E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liri Berisha: “Momentet e bukura dhe te veshtira me bashkeshortin tim”



Zonja Liri Berisha, bashkëshortja e kryeministrit Sali Berisha, e ftuar në emisionin e gazetarit Alfred Peza “Ora e intervistës”, ka folur për autizmin te fëmijët dhe për fondacionin që ajo drejton, “Fëmijët shqiptarë”. Zonja Berisha ka shpjeguar se autizmi është një çrregullim i zhvillimit të fëmijës, i cili e shoqëron atë gjithë jetën, që ka nevojë për një mbështetje të vazhdueshme, mjekësore, edukative, sociale. Ajo, gati prej 5 vitesh kryeson fondacionin “Fëmijët shqiptarë”. Sipas zonjës Berisha, ky fondacion ka për qëllim t’u vijë në ndihmë fëmijëve shqiptarë në nevojë, veçanërisht fëmijëve shqiptarë me nevoja të veçanta. Ajo thotë se në këtë grup problematik të fëmijëve me nevoja të veçanta hyn një grup i caktuar, siç janë talasemikët, shumë të vështirë, hyjnë dhe fëmijët me autizëm. Zonja Berisha thekson se fëmijët me autizëm janë problematikë edhe për shoqërinë shqiptare. Këta fëmijë problematikë janë një problem i madh për shoqëritë e pasura dhe të zhvilluara kudo në botë, pasi këta fëmijë kërkojnë një asistencë të vazhdueshme, asistencë profesionale, të përbashkët, të koordinuar dhe ndoshta gjithë jetën.

Zonja Berisha, pak ditë më parë ju u kthyet nga një udhëtim pune nga Nju Jorku në SHBA. Për ato që nuk kanë qenë shumë të vëmendshëm për detajet e mediave, për çfarë ishte ky udhëtim dhe si shkoi ai?
Ne kishim një ftesë nga organizata më e madhe e autizmit “Autisem Speaks”, në Nju Jork, me rastin e celebrimit të përvjetorit të tretë të Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin. E gjithë ceremonia ishte e organizuar nën kujdestarinë e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Ishte një ceremoni e mbushur me aktivitete mjaft interesante, me mesazhe shumë të rëndësishme nga personalitete, si presidenti Obama, zoti Ban Ki Mun, të cilët po mbështesin këtë iniciativë, këtë ndërgjegjësim të shoqërisë për autizmin, gjë që është një shpresë shumë e madhe për familjet që kanë dhe që vuajnë pasojat e autizmit.

Zonja Berisha, për ata që gjithashtu nuk kanë qenë të vëmendshëm në aktivitetet tuaja, me se merreni, si quhen fondacionet me të cilat ju operoni, qoftë me autizmin, qoftë me elemente të tjera, të cilat ne më pas do t’i shpjegojmë dalëngadalë?

Unë kam prej gati 5 vitesh që kryesoj fondacionin “Fëmijët shqiptarë”. Ky fondacion ka për qëllim t’u vijë në ndihmë fëmijëve shqiptarë në nevojë, veçanërisht fëmijëve shqiptarë me nevoja të veçanta. Në këtë grup problematik të fëmijëve me nevoja të veçanta hyn një grup i caktuar siç janë talasemikët, shumë të vështirë, hyjnë edhe fëmijët me autizëm. Fëmijët me autizëm janë problematik edhe për shoqërinë shqiptare, këta janë fëmijë problematik, është një problem i madh për shoqëritë e pasura dhe të zhvilluara kudo në botë. Pasi këta kërkojnë një asistencë të vazhdueshme, një asistencë profesionale, të përbashkët, të koordinuar dhe ndoshta gjithë jetën. Për këtë, fondacioni “Fëmijët shqiptarë” ngriti një qendër bashkë me miqtë e fondacionit brenda dhe jashtë Shqipërisë, për t’u ardhur në ndihmë familjeve dhe fëmijëve që kanë autizëm. Kjo qendër ka për qëllim ose kryen funksionin e diagnostikimit dhe të trajnimit të fëmijëve me autizëm. Qendra është e pajisur me specialistë të fushave të ndryshme, me psikologë, me mjekë psikiatër, logopedistë, që janë terapistët e të mësuarit të folurit, fizioterapistë, punonjës socialë, të cilët punojnë në mënyrë të organizuar dhe bashkërisht për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve në nevojë.

