kanë qenë gjithmonë enigmatik. Në atë kohë, ai u zgjodh president i Elbasanit pas një vendimi që u mor nga mbledhja e këshillit mbikëqyrës të klubit. Asokohe, Arben Laze kishte një dyqan veshjesh sportive, ndërkohë që përflitej se merrej edhe me biznesin e ndërtimit dhe se po ndërtonte një hotel në qytetin e Elbasanit. Që me ardhjen në postin e presidentit, klubi i futbollit filloi të ngjitej me ritme shumë të shpejta. Ky president fitoi një popullaritet mjaft të madh në qytetin e Elbasanit, sidomos në verën e vitit 2004 kur afroi në skuadrën verdheblu shumë lojtarë cilësorë, si Nevil Dede, Endri Vrapi, Safet Osja, Skerdi Bejzade, Ilir Qorri, Juljan Ahmataj e të tjerë. Një ekip që brenda një periudhe dyvjeçare do të ngjitej në majat e futbollit shqiptar.

Drejt titullit

Në fund të sezonit 2004-2005, ekipi i Elbasanit do të shpallej nënkampion i Shqipërisë. Një vit më vonë do të ndodhë ajo që pritej ose më mirë ajo çfarë Laze i kishte vënë synim vetes dhe premtuar atyre që e kishin zgjedhur si president të klubit. Elbasani do të shpallej kampion. Një gjë e tillë do të ndodhë pikërisht në sezonin 2005-2006, kur Elbasani pas 22 vitesh do të arrinte të kurorëzohej me titullin kampion i Shqipërisë. Arritje këto që i dhanë Arben Lazes një reputacion të jashtëzakonshëm në mbarë opinionin qytetar në Elbasan. Kryesisht në botën e futbollit, ai do të quhej si presidenti më i guximshëm, pasi arriti synimet që i vuri vetes brenda një periudhe tepër të shkurtër. Pas shpalljes së Elbasanit kampion i vendit për të dytën herë në histori, ai do ta bënte të njohur këtë skuadër edhe jashtë trojeve shqiptare. Së bashku me drejtues të tjerë, Laze arrin ta licencojnë klubin e Elbasanit në UEFA, duke qenë automatikisht anëtarë të forumit evropian të klubeve.

Atentatet

Gjithsesi, periudha e shkëlqimit do të zgjaste pak, sepse viti 2008 do të rezultonte shumë problematik për presidentin e Elbasanit. Probleme që kishin të bënin me anën financiare, pasi edhe "bizneset" e tij nuk do të shkonin mirë. Por deri para këtij viti, Laze kishte hasur probleme edhe më të rënda siç ishin dy atentate me bombë vënë shtëpisë së tij. Më 11 gusht 2006, apartamenti i Lazes, në rrugën "Visarion Xhuvani", u bë objekt i një sulmi me eksploziv. Lënda shpërtheu në derën e apartamentit të tij, rreth orës 03:00 të mëngjesit, por, sipas policisë, në banesë nuk kishte njeri. Ngjarja shkaktoi dëme të mëdha materiale, mirëpo nuk pati të lënduar apo të plagosur ndër banorët e tjerë të pallatit. Dy vjet më pas i njëjti skenar. Në orën 02:30 të mëngjesit persona të paidentifikuar i patën vendosur një sasi eksplozivi apartamentit që i përket presidentit të SK Elbasanit. Edhe këtë herë Laze shpëton paq.

