E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacioni, asgjësohet banda e grabitjes së lopëve në dy rrethe



DURRËS – Asgjësohet banda e grabitjes me armë të kafshëve shtëpiake në rrethet e Durrësit dhe të Krujës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se kanë ndaluar dy shtetas, dhe dy të tjerë janë vënë nën hetim në mungesë pasi dyshohet se janë autorë të vjedhjeve të lopëve të fermerëve të fshatrave të Shkafanës në komunën e Ishmit. Shtetasit Shpëtim Kadia, Rexhep Shehu, Marsida Shehu dhe Astrit Laze, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përdorur edhe armë zjarri kryenin grabitje të kafshëve shtëpiake në familje të ndryshme. Por, një denoncim i bërë në polici ka sjellë zbulimin e grupit të grabitësve. Dy prej personave që po hetohen në mungesë janë shtetasit Marsida Shehu dhe Astrit Laze.

Grabitjet
Fshatarët e zonës së Shkafanës dhe fshatrave të tjerë në komunën e Ishëm dhe zonën përreth Krujës janë tmerruar nga persona të paidentifikuar, të cilët iu grabisnin gjënë e gjallë në stallat e tyre. Rasti më i fundit kishte ndodhur në fshatin Bubq të rrethit të Krujës. Shtetasi Z. S., me banim në këtë fshat kishte denoncuar në polici më datë 12 mars grabitjen e dy lopëve. Kaq ka mjaftuar që të nisin hetimet për zbulimin e autorëve. Nga të dhënat e para, informacionet i orientuan agjentët kundër Krimeve ndaj Pronës në fshatin Shkafanë, në rrethin e Durrësit. Në komisariatin e Shijakut kishin mbërritur edhe denoncime të tjera për grabitjen e kafshëve shtëpiake.

Arrestimi
Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm ka nisur një operacion policor, i koordinuar me ekspertët e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje, rreth orës 00.30 janë arrestuar në kushtet e flagrancës shtetasit: Shpëtim Kadia, 23 vjeç, banues në fshatin Shkafanë dhe Rexhep Shehu, 70 vjeç, banues në fshatin Gramëz të rrethit të Krujës. Po ashtu, kanë nisur hetimet në gjendje të lirë edhe për shtetasit: Marsida Shehu, 19 vjeçe, banuese në fshatin Gramëz të Krujës dhe Astrit Laze, 34 vjeç, banues në fshatin Larushk. Zëdhënësja e policisë, Ornela Cako thotë se “shtetasi Shpëtim Kadia, në bashkëpunim me Astrit Lazen dhe Marsida Shehun, më datë 12 mars, dyshohet se kanë vjedhur 2 lopë në banesën e shtetasit Z.S.. Sipas saj, “gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Rexhep Shehu, është gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu, të cilën ky shtetas e mbante pa leje. Ndaj këtij grupi janë ngritur hetimet edhe për grabitje të tjera në rrethet e Krujës dhe Durrësit. “Materialet procedurale për veprat penale të “vjedhjes së kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë” iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës, - thonë burimet policore. Në komunën e Ishmit, por edhe në fshatrat e rrethit të Krujës janë shtuar djeshëm denoncimet për grabitjen e lopëve dhe bagëtive nga fermerët. Grupe të organizuara kryejnë vjedhje me armë në fermat e fshatarëve të këtyre zonave.

Box 1
Kapet manjaku që vidhte pasqyrat e makinave luksoze

ELBASAN – Një grabitës i dhënë pas pasqyrave të mjeteve luksoze ka përfunduar në pranga. Burimet zyrtare të policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se agjentët e Sektorit të Krimeve të Rënda arrestuan dje rreth orës 10.00 shtetasin Sinan Veizi, 22 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Skënderbej”. Sipas tyre, ky shtetas është autor i disa vjedhjeve të ndodhura në Qarkun e Elbasan, në periudha të ndryshme kohe. Zëdhënësja Valbona Begu sqaron se Veizi dyshohet të jetë autor i vjedhjeve të dy pasqyrave të automjetit luksoz, tip Benz 220, me targa EL 3334 C, në pronësi të shtetasit L. B, 27 vjeç, banues në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan. I ndaluari ka kryer edhe një sërë vjedhjesh të tjera tek makinat e shtrenjta. “Nga ana jone janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa pasqyra automjetesh të tipeve të ndryshme, të vjedhura nga autori”, - thonë burimet zyrtare. Dosja në ngarkim të Sinan Veizit i kaloi prokurorisë pasi akuzohet për veprën penale të “Vjedhjes”. Ku shtetas është dënuar më parë nga gjykata për “armëmbajtje pa leje”.

