E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josa prane Tiranes

Hulian Rubio Sançez duket një kujtim i largët. Edhe pse lojtarët duket se e duan një rikthim të spanjollit, realiteti tek Tirana duket tjetër. Ndaj një kandidaturë alternative po fiton gjithnjë e më shumë terren. Bëhet fjalë për Mirel Josën, trajnerin që ka drejtuar më parë Tiranën, por që ka qenë edhe në stolin e Vllaznisë, Elbasanit, Teutës dhe Shkumbinit.
Burime të mirëinformuara në klub bëjnë me dijë se Josa duket gjithnjë e më pranë stolit, edhe pse ende nuk ka kontakte zyrtare mes palëve.
Fatura financiare e Rubio Sançezit ishte tepër e lartë sezonin e kaluar, minimalisht 72 000 euro si rrogë, plus shpërblimet për fitoren e dy trofeve apo bonuse të tjera. Edhe më e lartë do të jetë këtë sezon, nëse bardheblutë pranojnë që spanjolli të vazhdojë, ndoshta të paktën 150 000 euro.
Ndaj Josa duket afër. Tregu i trajnerëve nuk duket i pasur për momentin, ndërsa Shpëtim Duro vendosi të shkojë në Shkodër dhe Shkëlqim Muça mbetet ende në Vlorë. Ish-trajneri i Tiranës, Nevil Dede, ishte në Gjirokastër sezonin që u mbyll, ndërsa një tjetër ish-trajner si Sulejman Starova ka qenë drejtor teknik tek Teuta në Durrës.
Gjithsesi, gjithçka mund të ndodhë, ndonëse ish-lojtari i Tiranës dhe kombëtares së viteve 80-të duket si favorit për të drejtuar ekipin sezonin 2012-2013.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›