Kadare në Gjirokastër: Nuk do të shkruaj më poezi
GJIROKASTËR- Rikthehet në qytetin e tij të lindjes, pas tetë vitesh mungesë. Madje vërejtjet e bëra për mosardhjen i pranon me dashamirësi dhe i vlerëson si gjeste të ngrohtësisë e dashurisë që bashkëqytetarët ruajnë për të. Ismail Kadare vjen në Gjirokastër për të parë ringritjen e banesës ku u lind si dhe për të prezantuar “Darka e fundit”, romanin që ka në qendër një tjetër nga të shumtat histori të Gjirokastrës. Ka shprehur keqardhjen që vizita e tij, megjithëse e planifikuar prej kohësh ka qëlluar në një moment dhimbjeje, një javë pas shembjes së pallatit dhe ka shprehur edhe ngushëllimet e tij për viktimat e ngjarjes. “Jam shumë i gëzuar që sot jam këtu, megjithëse ka edhe nga ata që nuk e besojnë këtë fakt. Kam ardhur, pas kërkesave të përsëritura të arkitektit Agron Doraci, i cili është marrë dhe po merret me ringritjen e shtëpisë sime. Në këtë udhëtim më shoqëron edhe një televizion i huaj, të cilët kanë kërkuar ta filmojnë shtëpinë kur unë të jem aty dhe besoj se përveç saj, ata do të filmojnë edhe qytetin, banesa të tjera e elementë, pasi çdo ndërtesë e njeri ka vendin dhe historinë e vet në këtë qytet”, -është shprehur Kadare. Ka preferuar që takimin me bashkëqytetarët e dashamirësit ta zhvillojë si një bisedë miqësore, duke qenë i hapur ndaj çdo kurioziteti apo pyetjeje. Në qytetin e tij të lindjes, Kadare ka pohuar vendimin për të mos shkruar më poezi, ndërsa nuk i ka kursyer notat e ashpra për çështje të caktuara. “Darka e fundit” është romani i pestë ku frymëzimi vjen prej historive të vjetra të fëmijërisë së kaluar në Gjirokastër. Një darkë tepër e diskutuar dhe e hetuar, ku natyrisht zënë vend edhe imagjinata dhe opinioni i shkrimtarit. “Nuk do shkruaj më poezi. Nuk lidhet me asnjë gjë. Është normale që vjen një çast kur mbyll një kapitull; kështu ndodh”,-pohoi ai.Darka e fundit ka të bëjë me një ngjarje reale, disi të çuditshme, të cilën një pjesë e mirë e gjirokastritëve duhet ta mbajnë mend. Bëhet fjalë për një ngjarje në vjeshtën e viti 1943, kur Gjirokastra u pushtua nga gjermanët dhe të gjithë prisnin me ankth hakmarrjen për një sulm që u ishte bërë në xhade.“Por çuditërisht, gjermanët, komandanti i tyre atë natë u prit nga kirugu më i njohur i gjithë jugut dhe një ndër më të njohurit në vend, Vasil Laboviti, shtëpia e të cilit ndodhej pranë times dhe unë në atë kohë kam qenë 7 vjeç. Një darkë kjo, e cila u hetua dhe u gjykua për një kohë të gjatë në forma të ndryshme, por mençuria gjirokastrite nuk e gjykoi asnjëherë doktor Labovitin. Në fakt, në atë darkë ai iu shpëtoi jetën 80 robërve. Këtë darkë, njëkohësisht të habitshme dhe mikpritëse, unë e kam shfrytëzuar për pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë zënë vend edhe imagjinata dhe mendimet e mia”, -shprehet Kadare.
Për “Nobel”-in
Kadare deklaroi se në këtë çështje, Shqipëria ka luajtur një rol negativ. “Një ish- ambasador i Shqipërisë në vendin ku jepet çmimi Nobel, në Suedi, ka kundërshtuar nominimin tim. Ishte një veprim aq skandaloz saqë edhe vetë shtypi suedez u mor gjatë me këtë çështje. E ç’është më e keqja, ai ambasador ishte nga Gjirokastra”.
Për Hoxhën
„Mendoj se është çasti që Evropa dhe familja evropiane na kërkojnë, ashtu sikurse edhe vendeve të tjera të lindjes të dënohen krimet e komunizmit dhe ky është një proces qytetërimi për kombin shqiptar. Nuk bëhet fjalë për rivlerësimin e tij“
Për Skënderbeun
Çmitizimi i figurës së Gjergj Kastriotit është një nga turpet e kombit shqiptar. Të çmizitosh figurën e Gjergj Kastriotit do të thotë të bësh sulm kundër konceptit të lirisë. Të jesh kundër Gjergj Kastriotit do të thotë të parapëlqesh robërinë para lirisë dhe Shqipëria do të ishte vendi i parë në Evropë që do ta bënte këtë”.