Si quhet qendra dhe ku ndodhet?
Qendra “Fluturo për jetën” ndodhet në kryqëzimin e rrugës Bardhyl me rrugën “4 dëshmorët”.

Çfarë është autizmi, nëse quhet edhe sëmundje?

Kjo nuk quhet sëmundje. Autizmi është një çrregullim i zhvillimit të fëmijës, i cili e shoqëron atë gjithë jetën, që ka nevojë për një mbështetje të vazhdueshme, mjekësore, edukative, sociale. Pra ka nevojë për një ndërhyrje shumëplanëshe të të gjithë aktorëve, duke filluar që nga strukturat shtetërore, private dhe prindërit, të gjithë bashkë. Unë, duke qenë mjeke pediatre, kur më binte rasti të takohesha me këto fëmijë, kam menduar që këto fëmijë kanë nevojë për një vëmendje krejtësisht të veçantë nga shoqëria. Gjithmonë ka qenë thelbësore të propagandohej nga persona që kanë një ndikim publik, këta të aktivizohen për të treguar se sa e rëndësishme është për shoqërinë shqiptare kthimi i vëmendjes, kthimi i vështrimit ndaj këtyre fëmijëve.

Pra ju po thoni që është një çrregullim i lindur?
Jo, shkaqet nuk dihen, ndoshta prandaj edhe vonesa në diagnostikim ose në ndërgjegjësim ka këtë arsye.

Dy prindërit si mund ta dallojnë te fëmija i tyre autizmin?
Në shumicën e rasteve prindërit janë ata që e kapin këtë çrregullim, kanë atë shqisën prindërore, e cila i bën të dyshojë që diçka nuk shkon me fëmijën e tyre, që diçka nuk shkon, ose që fëmija i tyre ka diçka më pak se moshatari, ose është më ndryshe se sa motra apo vëllai më i rritur. Në këtë rast do të kisha një këshillë. Menjëherë të mos ngurrojnë, të mos e mbajnë përbrenda, por direkt të paraqiten te mjeku, edhe sikur të jetë dyshim.

Kjo shenjë mund të jetë mungesa e përqendrimit ose diçka tjetër?
Nuk do të doja të hyja në detaje të tilla sepse fëmijët me autizëm kanë forma të ndryshme, shenja të ndryshme, por për mua është e rëndësishme vajtja menjëherë te specialisti, për çdo gjë që prindi konstaton te fëmija i tij.

Është i këshillueshëm pediatri apo çdo mjek?
Fillimisht nëna ka kontakt me pediatrin, por ajo është e lirë që të shkojë dhe të takohet me specialistin. E rëndësishme është që të mos e mbajë brengën brenda saj dhe të mos e lërë kohën të iki. Kjo pasi kalimi i kohës është në dëm të fëmijës. Zakonisht kjo diagnostikohet në 18 muajt e parë të jetës. Në rast se kapet në këtë periudhë ka shumë shanse që trajtimi të jetë më i lehtë.

Me siguri ka qenë një moment ku ju jeni njohur dhe me autizmin, ka qenë në kohën kur ju keni qenë studentë në shkollë në fakultet, apo tani vonë?
Ky është një fenomen që kohët e fundit ka filluar të flitet. Në shkollë mund të them që s’e kemi bërë fare ose s’e kam fare të dëgjuar. Autizmi është dëgjuar kur kam filluar punën. Para dy vitesh, kur pyesnim njerëzit se çfarë është autizmi, të gjithë e lidhnin me një sëmundje të veshit. Mendoj se ndërgjegjësimi dhe puna që është bërë këto dy vite është aq e madhe, sa sot mendoj që nuk ka njerëz, nuk ka prind që nuk interesohet për këtë fenomen.

