E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka: Ja pse zgjodha Jozif Kuzhen trajner kuqeziPresidenti i FSHF-se: "Kemi një vit për të ndërtuar një skuadër më të mirë. Ka fituar shumë dhe ka qenë Benjamin për tifozët ku ka drejtuar”

Presidenti i Federatës Duka, tregon mënyrën e zgjedhjes së trajnerit të përfaqësueses, tratativat dhe ditët që u deshën për të vendosur zyrtarisht trajnerin e ri të përfaqësueses.

35 ditë pa trajner. A ka qenë një periudhë e vështirë?

Realisht ka qenë e sikletshme. Duke pasur parasysh momentin ku ishim, rezultatet e fundit dhe kohën që na takonte për të zgjedhur trajnerin kemi pasur vështirësi. Në këtë moment trajnerët duan të marrin klube t’i përgatisin për edicionin e ardhshëm. Përfaqësueset janë pak të preferueshme. Kemi pasur shumë biseda dhe jashtëzakonisht shumë shumë tratativa. Në fund jam i bindur se kemi zgjedhur personin e duhur në krye të përfaqësueses.

Gjatë këtij muaji tratativash është folur për shumë emra. Nga kush jeni zhgënjeyr më shumë. i referohemi çështjes Ivankoviç?

Mund të pohoj që Ivankoviç ka qenë pranë Shqipërisë, nuk e mohoj. Megjithatë po ju tregoj se nuk ishte ai i preferuari ynë. Pra e pëlqenim, por më besoni nëse them se Kuzhe ka qenë sistematikisht njeriu që ne donim ta vinim në krye të përfaqësueses shqiptare.

Në të shkuarën keni pereferuar emra të mëdhenj, si lojtarë dhe trajnerë. Këtë radhë keni kërkuar një njeri më shumë punëtor dhe me kushte të tjera. Përse ky ndryshim kursi?

Kur në vitin 2002 filluam të kërkonim një trajner ishte shumë e vështirë që të gjenim dikë që të jetonte në Shqipëri. Madje nuk donin as të ndiqnin kampionatin shqiptar. Gjërat kanë ndryshuar. Kam synuar gjithnjë që të gjej një trajner fitues. Nëse nuk e gjej si trajner kam preferuar ta gjej një të tillë si ish lojtar. Këtë ide kemi pasur kur kemi vendosur për Hanin dhe Brigelin. Ndërsa me Bariçin gjetëm një trajner të madh. Sot Shqipëria është zhvilluar. Jo vetëm në futboll, por edhe më tej. Unë mendoj se ishin pjekur kushtet që ne t’i kërkonim trajnerit të ardhshëm që të jetonte në mënyrë permanente në Tiranë. Madje ka qenë një kusht aq kryesor sa nuk pranonim të uleshim në një tryezë bisedimesh nëse trajneri që kishim përballë nuk e dëshironte një gjë të tillë.

Pse është krijuar përshtypja koletikve që pas çdo tratativave, madje edhe pas zgjedhjes përfundimtare qëndron ish trajneri Bariç?

Dëgjo, ne me Bariçin jemi ndarë në mënyrë shumë të mirë. Bariç ka qenë një ndër pjesët më të rëndësishme të trajnimit në Shqipëri. Kur dha dorëheqjen atëherë u larguam shumë të kënaqur nga njëri-tjetri. Vijonim të bisedonim për shumë çështje. Gjëja e parë që bëra kur kisha listën e alternativave ia dhashë atij për ta parë. Respekti që më krijoi, simpatia ime personale për të dhe simpatia e tij për Shqipërinë na impononte bashkëpunimin. Pastaj mu krijua ideja se shkolla kroate është një shkollë e përshtatshme për ne, duke pasur parasysh punën që ka bërë Bariç këtu.

Pra le të themi që këtë radhë e ka zgjedhur Bariç trajnerin kuqezi?

Po ju them një sekret. Bariç më tha që do të gjejmë më të mirin për Shqipërinë, por pastaj pasi u mendua pak më tha: president më i miri jam unë… sigurisht që qeshëm shumë në këtë pikë. Ai e vlerëson Kuzhen, e konsideron një trajner shumë të suksesshëm dhe shumë perfekt nga ana taktike.

Po Katanec? Sa herë që kemi nevojë për trajner del emri i tij?

Duke mos u vënë këtë radhë trajner i Shqipërisë shpresoj që media të mos e dërgojë më tej fantazinë duke e konsideruar sistematikisht një kandidaturë. Nuk ka qenë asnjëherë në planet tona, për këtë ju siguroj. As unë vetë nuk e di si ka mundësi që gjithnjë del emri i tij. Ai ndoshta ka një raport të mirë me mediat shqiptare… qesh.

Flasim pak për Kuzhen. Thoni që ju impresionoi që në momentin e parë në Vjenë?

Këtu nuk flitet për impresionim. Në Vjenë dhe në Tiranë kemi bërë shumë, shumë diskutime me të gjithë. Nuk e mohoj që nga pikëpamja e trajtimit të elementëve teorikë dhe atë që mund të bëjë më pëlqeu. Ishte shumë i përgatitur, i gatshëm për çdo përgjigje. Me këmbë në tokë e dhe njihte mjaftueshëm futbollin tonë. Sigurisht që ka ndikuar dhe Bariç në gjithë këtë histori informacioni. Momenti delikat më bënte ta konsumoja shumë këtë tratativë dhe me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv përpara se të vendosnim. Unë realisht besoj se kemi bërë zgjedhjen më të mirë për Shqipërinë futbollistike.

Jeta e tij private në të shkuarën dhe raporti pasional që ka pasur mer bixhozin nuk ju shqetëson?

