Vetëm 48 orë për të bërë një film nga Robert Aliaj
Vetëm 48 orë për të bërë një film. Është kjo e reja që artisti Robert Aliaj sjell në Tiranë, në të cilin ai synon të realizojë në kryeqytetin shqiptar, festivalin mbarëkombëtar të filmit të shkurtër që prodhohet në vetëm dy ditë, ndërkohë që fituesi do të njihet në qershor. Në fakt ky aktivitet në fjalë është një fenomen global dhe qysh prej vitit 2001 kur u prezantua në Uashington nga regjisorët Mark Rupert dhe Liz Langston, Festivali i Filmit të Shkurtër “48 orë projekt filmik” do të zhvillohet për herë të parë edhe në vendin tonë. Në këtë mënyrë, Tirana i bashkohet më 11-13 Qershor, në vigjilje të Kampionatit Botëror të Futbollit, 81 vendeve me të zhvilluara të botës. Në këtë tarracë pallati në qendër të kryeqytetit, po zhvillohet një nga takimet me regjisorët e kineastët e rinj, që do të realizojnë filmat e tyre për plot 48 orë, një ide e sjellë në Shqipëri nga regjisori Robert Aliaj Dragot. Ky i fundit është jo vetëm ideatori, por edhe drejtori i këtij festivali dhe ka treguar gjithashtu se është siguruar me këtë rast edhe mbështetja e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Qendrës Kombëtare të Kinematografisë; e të tjera strukturave e sponsorëve privatë. “Të bërit film për 48 orë nuk është çudi. Kam patur dy eksperienca, 48 orëshi të jep mundësi të bësh filma të ndryshëm, sigurisht jo në logjikën e një filmi kolektiv me të gjithë elementët. Festivali i Filmit 48 orësh do të përcjellë problematikat shqiptare, jehonën që fenomenet e ndryshme sociale lënë në mendësinë tonë. Në këtë festival do theksojmë problemet tona. Jo vetëm do sjellim suksese, por do të eksportojmë kulture, do prodhojmë filma që do të eksportohen jashtë dhe do të promovohen në 81 shtete të globit.”- është shprehur Aliaj. Aliaj ka ftuar artistë shqiptarë kudo që ndodhen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e diasporë të provojnë krijimtarinë dhe punën në grup, të cilët duhet të sjellin idetë e tyre kinematografike në një festival filmi që do të flasë vetëm shqip. Në këtë fazë të parë po krijohen grupet filmike që do të përbëhen nga producenti, regjisori, skenaristi, aktorët. Një grup, i cili do të marrë përsipër me vetëfinancim krijimin e një filmi Brenda 48 orësh, filma që do të shfaqen në Tiranë në fund të muajit qershor. Si çdo festival ndërkombëtar filmi edhe në këtë kompeticion të parë të 48 orëshit do të ketë çmime të rëndësishme për regjisorin, aktorin, skenarin, muzikën më të mirë si dhe filmin më të mirë të shkurtër të vitit. “Festivali nuk ka përzgjedhje. Çmimet do të jepen nga një juri profesionistësh. Filmi fitues i këtij festivali shqiptar do të konkurrojë me të drejta të plota krahas filmave fitues nga e gjithë bota për titullin “Filmi më i mirë 48 orësh për vitin 2010.”- ka përfunduar Robert Aliaj.
Helidon Haliti me ekspozitën “Fabulus” në Paris
Helidon Haliti me ekspozitën “Fabulus” të hapur kohë më parë, ka vazhduar rrugëtimin e tij për në Paris. Për artdashësit, ekspozita do të hapet sot dhe do të qëndrojë e hapur për disa ditë. Haliti është cilësuar si piktor i ngjyrës dhe temës së përrallave, baladave dhe legjendave shqiptare. Ekspozita “Fabulus” ka një simbolikë, pasi ka elemente të tilla si varka, elementin e shtëpisë dhe të kafshëve. Helidon Haliti, para publikut francez do të shfaqet me elementet dalluese të pikturës së tij, me kafshët, me simbolin e varkës dhe anijes që simbolizon shqiptarët, të cilët fatin e kërkojnë gjetkë. Pak kohë më parë vepra e tij e titulluar “Gjeli”, është bërë pjesë e koleksionit presidencial të presidentit francez, Nikolas Sarkozi. Piktura e artistit shqiptar ka mbërritur në Elysee, pallatin presidencial francez. Helidon Haliti ka ekspozuar për herë të parë në Tiranë në vitin 1984, në një ekspozitë kombëtare si dhe në ekspozitën e të rinjve në Oslo në Norvegji në vitin 1985, ku është vlerësuar me dy çmime për akuarelet e paraqitura prej tij. Haliti ka qenë vazhdimisht i pranishëm në ekspozita të ndryshme në Shqipëri, por edhe në vende të tjera.
14 Prill 2010