Ju vetë, si ratë në kontakt dhe si vendosët të merreshit me autizmin?
Gjatë jetës sime profesionale jam takuar shpesh me rastet, me fëmijë autikë. Kjo përbënte gjithmonë tek unë një shqetësim të madh se çfarë bëhet me këta fëmijë, si trajtohen, pas trajtimit çfarë ndodh me ta etj. Më vonë, kur mora fondacionin, vendosa t’i përkushtohem me aq sa mund t’i përkushtohesha bashkë me kolegë të tjerë, mjekë specialistë, psikiatër, profesorë të nderuar, psikologë, sociologë, punonjës socialë, në mënyrë që të shikonim se si është e përhapur dhe si paraqitet gjendja te ne për autizmin. Vendosëm të bëjmë Konferencën e parë ndërkombëtare, e cila u zhvillua para dy vitesh në Tiranë me pjesëmarrjen e shumë vendeve dhe një shtysë, ose një mbështetje e jashtëzakonshme për ne ka qenë organizata më e fuqishme në botë “Autisem Speaks”, e cila me pjesëmarrjen e saj në konferencën e parë dhe të dytë që u bë vjet, ka qenë jo vetëm shtysë, por edhe një orientuese dhe shpërndarëse e një modeli bashkëkohor për trajtimin e këtyre fëmijëve. Aty vendosëm të ngremë një qendër. Që të nesërmen e konferencës ne kemi pasur në mënyrë të përditshme vizitorë në qendrën tonë, prindër me fëmijë autikë, të cilët kërkonin ngritjen e qendrës. Atëherë ne vendosëm që para se qendra të ngrihet, të marrim një qendër tjetër dhe të fillojë puna në këtë qendër që është qendra “Fluturo për jetën”. Nuk është bërë akoma 1 vit e punës së kësaj qendre, aty kanë marrë trajtim rreth 200 fëmijë dhe 40 prej tyre marrin terapi intensive.

Keni bërë ju një studim në të gjithë territorin e vendit, në të gjithë popullatën? Ka filluar një lloj, le të themi, listim i rasteve? Kemi të dhëna më të sakta tani se sa e përhapur, si, ku dhe kështu me radhë”

Autizmi është një çrregullim që nuk zgjedh. Mund të kapë këdo, të pasur, të varfër, pa dallim ngjyre, vendi. Në Ministrinë e Shëndetësisë gjenden statistika, po mendoj se statistikat janë të rasteve të paraqitura. Për shkak të stigmës, e cila këto kohë po luftohet dhe ka ndryshime goxha të mëdha, prindërit dhe fëmijët autikë paraqiten vetë. Ata përpara kanë pasur ndrojtje për t’i nxjerrë këta fëmijë, ndiheshin të turpëruar, madje mund t’ju them se ndiheshin si fajtorë që kishin fëmijë me autizëm. Autizmi nuk zgjedh.

Ndërtimi i qendrës së re në Farkë, e cila ka filluar punimet e saj, ka ndonjë emër të veçantë?
Mendoj se kjo qendër do të trajtojë fëmijët autikë, por ndoshta do të trajtojë edhe fëmijët me probleme të tjera të zhvillimit mendor. Kjo qendër do të jetë një qendër ditaktike, do të jetë një qendër që të shpërndajmë modelin e trajtimit bashkëkohor, do të jetë një qendër ku do të merret eksperienca edhe e profesionistëve që do të punojnë me autizmin, por edhe me prindërit që kanë fëmijët me autizëm.

