E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karabeci bën llogaritë: Fitojmë në Shkodër dhe ruajmë kreun

Nga ERJON SALIU

Kemi marrë tri fitore në katër javë, kështu që edhe në Loro Boriçi nuk ndalemi. Konkurrenca?! Këtu luan ai që djersin më shumë

Erando Karabeci, mesfushori i skuadrës së Tiranës, e thotë hapur se skuadra e tij do të kërkojë në Shkodër vetëm fitoren për të mos lëshuar vendin e parë. Karabeci e ka kaluar dëmtimin në shpatull, që rezultoi pa probleme për të dhe ai e ka mendjen te përballja me shkodranët që do të luhet fundjavën e ardhshme në Loro Boriçi.

Karabeci, i cili ka tri sezone që aktivizohet si titullar në radhët e skuadrës së Tiranës, nuk e quan tabu fitoren në Loro Boriçi aq më tepër që Shkodra është një qytet me tradita dhe mbi të gjitha të lë të luash futboll, madje bardheblutë kanë fituar gjatë sezonit 2009-2010 me gol të Muzakës.

Në një prononcim dhënë enkas për Sportin shqiptar, para se të startonte stërvitja e djeshme, Erando Karabeci ndër të tjera pohoi: Kemi marrë nëntë pikë në katër javë, ndërkohë që duhet të kishim më shumë. Nuk na falet humbja me Teutën në shtëpi, megjithatë tashmë është momenti që ne të shohim vetëm përpara. Na pret ndeshja me Vllazninë, ku do të kërkojmë vetëm fitoren.

E dimë që nuk do ta kemi të lehtë, megjithatë është momenti që të konfirmohemi si skuadër pretendente. Në qoftë se duam titullin duhet që të fitojmë edhe me rivalët në fushat e tyre. Duhet që të shfrytëzojmë momentin e mirë që po kalojmë, – u shpreh mesfushori 23-vjeçar Erando Karabeci.

Konkurrenca Te Tirana ka shumë konkurrencë, por reparti më i mpipopulluar me kualitete është mesfusha, ku luajnë lojtarë si G. Lika, Duro, Situma, Karabeci, Ahmataj, Heples, Tushe e ndonjë tjetër. Kur e pyesim Erandon se sa e vështirë është të luash titullar, ai përgjigjet: Këtu asnjë se ka vendin të sigurt, në formacion luan ai që djersin më shumë në stërvitje.

Ka shumë lojtarë cilësorë dhe të gjithë duan që ta nisin nga minuta e parë, por ai që vendos është trajneri Rubio. Dora e tij e hekurt duket qartë dhe rezultatet pozitive nuk po mungojnë, sepse ka arritur që të ndërtojë një Tiranë të frikshme. Mendoj se konkurrenca i bën mirë çdo lojtari dhe skuadre që ka synime ambicioze.

Dëmtimi: E kam kaluar dëmtimin që pësova javën e shkuar ndaj kuqezinjve dhe shyqyr që ngeli me aq. Tashmë jam në formën time më të mirë. U aktivizova ndaj Flamurtarit dhe shpresoj që të luaj edhe ndaj Vllaznisë nga minuta e parë, sepse është një sfidë që nuk duhet humbur. Kam tri sezone që luaj si titullar te bardheblutë dhe kjo më shërben akoma më tepër, sepse ndihem si i shtëpisë këtu.

Kombëtarja Në mbyllje të fjalës së tij, mesfushori Erando Karabeci foli edhe për objektivin e karrierës që quhet kombëtare. Pasi ka provuar që të luajë me të gjitha kombëtaret e moshave objektivi i tij është që të bëhet pjesë e përfaqësueses. Në disa takime që ka zhvilluar Tirana, ai nuk i ka shpëtuar syrit të trajnerit Josip Kuzhe. Pasi kam provuar që të luaj me Shpresat për herë të fundit, synimi im mbetet që të bëhem pjesë e ekipit kombëtar.

Unë i uroj suksese në eksperiencën kuqezi shokut tim Sabjen Lilaj, me të cilin kemi shkuar shumë mirë te Tirana. Është një futbollist profesionist. Besoj se edhe unë brenda këtij sezoni do të bëhem pjesë e përfaqësueses, pasi nuk është pak që të luash titullar me një skuadër të madhe si Tirana, – theksoi në mbyllje të prononcimit të tij, Erando Karabeci.

3 Sezone ka Karabeci që është bërë pjesë e bardhebluve, ai erdhi në prag të edicionit 2009-2010 pas një eksperience trevjeçare me ekipin e Partizanit

3 Trofe ka fituar gjatë eksperiencës me 24 herë kampionët, 2 Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë

Ahmataj, e vetmja mungesë në stërvitje

E vetmja mungesë në radhët e skuadrës së Tiranës gjatë këtyre ditëve, krahas lojtarëve shqiptarë dhe të huajve që janë grumbulluar me përfaqësuest e tyre, është edhe ajo e elbasanasit Julian Ahmataj. Ky i fundit duket se ka probleme personale dhe ka marrë leje pranë trajnerit Rubio. Ndërkohë që pjesa tjetër e skuadrës dje ka vijuar normalisht përgatitjet nga Kodrat e Liqenit Artificial.

Anulohet miqësorja me Kamzën, sot test brenda familjes

Bardheblutë kishin planifikuar që të zhvillonin edhe një ndeshje miqësore me skuadrën e Kamzës sot, mirëpo trajneri spanjoll Rubio ka pasur dëshirë që të bëjë një test brenda grupit. Ai ka pasur frikë nga dëmtimet, ndaj nuk ka preferuar që ta testojë skuadrën me ndonjë rival të kampionatit..

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›