Burgosja

Por “gjëma” do të vinte në fundvitin e kaluar. Arben Laze arrestohet nën akuzën e trafikut të drogës më 25 dhjetor 2008. Një operacion i nisur muaj më parë nga Prokuroria për Krimet e Rënda, u finalizua me arrestimin e bujshëm të një prej njerëzve më të njohur të qytetit të Elbasanit, por edhe botës së futbollit. Laze, sipas të dhënave, u “tradhtua” nga një pako një kilogramëshe heroinë, të cilën ia kishte nisur një bashkëpunëtori të tij në Fier, mirëpo hetimi ka nxjerrë në pah një trafik shumë më të madh. Sipas burimeve të prokurorisë, Laze dhe miqtë e tij mbaheshin prej kohësh në përgjim. Dy ditë para ngjarjes prokuroria kishte zbuluar një bisedë “interesante” mes tij dhe një personi tjetër në Fier për dërgimin e një pakoje. Hetimi i mëtejshëm tregoi se bëhej fjalë për një sasi heroine, e cila duhet të dërgohej në qytetin e Fierit. Duke qenë se vetë Laze ndodhej në Maqedoni, këtë detyrë ia pat ngarkuar të vëllait, Fatjon Lazes. Aktualisht Ben Laze është në pritje të gjyqit dhe rrezikon deri në 7 vjet heqje lirie, si dhe një gjobë të majme. Këtu nis edhe tatëpjeta e skuadrës së Elbasanit.

Bashkia

Pas arrestimit të Arben Lazes, klubit të Elbasanit i doli për zot bashkia e qytetit, me në krye bashkiakun Qazim Sejdini. Ky i fundit premtoi se skuadra nuk rrezikonte të shpërbëhej dhe se ai do të investonte fuqishëm edhe në merkaton e janarit. Në fakt kështu ndodhi. Në skuadër u afruan disa emra të dëgjuar të ambientit verdheblu që ishin larguar një sezon më parë (Karçev, Qorri, Dede) por që rezultuan totalisht të dështuar. Gjatë merkatos dimërore, skuadra bëri edhe fazën përgatitore në Maqedoni, ndërroi trajner (u largua Josa, erdhi Faruk Sejdini) dhe vuri si objektiv primar fitimin e Kupës së Shqipërisë. Por në çerekfinale, edhe pse ndihma financiare e donatorit Çërraga dhe bashkisë nuk mungoi (premtuan rreth 15 mijë euro premio), përsëri Elbasani nuk mundi të kualifikohej përballë Tiranës.

Epilogu

Duke humbur edhe objektivin e vetëm të sezonit dhe duke qenë shumë larg zonës për Kupat e Evropës, skuadra nisi të mendonte seriozisht për mbijetesën. Por problemet e shumta mes futbollistëve dhe drejtuesve të klubit, si vënia e gjobave dhe mospagimi i rrogave të prapambetura sollën edhe dështimin total të skuadrës pasditen e së shtunës, në humbjen në “Qemal Stafa” me Partizanin. Lotët e drejtorit sportiv, Artim Kovaçi, në përfundim të ndeshjes tregonin qartë zhgënjimin e sportdashësve dhe tifozëve verdheblu ndaj kësaj skuadre, për të cilën vetëm këtë sezon, jo zyrtarisht, thuhet se janë harxhuar më shumë se 500 mijë euro.
   

Fitorja më e thellë në shtëpi

Fitoret më të thella që ka arritur Elbasani pas rifutjes në elitën e futbollit shqiptar janë 6-1 ndaj Ballshit në sezonin 2002-2003 (java 21, 26.04.2003), 5-0 ndaj Shkumbinit në sezonin 2003-2004 (java 3, 13.09.2003) dhe 4-0 në sezonin 2005-2006 ndaj Lushnjës (java 5, 25.09.2005).

Humbja më e thellë në shtëpi

Humbjet më të mëdha që ka pësuar Elbasani në fushën e vet gjatë këtyre viteve janë 0-5 me Dinamon në 2003-2004 (java 34, 22.05.2004), 2-5 po atë sezon me Tiranën (java 36, 22.05.2004), 1-4 me Vllazninë në sezonin 2004-2005 (java 6, 02.10.2004), si dhe 2-4 me Shkumbinin në 2006-2007 (java 29, 28.04.2007)
  
Barazime me më shumë gola

Ndeshjet ku Elbasani veç fitores ka dhuruar edhe spektakël me gola janë 4-3 ndaj Besës në javën 20-të (30.01.2004) të sezonit 2003-2004 dhe në javën e 32-të (14.05.2008) të sezonit 2007-2008, ndaj Kastriotit të Krujës, 5-2. Ndërsa barazimi me më shumë gola ka qenë ai i 2006-2007-ës ndaj Luftëtarit, 4-4, java 30 (05.05.2007).