Keni ju një këshillë për prindërit? Ju thatë diçka pak më përpara, por një këshillë më e koncentruar për prindërit, që ata të dallojnë që fëmija e tyre ka shenja, të cilat nuk dinë të japin shpjegime.
Këtu, këshilla kryesore që vlen të përmendet është të mos humbasin kohë. Këta prindër mbajnë barrën më të rëndë në këtë rast, pësojnë traumën më të madhe, por janë po këta prindër që me forcën e tyre, që është po aq e madhe sa ç’është dhe dashuria që kanë për fëmijën, dalin në mbrojtje, dalin në trajtim të fëmijës, bëjnë një rrugë të gjatë me fëmijën e tyre. Kam parë kohën e fundit një organizim të prindërve me fëmijët autikë. E përshëndes dhe e vlerësoj shumë organizimin e tyre. Një zë i vetëm asnjëherë nuk mund të shkojë aty ku duhet, kurse një zë i fuqishëm që vjen nga shumë prindër, me një problem të veçantë siç është autizmi, do të godasë aty ku duhet dhe do të dëgjohet aty ku duhet.

Çfarë duhet të bënin më shumë prindërit, përveç këtij organizimi? Kjo është në formën e sensibilitetit, apo kanë krijuar organizatën e prindërve të fëmijëve autikë e kështu me radhë?
Kohët e fundit kam dëgjuar që kanë krijuar shoqata. Më vjen shumë mirë dhe i përshëndes për këtë. Mendoj që duhet të jenë të organizuara, duhet të jenë një oponencë e fuqishme karshi strukturave shtetërore, duhet të ngrenë zërin e tyre dhe të dinë se çfarë të kërkojnë. Duke qenë bashkë ata janë më të organizuar dhe mënyra e kërkesave për mbështetje është më e organizuar dhe më e pjekur. Por, gjithmonë them dhe e theksoj, që mbështetja për këta persona duhet të jetë e vazhdueshme, duhet të jetë e gjithanshme dhe e përbashkët. Komuniteti është ai që duhet të ndihmojë në mënyrë që të mos krijohen diskriminime dhe disavantazhe për këtë pjesë.
Një prind i një fëmije autik është edhe zoti Edmond Tupja, i cili ka bërë një libër vërtet prekës. Mendoj që është një rast shumë i mirë për të rritur sensibilizimin karshi fenomenit dhe besoj që është edhe kjo një ndihmë për ju, për të gjithë shqetësimin dhe për ata që qëllim që ju i keni dhënë vetes. Dua ta përshëndes profet Tupen për librin mjaft prekës që ka nxjerrë në botim, që është një libër shumë i vlefshëm për dy arsye. E para, për ndërgjegjësimin, për t’u larguar nga ajo stigma e të pasurit turp, ose të ndjerit në siklet se ke një fëmijë të tillë. E dyta, është një libër që u tregon prindërve se sa e gjatë është dhimbja, se si mund të ecet me këtë dhimbje dhe se si mund të shikosh dritë, dhe të nxjerrësh gëzim edhe nga dhimbja. Dua, po ashtu, meqenëse më jepet rasti, të përshëndes këtu edhe të gjithë ata aktorë që morën pjesë në spotin televiziv të datës 2 prill, që u dha në të gjitha televizionet shqiptare, siç ishte rasti i sopranos së mirënjohur Inva Mula, futbollistit të famshëm Lorik Cana, mikut të palodhur të fondacionit tonë, Artan Hoxhës, gazetarit të mirënjohur Blendi Fevziu.

Ju thatë që në Fakultetin e Mjekësisë, kur ishit studente, nuk ka qenë në literaturën të studentëve autizmi. A është pjesë e strategjisë suaj edhe futja e autizmit që në bankat e shkollës?

Ka pak kohë që kjo po studiohet, pasi autizmi nuk është kaq. Unë po flas për kohën kur kam mbaruar shkollën, ka shumë vite, ndërsa tani flitet patjetër, flitet shumë, është në literaturën e Fakultetit të Mjekësisë, bëhen mësime në Universitetin e Infermierisë, në universitetet e sociologjisë dhe të psikologjisë.