Stafi i Alsatit një orë nën panik, lajm i rremë për vënie bombe

TIRANË – Një alarm i rremë për vënie bombe ka bllokuar punën e mjediset e televizionit Alsat dhe ka nxjerrë gjithë stafin jashtë ndërtese. Persona ende të paidentifikuar kanë telefonuar, duke thënë se është vendosur një bombë brenda në ndërtesën e televizionit satelitor që ndodhet në rrugën Siri Kodra. Kaq ka mjaftuar dhe për rreth 1 orë të pezullohet e gjithë puna në televizion. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje, rreth orës 11.15 në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë ka mbërritur një telefonatë anonime për vendosje të një sasie eksplozive në ambientet e brendshme të televizionit Alsat. Në vendngjarje janë nisur shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, shërbimet Anti–terror, specialistë Anti–eksplozivë, Ekspert Xhenierë, të cilët morën të gjitha masat, duke koordinuar punën me stafin e këtij televizioni, me synim evakuimin e punonjësve që ndodheshin brenda. Përreth një orë u bë e mundur që të kontrollohej me mjete speciale e gjithë godina dhe në përfundim, burimet policore bëjnë të ditur se gjithçka ka qenë një alarm fals i ardhur nga një telefonatë anonime. Mesazhi për vënie bombe është bërë nga një kabinë telefonike në rrugë. Burimet policore sqarojnë se po punohet për identifikimin e personit dhe zonës, nga ku është realizuar kjo telefonatë. “Në drejtim të zbardhjes tërësisht të kësaj çështje nga strukturat e policisë janë shoqëruar 3 persona, të cilëve po ju merren deklarime mbi rrethanat e kësaj ngjarje”, - thotë zëdhënësja e Policisë së Qarkut Tiranë.

Shkurt

Arrestohet, terrorizoi qytetin me plumba në ajër

TIRANË – Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar shtetasin Artan Kola pasi ka prishur rendin dhe qetësinë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ndalimi i 35-vjeçarit Kola u bë pasi ishte lëshuar nga prokuroria Urdhri i Ndalimit në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 18 mars. Sipas tyre, i arrestuari, rreth një muaj më parë, teksa ndodhej në rrugën “Xhorxh Bush”, ka prishur rendin dhe qetësinë publike, duke qëlluar disa herë me armë zjarri në ajër. Shtetasi Artan Kola akuzohet për veprat penale të “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”.

Refuzon gjobën 140 mijë lekë, pranon 28 ditë burg

DURRËS – Nuk ka pasur lekë për të paguar gjobën e vënë nga gjykata, por ka pranuar të kryejë 28 ditë burg. Burimet policore bëjnë të ditur se dy ditë më parë ndaluan shtetasin Hasan Cemenja, pasi më datë 25 shkurt të këtij viti Gjykata e Durrësit e ka dënuar me 140 mijë lekë gjobë për veprën penale të “prishjes së rendit dhe të qetësisë publike”. Që prej datës 26 mars ishte shpallur në kërkim dhe vetëm dy ditë më parë është ndaluar. Sipas konvertimit të gjobës, 61-vjeçarit Cemenja do ti duhet që të vuajë 28 ditë në qeli.

I jep fund jetës me helm 66 vjeçarja

DURRËS – Edhe një e moshuar i ka dhënë fund jetës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 12.00, është dërguar e helmuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë shtetasja B.S., banuese në komunën Manëz të rrethit të Durrësit. Gjendja shëndetësore e kësaj shtetaseje ishte e rëndë dhe rreth orës 17.30 të asaj dite ajo gjeti vdekjen. Policia sqaron se “nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezulton se kemi të bëjmë me një vetëhelmim”. “Vazhdon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale iu dërguan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës”, - thuhet në njoftimin zyrtar.

“Deja Vu” arreston 10 shqiptarë e afrikanë për trafik droge

VERONA – Policia italiane arrestoi dhjetë persona të akuzuar për trafik narkotikësh në Verona gjatë aksionit të koduar me emrin “Deja Vu”. Policia tha se të arrestuarit ishin të moshave të reja të gjithë të lindur pas viteve 80-të. Sipas hetuesve anëtarët e grupit kriminal të arrestuar janë nga Shqipëria dhe Afrika Veriore. “Policia në Verona ka ekzekutuar urdhër-arrestet me në burg për 10 shitës droge. Gjatë hetimeve, agjentët e skuadrave të lëvizshme kanë kapur sasi të ndryshme të drogës si dhe material e mjete të ndryshme që përdoreshin për ndarjen e dozave”, shkruajnë mediat italiane.
Sipas policisë, të arrestuarit kryenin shitjen e drogës në doza personale për një rrjet të gjerë përdoruesish. Hetuesit thanë se në organizatën kriminale e cila funksiononte si një “familje” bënin pjesë italianët në nivele të larta të saj dhe shqiptarët e afrikanët që kryenin kontrabandimin e sasive të mëdha të drogës për furnizim me heroinë dhe kokainë. Organizata kriminale shiste çdo ditë në Verona 700-800 gramë kokainë ose heroinë.

14 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›