… (mendohet pak)… realisht kur vendosëm të zgjidhnim trajnerin e përfaqësueses ashtu si kemi bërë gjithnjë kemi synuar të gjejmë një njeri perfekt mbi të gjitha profesionalisht. Më shumë se perfekt, të gjejmë elementin më të mirë nga ata që kemi në letër. Nga informacionet që kam marrë dhe nga bisedat që kam bërë me njerëz të sportit që e njohin mirë Kuzhen më rezulton se tanimë jeta e tij private është një rregullsi brenda normales. Pastaj nëse ai në të shkuarën në kohën e lirë ka preferuar të frekuentojë, kazinotë, restorantin, apo të pijë një gotë verë më shumë nuk më shqetëson shumë. Realisht, do të më shqetësonte nëse preferenca e tij në jetën private do të ndikonin në dinjitetin e veprimtarisë profesionale që kryen. Nuk mendoj se ka shanse që kjo do të ndodhë me Shqipërinë. Ne kemi zgjedhur një trajner shumë të mirë dhe preferoj që ky të jetë këndvështrimi i opinionit për të vlerësuar punën e tij.

Fakti që do të jetojë rregullisht në Shqipëri nuk e vë atë përpara presionit mediatik dhe kolektiv. Do të jetë shumë i ekspozuar?

Unë nuk besoj se një trajner ka një gjë për t’i fshehur kryeqytetit shqiptar. Ai duhet të jetojë në Shipëri dhe e ka pranuar me kënaqësi këtë gjë, sepse ai duhet të kuptojë se çfarë është futbolli për këtë vend, çfarë përfaqëson Kombëtarja për shqiptarët. Për ne çdo ndeshje është një finale, dhe çdo ndeshje është fundi i botës. Këtë ndjenjë ai duhet ta përjetojë. Presioni mund t’I bëjë mirë. Unë e di mirë që lupa do të jetë te ai. Ju të parët do ta gërmoni në çdo gjë, do t’i qepeni 24 orë në 24. Por nuk besoj se Kuzhe është një njeri që nuk e mban presionin. Besoj së është në stadin që presioni e ndihmon për të bërë një punë cilësore.

Grumbullimi i parë duket më i komplikuari. Ka njohurinë e mjaftueshme trajneri që të bëjë seleksion kundër Portugalisë dhe Gjeorgjisë?

Trajneri vjen të shtunën dhe fillimisht do të shohë ndeshjen Tirana-Vllaznia. Dhe aty ka çfarë të fitojë. Unë ndihem mirë që do ta nisë nga një ndeshje e tillë. Është një sfidë që atij do t’i japë të kuptojë se edhe në Shqipëri luhet një futboll shumë interesant. Ne i kemi vënë që tani në dispozicion një material të zgjeruar filmik dhe të shkruar në lidhje me të gjithë lojtarët e kontigjentit të përfaqësueses A dhe të përfaqësueses U-21. Mendoj se do të ketë gjithë kohën e mjaftueshme që të bëjë një seleksion shumë afër perfektes. Jam i bindur se ndihmesa sidomos nga ana teknike nga FSHF nuk do t’i mungojë dhe do t’i shërbejë shumë.

Përfundimisht pse Kuzhe?

Doni të dini një detaj që më ka bindur edhe më. Në të gjitha skuadrat që ka drejtuar tifozëria e ka dashuruar, ka shijuar trofe dhe ka bërë gjëra shumë të mira. Ne na duhet një trajner që të dijë se çfarë është suksesi final, një trajner që t’i bëjë njerëzit për vete.

Realisht besoni se me Kuzhen do të bëjmë hapa të mëdhenj përpara?

Unë jam i bindur që trajneri nuk është gjithçka në botën e futbollit. Nëse do të ishte kështu Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ishin kampionë bote. Ata i kanë aq para sa të blejnë teknikun më të mirë në qarkullim. Por nëse një skuadër përbëhet nga 10 pikë, unë Kuzhes i jap 7 që tani. Besoj se do të jetë shumë i rëndësishëm për ne. Pastaj suksesi dhe jo suksesi varen edhe nga faktorë të tjerë.

Ndeshja e fundit me Milanin nxorri në pah disa elementë të rinj interesantë. Në ndeshjet e fundit të përfaqësueses është konstatuar një mungesë cilësie. A mund të besojmë te brezi i ri?

Asnjëherë nuk kam besuar se prodhimtaria jonë futbollistike ka mbaruar. Të jemi të sinqertë. Unë kam besuar shumë. Madje edhe te skuadra U-21 kur kam parë ndeshjet me Skocinë. Kemi një brez të mirë dhe ne këtë brez të rinjsh e kemi pasur gjithnjë. Duhet menaxhuar me kujdes.

10 ndeshje zyrtare dhe miqësore, përpara edicionit të eliminatoreve për europianin 2012. Sa do ta ndihmojnë trajnerin për të qenë i suksesshëm?

Ky është një avantazh që Kuzhe ka sidomos parardhësit. Ka shumë kohë në dispozicion. Megjithatë ka një disavantazh. Ka tre ndeshje zyrtare të vërteta ku kundërshtari është shumë i fortë. Unë jam i bindur që në një vit ne të gjithë bashkë do të përgatisim një Shqipëri shumë më të mirë për eliminatoret e Europianit.

A keni harruar tashmë Hanin?

Ari Han? Jo nuk e harroj dot. Le të themi që ka bërë më të mirën e mundshme të tij, ka punuar relatvisht për Shqipërinë. Rezultatet jo gjithnjë të përligjin dhe sot në futboll rezultati është kondicioni kryesor që një trajner të vijojë apo jo punën.

E Premte, 22 Maj 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›