Pse i është dhënë kaq pak vëmendje në fakt këtij fenomeni?
Nuk i është dhënë pak vëmendje, por ka qenë një fenomen jo i njohur dhe për Shqipërinë ka ardhur edhe më vonë se vendet e tjera, por mund të them se angazhimi i personaliteteve të rëndësishme botërore, si presidenti Obama, zoti Ban Ki Mun dhe figura të tjera të shoqërisë, të artit, të kulturës, në këtë fushatë, në këtë sensibilizim unë mendoj se krijojmë një shpresë të madhe për këto familje që kanë probleme me fëmijët autikë.

Ju përmendet zotin Obama, i cili në strategjinë e re të shëndetësisë që ai firmosi para pak ditësh në SHBA, çështja e autizmit ishte e treta, pas SIDA-s dhe pas kancerit, për t’u trajtuar dhe financuar. Statistikat tregojnë se 1% e njerëzve në të gjithë botën janë të prekur nga autizmi. Sa vëmendje i kushtohet edhe në këtë drejtim, qoftë nga buxheti, qoftë nga elemente të tjera, që të jetë situata totalisht në kontroll, aq sa mundet?

Mendoj që autizmi është kudo, në çdo vend të botës, si përhapje e njëjtë. Ne vërtet nuk mund të them se kemi statistika të sakta, ne si fondacion po punojmë në mënyrë mjaft të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë për përpilimin e statistikave të reja, po punojmë për hapjen e një biblioteke me libra që do t’u shërbejnë specialistëve, por edhe prindërve. Për këtë ne kemi ndihmën e çmuar të “Autisem Speaks”, të cilët na kanë dhënë të drejtën e përkthimit dhe përdorimit të librave që ata përdorin.
Kjo besoj se do të jetë shumë me vlerë, sepse pas vitit 1990 nevojat tona, përveç të tjerave, kanë qenë edhe për literaturë bashkëkohore, gjë që na ishte mohuar jo vetëm në rastin e autizmit, por edhe në të gjitha fushat.
E rëndësishme që të mos humbasim kohë.

Kush është rruga më e mirë për ta fituar këtë kohë të humbur? Cilat do të jenë hapat e mëtejshëm për të bërë gjënë e duhur?
Është shumë i rëndësishëm vazhdimi, vazhdimi dhe vazhdimi i ndërgjegjësimit të shoqërisë tonë për autizmin. Bashkëpunimi me institucionet e tjera homologe, brenda dhe jashtë vendit. Në vizitën që patëm herën e fundit në Nju Jork, u vlerësua shumë puna e bëra nga fondacioni i “Fëmijët shqiptarë” për autizmin. U vendos që në muajin tetor, nga fundi i vjeshtës, të organizohet një konferencë rajonale ballkanike në Shqipëri, ku fondacioni “Fëmijët shqiptarë” të jetë lider në zhvillimin e kësaj konferencë, por jo vetëm në këtë konferencë, por edhe në atë aktivitetet e tjera që do të zhvillohen në të ardhmen për autizmin.

Në fund të vitit ju zhvilloni një mbrëmje gala. Sa e rëndësishme është kjo? Është si një lloj përmbylljeje për vitin dhe çfarë aktivitetesh të tjera do të kemi?

Fondacioni është jofitimprurës dhe joqeveritar. Të ardhurat e fondacionit krijohen në bazë të aktiviteteve që fondacioni organizon, të mbështetura nga biznesi shqiptar. Galaja është aktiviteti i fundit, i cili organizohet me shumë energji dhe me shumë dashuri nga i gjithë stafi i fondacionit, nga të gjithë aktivistët...

