Ka përfunduar faza e parë e ndërtimit të Hidrocentralit të Ashtës
Në Shqipëri kanë nisur punimet për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës në rrethin e Shkodrës, i katërti mbi kaskadën e lumit Drin. HEC-i Ashtës po ndërtohet me koncesion nga firma e njohur austriake “Verbund”. Projekti për HEC-in e Ashtës, është një investim i përbashkët i qeverisë shqiptare me atë austriake, prej rreth 200 milionë eurosh. Ky hidrocentral, pritet të përfundojë brenda vitit 2012 dhe do të gjenerojë rrymë elektrike për më shumë se 100 ekonomi shtëpiake. Ai pritet të ketë një impakt pozitiv në ekonominë e rajonit, ndikime të pakta në ekosistem dhe përmirëson në maksimum, mbrojtjen e zonës nga përmbytjet.
Ka përfunduar faza e parë e ndërtimit
Për drejtuesit më të lartë vendorë, kjo fazë e quajtur edhe faza para-ndërtimore, ka pasur si qëllim përgatitjen e dokumentacioneve të nevojshme dhe rehabilitimet në infrastrukturë. Sipas kryetarit të Komunës Bushat, Zef Hila, përfundimi i fazës së parë ka pasur një kohëzgjatje prej rreth 18 muajsh dhe ka mbyllur ndërtimet brenda afateve të përcaktuara nga palët pjesëmarrëse në këtë investim. “Ky investim prek komunat e Ashtës, Stajkës e Kosmacit, me një sipërfaqe prej 100 ha nga pronat publike dhe pjesa tjetër nga pronat private. Tashmë janë kryer të gjitha procedurat nga firma ‘Verbund’ dhe kanë filluar punimet. Ndërtimi këtij hidrocentrali zgjidh përfundimisht problemet e energjisë jo vetëm në këtë zonë, por edhe përtej saj”,- ka deklaruar Hila. Përfaqësuesit e firmës austriake “Verbund”, e cila po zbaton projektin në terren, janë të kënaqur me punën e bërë deri tani dhe bashkëpunimin e arritur. Drejtori menaxhues i projektit për hidrocentralin e Ashtës, Dietmar Reiner, u shpreh se, jemi këtu për të dhënë të gjithë informacionin e duhur mjedisor dhe teknik popullatës dhe për të treguar konkretisht punën, afatet dhe objektivat tona. “Mund t'iu them se kemi përfunduar fazën e parë, që është faza paraprake e projektit, gjithmonë në bashkëpunim me specialistët shqiptarë. Kemi marrë të gjitha lejet që janë të nevojshme për dëmtimin dhe funksionimin e hidrocentralit”,- tha ai.
Pritet ulja e varësisë nga importi
Zëvendësministri shqiptar i energjetikës, Neritan Alibali, thotë se projekti për ndërtimin e hidrocentralit të Ashtës, është hartuar duke marrë parasysh të gjitha sugjerimet dhe obsionet e paraqitura nga palët: “Kjo është vepër e cila e përmirëson fuqimisht kapacitetin prej 50 MË, që është një e treta e nevojave, që Shqipëria ka për të plotësuar 100 për qind shpenzimin e energjisë nga konsumatorët. HEC, do të sjellë gjithashtu, një nxitje pozitive për zonën dhe vendin në tërësi, duke reduktuar kështu në maksimum, vartësinë nga importi të rrymës elektrike”. Specialistët pohojnë se ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës, ka një impakt pozitiv për zhvillimin e ekonomisë dhe një ndikim tepër minimal në mjedis. Për Prefektin e Qarkut të Shkodrës, Maxhid Cungu, një ndër impulset e rëndësishme të këtij projekti, është edhe punësimi i banorëve të zonës: “Ne e kemi mbështetur këtë projekt dhe këtë punë mjaft të madhe që po bëhet nga specialistët e huaj dhe ato shqiptarë. Sigurisht që ndërtimi i hidrocentralit, është një ndër projektet më të rëndësishme që po zbatohet në Shqipëri. Një vepër kjo që starton, projektin e madh që ka qeveria shqiptare për shndërrimin e vendit në një superfuqi të vogël energjetike në rajon“. Hidrocentrali i Ashtës, me një investim total prej rreth 160 milionë eurosh që pritet të gjenerojë energji për më shumë se 100 familje, përfundon në prill të vitit 2012. Ai do të shfrytëzojë kryesisht ujërat që dalin nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, të cilat sot nëpërmjet lumit Drin, derdhen në Bunë, duke shmangur kështu edhe rrezikun e përmbytjeve të shpeshta të zonës së Nën-Shkodrës.
Marrë nga Dojçe Vele
Autor: Leka Plani
Nis prodhimin çeliku sizmik, rezistent ndaj tërmeteve
Në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit do të prodhohet një lloj i ri çeliku, i cili quhet “çelik sizmik” dhe është i rezistueshëm ndaj tërmeteve. Ministri Ekonomisë, Dritan Prifti në takimin që zhvilloi një ditë më parë në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan diskutoi lidhur me linjën e re që kompania po instalon, që konsiston në prodhimin e çelikut sizmik dhe që përbën një investim prej 16 milionë euro. “Kam ardhur të vizitoj një nga kompanitë më serioze që ka sot Shqipëria, një nga investitorët e huaj më seriozë, një vend ku punojnë rreth 800 persona dhe do të prodhohet një çelik, i cili do të jetë çelik sizmik, çka do të thotë se është shumë i rezistueshëm ndaj tërmeteve,- u shpreh ministri Prifti,- duke vlerësuar faktin se investimi i kompanisë turke KURUM krijon mundësi punësimi, aktivitet ekonomik përreth tij, si dhe ndihmon në uljen e çmimeve të larta të çelikut që vjen nga importi. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës diskutoi me drejtuesit e kompanisë KURUM edhe mbi një projekt të ri të kompanisë, i cili ka të bëjë me ngritjen e një fabrike për thërrmimin e skrapit. “Kemi diskutuar që qeveria mund t’i ofrojë këtij investitori disa terrene të tjera brenda këtij Kombinati Metalurgjik, ndoshta dhe me skemën ‘1 euro’, sepse është një investitor serioz, i cili punon mirë dhe kontribuon në ekonominë shqiptare me punësim dhe me taksa”,- tha Prifti. Ai garantoi se qeveria është e gatshme ta mbështes këto lloj investimesh.
14 Prill 2010