 

2
kampionate ka mundur të fitojë skuadra e Elbasanit në historinë e vet, edhe pse ka qenë pjesëmarrëse që prej vitit 1930. Më 1983-1984 fitoi titullin e parë dhe më 2005-2006, titullin e dytë.

3
herë ka rënë nga kategoria Elbasani. Më 1932-in dhe u ringjit një vit më vonë, më 1955-ën dhe arriti të ngjitej më 1958-ën dhe më 1999-2000 dhe u ngjit në Superligë dy sezone në vonë më 2001-02).
 
2
trofe të Kupës së Shqipërisë numëron në baketën e vet kjo skuadër. Për herë të parë Elbasani fitoi një trofe në 1974–1975, kur mundi Lokomotivën e Durrësit, si dhe më 1991–1992 kur mundi Besën.

200
mijë dollarë ka harxhuar bashkia e qytetit të Elbasanit, e njohur tashmë si pronarja e vetme e klubit, në merkaton e janarit. Qëllimi i vetëm; fitimi i trofeut të Kupës së Shqipërisë.

40
mijë dollarë ishte kontrata që nënshkroi me drejtuesit e këtij klubi Nevil Dede në merkato e janarit. Mbrojtësi është edhe blerja më e shtrenjtë e këtij sezoni, por që rezultoi edhe më e dështuara.

1.8
milionë euro mendohet se ka harxhuar Arben Laze prej 2003-2004-ës e deri në sezonin aktual. Shifra është marrë me përafërsi, duke iu referuar shpenzimeve që nevojiten për të mbajtur një klub në Superligë.

1983-1984: Labinoti kampion

Zamir Arapi, Luan Deliu, Shkëlqim Asllani, Bujar Gogunja, Edmond Mustafaraj, Ferdinand Lleshi, Roland Agalliu, Vladimir Tafani, Dashamir Luniku, Ardian Popa, Kostandin Rama, Albert Kaloti, Bashkim Staceni, Zyber Bega, Jovan Shegani, Kastriot Vrapi, Muharrem Dosti, Sokol Branica, Sokol Gjuraj, Stavri Mitrollari. Trajner: Frederik Jorgaqi

Elbasani, në Kupat e Evropës

Tri herë ka marrë pjesë Elbasani në Kupat e Evropës. Në vitin 1985, skuadra (asokohe Labinoti) luajti në Kupën e Kampioneve përballë Lyngby BK (Danimarkë) dhe i humbi që të dy takimet me rezultatin 3-0. Në vitin 2006, në Kupën UEFA Elbasani eliminohet që në turin e parë nga FK Vardar (Maqedonisë), pas dy barazimesh 1-1 në Elbasan dhe 0-0 në Shkup. Ndërsa një vit më vonë në Kupën e Kampioneve u eliminua në turin e parë nga FK Ekranas (Lituani), 1-0 në Elbasan dhe 0-3 në Lituani. Skuadra verdheblu nuk mundi të luante në Evropë në vitin 1975, pasi Shqipëria ishte e dënuar dhe më 1992 për shkak të trazirave në vendin tonë.

Elbasani, në listën e trukimeve

Në një relacion të botuar vitin e kaluar nga e përditshmja italiane “La Stampa”, skuadra e Elbasanit dyshohej se kishte trukuar ndeshjen e kthimit të Kupës së Kampioneve në verën e 2006-ës, me lituanezët e Ekranas. Dy orë para fillimit të takimit, sipas raportit të publikuar nga kjo e përditshme, filloi një valë bastesh në shenjën 1. Madje për rezultatin korrekt 3-0, po aq sa përfundoi ky takim u vunë baste me shuma të mëdha, por kjo mbeti vetëm një dyshim, pasi nuk u arrit të provohej nga hetuesit e UEFA-s, të cilët u morën me trukimet e disa ndeshjeve gjatë viteve të fundit në Kupat e Evropës.