Ju përmendët talasemikët, por edhe grupe të tjera fëmijësh në nevojë. Siç ju kemi parë shpeshherë të merrni pjesë në aktivitetet qoftë në ndihmë të fëmijëve të policëve të vrarë, apo grupeve të tjera shoqërore. Ku shtrihet aktiviteti juaj përveçse autizmit?
Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” i ka degët të shtrira në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Kudo ku ka dhimbje, kudo ku ka probleme të vështira për t’i zgjidhur, ndodhet pranë fondacioni “Fëmijët shqiptarë”. Kemi pasur raste të shumta të fëmijëve që u është dashur të operohen, të bëjnë transplantime, të bëjnë kurime jashtë vendit.

Keni ju një statistikë se sa fëmijë kanë arritur të përfitojnë ndihmë nga aktiviteti juaj?
Nga aktiviteti kanë përfituar shumë fëmijë, fëmijë në nevoja shëndetësore, që janë të shumta, qoftë operacione, qoftë në mjekime, kanë përfituar ndihmë familjet me ekonomi të varfër, kanë përfituar fëmijët jetimë, fëmijët e policëve të vrarë, kemi mbi 100 raste të fëmijëve jetimë, të cilët vazhdojnë shkollën në sajë të bashkëpunimit të fondacionit shqiptar me universitetet private.

Ju kemi parë aktivë në këtë periudhë kur ishin përmbytjet në Veri...
Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Teatrin e Operas dhe Baletit, organizuam mbledhjen e një ndihme të konsiderueshme për ta përdorur një nga fshatrat e mbytura të Veriut, ndoshta mund të përdoret për ngritjen e një shkolle që mungon, ose për ngritjen e një qendre shëndetësore, ajo që do të jetë më e domosdoshme për fshatin.

Ju përmendët si aktivitet të fondacionit tuaj edhe çështjen e talasemisë. Ndoshta ia vlen të ndalojmë pak te çështje?
Edhe ky është një problem mjaft aktual. Fondacioni ka qenë gjithmonë aktiv në drejtim të këtij fenomeni. Para tre vitesh fondacioni, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë kanë ngritur qendrën e talasemisë, një qendër të madhe për problemet e sëmundjet e gjakut në Lushnjë, për t’i ardhur në ndihmë pikërisht kësaj zone, zonës së Jugut, zonave që janë të prekura nga ky fenomen. Qendra është e pajisur me laboratorë mjaft modernë. Fondacioni “Fëmijët shqiptarë” ka disa kohë që në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Arsimit, me Qendrën e Konservimit të Gjakut, sensibilizon, ndërgjegjëson për dhurimin e gjakut nga e gjithë popullata. Në rast se këto fëmijë do të marrin gjak në mënyrë të vazhdueshme, jeta e tyre mund të konsiderohet, mund të bëjë një jetë normale.

Në këtë aktivitet tuajin për fondacionin “Fëmijët shqiptarë”, sa kohë i kushtoni dhe çfarë projektesh afatgjata keni?
Koha që unë shpenzoj në fondacion është një kohë që më kënaq, e bëj me shumë dëshirë. Është një kohë që po të jetë dita më e gjatë, do të thosha që përsëri do të kaloja nga fondacioni. Puna që bëj është një përmbushje e atij qëllimi që fondacioni ka, të bëjmë diçka për fëmijët në nevojë, kushdo që ka mundësi, duhet të bëjë diçka për fëmijët në nevojë.

