E Shtunë, 31 Tetor 2026

Joshua Martson fillon xhirimet e filmit mbi gjakmarrjen



Regjisori amerikan, Joshua Marston, ka filluar realizimin e filmit të tij më të ri, i cili është një bashkëprodhim shqiptaro-amerikan me skenar të shqiptarit Andamion Murataj. Temë qendrore e ngjarjes është gjakmarrja si dhe ballafaqimi i jetës tradicionale me atë moderne. Këto probleme shqiptare e kanë ngacmuar regjisorin Marston për të bërë një film më temë shqiptare. Xhirimet e filmit janë duke u bërë në qytetin e Shkodrës. Në qendër të historisë së këtij filmi është një djalë më të motrën që jetojnë me frikën e marrjes së gjakut. Filmi fokusohet në eksperiencat e jetesës në izolim dhe në mënyrën se si ato ndikojnë në familje. Skenari është bazuar në intervista dhe kërkime të drejtpërdrejta, të kryera nga regjisori Martson dhe Murataj, nëpërmjet të cilave ata dëgjuan qindra histori familjesh të ngujuara, ndërmjetësish, mësuesish, nxënësish etj. “Gjakmarrja” është vetëm një kapitull i traditës sonë konkretisht i Kanunit, i cili po trajtohet dhe po i provokon regjisorët e huaj dhe vendor, ndonëse shumë norma të tjera jetësore të cilat i përkasin traditës së popullit tonë, mund të gjenin trajtim shumë artistik filmik. E në fakt kjo temë është trajtuar në filma të ndryshëm të regjisorëve të huaj. Por, ndër gjithë ata filma të cilët deri tani janë realizuar, duke u bazuar në këtë temë, filmi” Prapa diellit”, film brazilian, i cili trajton pikërisht këtë temë, “gjakmarrjen”, nga regjisorë dhe dramaturgë vendorë është trajtuar si filmi më i realizuar deri më tani. Duhet theksuar gjithashtu se për këtë film është zhvilluar një audicion i gjerë në të gjitha trojet shqiptare. Kështu, pas audicionit në Shqipëri, ku pothuajse ka kërkuar nëpër gjithë Shqipërinë aktorë, qoftë edhe prej atyre të cilët nuk kanë qenë të angazhuar në ndonjë projekt tjetër filmik, regjisori Martson ka shkuar edhe në Kosovë e Shkup. Në kategorinë e aktorëve profesionistë shqiptarë jashtë Shqipërisë, bëjnë pjesë: Refet Abazi (babai, Mark), Ilire Vinca Çelaj (nënë Drita), Çun Lajçi (gjyshi Ded). Tek amatorët bëjnë pjesë fëmijë dhe të rinj si Tristan Halilaj, Sindi Lacej, Zana Hasa, Esmeralda Gjonlulaj, Elsajed Tallilli. Andamion Murataj është një regjisor i ri shqiptar që në këtë projekt është edhe producent dhe drejtues i shtëpisë filmike "Lissus Media". Për këtë film buxhet ka afruar edhe producenti amerikan Paul Mezey i "Journeyman Pictures", producent në filmat "Maria Full Of Grace" me regji të Joshua Marstonit dhe "Half Nelson" i Ryan Fleck-ut, si dhe kompanitë e distribuimit "Fandango-Portobello" (Angli-Itali), me përfaqësues producentin italian Domenico Procaçi. Regjisori amerikan Joshua Marston, ka qenë edhe më parë në vendin tonë me projektimin e filmit të tij “Maria full of grace”, në festivalin ndërkombëtar të filmit për të drejtat e njeriut, ka vendosur të bëjë një film mbi gjakmarrjen në Shqipëri. Regjisori pohon se këndvështrimi i tij do të jetë shumë personal, pasi atij i intereson jo vetëm fenomeni në vetvete, por sidomos konflikti mes botës moderne dhe traditës në shoqërinë dhe familjen shqiptare. “Filmi që synoj të bëj në Shqipëri nuk flet vetëm për gjakmarrjen, pasi gjakmarrja është vetëm njëri nga nivelet, niveli më i thellë është konflikti mes botës moderne dhe asaj tradicionale “, thotë Joshua Marston, regjisor. Në këtë projekt regjisori amerikan do të shoqërohet dhe nga kineasit i ri shqiptar Andamion Murataj, i cili ka qenë dhe në jurinë e festivalit të filmit “TIFF ‘09”. Edhe kineasti i ri shqiptar tregon se në vitin 1998 është larguar për t’u shkolluar në Amerikë dhe fillon studimet për film dhe media elektronike. Ka xhiruar filmin dokumentar me titullin “Children Ëill Listen”. Në Amerikë ka xhiruar dhe prodhuar një bashkëpunim shqiptar “89 cents” të regjisorit Dhimitër Ismailaj, i cili fiton “The Best Albanian Film of TIFF 05”. Tashmë për herë të parë ai po punon me një film me metrazh të gjatë në Shqipëri. Ai është kooproducent me Paul Mezey dhe bashkëatuor skenari me Joshua Marston autorë të filmit “Maria Full of Grace”, në projektin e tyre më të fundit.

14 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›