Elbasani 2002-2009 

2002-2003
Elbasani renditet në vendin e 8-të në një kampionat me 14 skuadra. Bilanci, 26 ndeshje: 10 fitore, 6 barazime dhe 10 humbje. Golavarazhi: 33:35; 36 pikë (kampion del Tirana).
Skuadra: Arjan Hilla, Elton Guranjaku, Klodian Dino, Armando Mehmetaj, Elvis Kotorri, Lorenc Pashaj, Bashkim Arifi, Endri Dalipi, Merdian Kasollja, Bsnik Façja, Gentian Bylykbashi, Migen Memelli, Besnik Kola, Gentian Stojku, Sajmir Shengjergji, Burhan Ermullai, Gjergji Gjika, Shkëlqim Hajdari, Dorian Bylykbashi, Hetlem Çapja, Spartak Gogunja, Kastriot Shahini, Taulant Bakiu, Elton Fani, Klajdi Albrahimi. Trajner: Petrit Haxhia

2003-2004
Elbasani renditet sërish në vendin e 8-të në një kampionat me 10 skuadra. Bilanci, 36 ndeshje: 10 fitore, 10 barazime dhe 16 humbje. Golavarazhi: 47:55; 40 pikë (kampion del Tirana).
Skuadra: Albert Sejdini, Gentian Stojku, Merdian Kasollja, Alket Kruja, Gjergji Gjika, Michael Ajegba, Arjan Kila, Hetlem Çapja, Migen Memelli, Arjan Mustafa, Irakli Toçi, Mikel Basriu, Armando Mehmetaj, Juljan Brahja, Parid Bërdufi, Elton Çeno, Klajdi Albrahimi, Seth Ablade, Elton Guranjaku, Klevis Dalipi, Shkëlqim Hajdari, Elvis Guranjaku, Klevis Roshi, Spartak Gogunja, Endri Dalipi, Taulant Bakiu, Erjon Bajro, Marjo Kocja, Zeqir Hoxha, Erjon Hanxhara, Marsid Dushku. Trajner: Edmond Mustafaraj

2004-2005
Elbasani renditet në vendin e 2-të në një kampionat me 10 skuadra. Bilanci, 36 ndeshje: 24 fitore, 7 barazime dhe 5 humbje. Golavarazhi: 59:27; 79 pikë (kampion del Tirana).
Skuadra: Albert Kaçi, Endri Dalipi, Klodian Zani, Albert Sejdini, Eriol Merxha, Migen Memelli, Arjan Hilla, Gjergji Gjika, Mikel Basriu, Arjan Kila, Hetlem Çapja, Nevil Dede, Armando Mehmetaj, Irakli Toçi, Parid Bërdufi, Armend Dallku, Julian Ahmataj, Safet Osja, Egert Kuçi, Kastriot Shahini, Skerdi Bejzade, Elton Guranjaku, Klajdi Albrahimi, Spartak Gogunja, Elvis Guranjaku, Klevis Dalipi, Tefik Osmani, Emiliano Rrodhja. Trajner: Artan Bushati

2005-2006
Elbasani kampion për herë të dytë në historinë e tij. Superliga sërish me 10 skuadra, ku bilanci i verdhebluve ishte: 36 ndeshje, 21 fitore, 10 barazime dhe 5 humbje. Golavarazhi: 50:22; 61 pikë.
Skuadra: Abraham Alechenwu, Elvis Kotorri, Klevis Dalipi, Admir Teli, Endri Dalipi, Mikel Basriu, Albert Kaçi, Endrit Vrapi, Nevil Dede, Amarildo Belisha, Eriol Merxha, Olsi Bejollari, Arjan Hilla, Erjon Rizvanolli, Oltion Osmani, Arjan Kila, Ertil Duka, Parid Bërdufi, Arlind Nora, Fisnik Gashi, Safet Osja, Armando Mehmetaj, Gentian Stojku, Skerdi Bejzade, Bledar Devolli, Hetlem Çapja, Sokol Ishka, Edlir Tetova, Ilir Qorri, Tefik Osmani, Egert Kuçi, Juljan Brahja, Elvis Guranjaku. Trajner: Ilir Daja

2006-2007
Elbasani renditet në vendin e 7-të në një kampionat me 12 skuadra. Bilanci, 33 ndeshje: 10 fitore, 10 barazime dhe 13 humbje. Golavarazhi: 34:39; 40 pikë (kampion del Tirana).
Skuadra: Abdulla Isshaka, Eldorado Merkoçi, Klevis Dalipi, Akamba Mengëa, Elton Çeno, Ligor Maçolli, Albert Kaçi, Elvis Guranjaku, Liridon Leci, Aldo Bello, Elvis Kotorri, Merdian Kasollja, Anicet Eyenga, Elvis Sina, Endri Dalipi, Arjan Kila, Endri Duka, Parid Bërdufi, Arlind Nora, Eriol Merxha, Premton Muja, Armando Mehmetaj, Erlind Korreshi, Renato Hyshmeri, Fisnik Papuqi, Safet Osja, Darko Peric, Florjan Bodurri, Sajmir Patushi, Donald Varfi, Gentian Stojku, Skerdi Bejzade, Hetlem Çapja, Tefik Osmani, Edlir Tetova, Ilir Nallbani, Xhevair Sukaj, Egert Kuçi
Trajner: Luan Deliu (Edmond Gëzdari, Ilirjan Filja)

2007-2008
Elbasani renditet në vendin e 4-t në një kampionat me 12 skuadra. Bilanci, 33 ndeshje: 13 fitore, 13 barazime dhe 7 humbje. Golavarazhi: 40:24; 52 pikë (kampion del Dinamo).
Skuadra: Adin Mulaosmanovic, Eder Peti, Julian Gërxho, Edlir Tetova, Kushtrim Mushica, Aldo Bello, Elton Basriu, Endri Dalipi, Nertil Bako, Arbën Nuhiji, Endri Halilaj, Nikola Karcev, Ardijan Nuhiji, Eriol Merxha, Olsi Llakaj, Arjan Kila, Fisnik Papuqi, Renato Hyshmeri, Arjan Sheta, Fjodor Xhafa, Richard Bokatola, Armando Mehmetaj, Ganjol Kaçuli, Roland Nenaj, Arsim Plepolli, Gentian Stojku, Shpëjtim Babaj, Artan Sakaj, Ilion Lika, Skerdi Bejzade, Bernard Tchoutang, Sokol Bulku, Bledar Vashaku, Irakli Toçi, Stavrion Lako, Dragan Vranic, Julian Ahmataj, Toni Meglenski
Trajner: Krenar Alimehmeti (Mirel Josa)

2008-2009
Një javë para fundit të kampionatit, skuadra e Elbasanit renditet në vend të fundit me 32 pikë. Bilanci, 32 ndeshje: 6 fitore, 14 barazime dhe 12 humbje. Golavarazhi: 24:36.
Skuadra: Alfred Osmani, Eriol Merxha, Nevil Dede, Ardit Beqiri, Fjodor Xhafa, Nikola Karcev, Arjan Sheta, Ganiol Kaçulli, Olsen Suli, Armando Mehmetaj, Gentian Stojku, Orgest Gava, Eder Peti, Ilir Qorri, Orjand Abazaj, Egert Bakalli, Irakli Toçi, Parid Bërdufi, Egert Kuçi, Jorge Casanova, Renato Hyshmeri, Eleandro Pema, Jozef Thana, Rrahman Hallaçi, Emin Baliqi, Julian Ahmataj, Skerdi Bejzade, Endri Halilaj, Merdian Kasollja, Stavrion Lako, Endrit Vrapi, Nertil Bako, Toni Meglenski, Erbim Fagu
Trajner: Ramadan Shehu (Mirel Josa, Farruk Sejdini)

E Enjte, 21 Maj 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›