Aktiviteti juaj shtrihet edhe në një sferë tjetër, sigurisht po aq e rëndësishme edhe kjo, sepse drejton fondacionin “Nënë Tereza”. Pse ky fondacion dhe çfarë qëllimesh ka?
Ky fondacion u ngrit përpara dy viteve, u ngrit për të promovuar vlerat e Shqipërisë, vlerat e vendit, për të promovuar virtytet e popullit tonë. Më bukur, më mirë se sa emri i Nënë Terezës nuk mund të kishte si simbolikë e këtij fondacioni. Ky fondacion ka disa objektiva, një ndër të ta është të ndihmojë në ngritjen e muzeut të Nënë Terezës, duke kontribuar në mbledhjen dhe përzgjedhjen e koleksionimit të objekteve që mund të gjenden të përdorura nga Nënë Tereza apo nga familja e saj, të organizojë konferenca, të organizojë simpoziume, të ketë lidhje me institucione homologe brenda dhe jashtë vendit. Me rastin e 100-vjetorit të ditëlindjes së saj, fondacioni ka organizuar dhe do të organizojë mjaft aktivitete. Një aktivitet që është shumë i rëndësishëm do të realizohet në fund të muajit me hapjen e dy ekspozitave në Uashington dhe në Nju Jork. Rëndësia është se dy këto ekspozita bëhen në bashkëpunim të fondacioni “Nënë Tereza”, me miqtë e Nënë Terezës në Nju Jork dhe në Uashington. E rëndësishme është se hapja e këtyre dy ekspozitave... Është një histori e përbashkët, etnografike, historike, me objekte të familjes, me objekte të Nënë Terezës, e rëndësishme është që kjo ekspozitë do të hapet në një nga sallat e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, dhe në një nga sallat e Kongresit Amerikan në Uashington.

Fondacioni “Nënë Tereza”, me sa dimë ne, nuk e ka shtrirë aktivitetin në Tiranë. Si funksion ky fondacion, ku është i shtrirë nga pikëpamja gjeografike, anëtarësia e tij dhe kështu me radhë?
Ky fondacion ka dy vite që funksionon, ka ngritur degët e tij në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Mund t’ju them që anëtarësimi deri tani ka arritur tek tre mijë anëtarë. Do të doja të bëja një thirrje, që kushdo që ka objekte të Nënë Terezës, kushdo që ka materiale që lidhen me jetën e Nënë Terezës, do të ishte mirë t’i grumbullonte dhe t’i sillte në Tiranë, në muzeun që mundohet të hapet. Nënë Tereza është një figurë me përmasa shumë të mëdha, është një figurë që ka falur dashuri dhe mirësi të gjithë botës, të gjithë duan ta bëjnë pjesë të saj, por edhe njëherë them është shumë e rëndësishme kushdo që ka materiale, kushdo që ka dokumente të lidhura me jetën e Nënë Terezës, ose me familjen, ose me vetë Nënë Terezën, është shumë mirë t’i dorëzojë për muzeun.

Pra, për ta mbyllur këtë pjesë të intervistës sonë, ju drejtoni dy fondacione, fondacionin “Fëmijët shqiptarë” dhe “Nënë Tereza”. Si qëndrojnë këto të dyja brenda jush, keni ndonjë preferencë, apo të dyja janë me balancë me njëra-tjetrën?
Më duket sikur këto janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, Nënë Tereza ka qenë mishërimi i dashurisë, mirësisë, përkushtimit, fondacioni “Fëmijët shqiptarë” punon pikërisht për këta fëmijë, të cilët kanë nevojë, kërkojnë mbështetje, kërkojnë përkushtim, më duket sikur janë të lidhura bashkë dhe nuk mund se njeri është më lart se sa tjetri.

Ju si bashkëshorte e kryeministrit të Shqipërisë, përveç aktiviteteve që drejtoni, keni edhe një aktivitet, pasi protokolli zyrtar, por jo vetëm, ju dikton ju që të jeni shpesh edhe në takime, në pritje, në udhëtime. Si e përballoni dhe çfarë kohe ju ha kjo pjesë e aktivitetit?
Ky status është një dimension që pa dyshim që krijon një përgjegjësi, i cili, pas atij angazhimi protokollar në mënyrë të natyrshme lind edhe angazhimi tjetër social, të cilin unë e bëj me shumë përkushtim dhe me shumë dëshirë. Ka kohë që jam vërtet tepër e angazhuar. Unë mendoj se kam fituar një farë eksperience për ta menaxhuar këtë mënyrë pune. Kohën të madhe ia përkushtoj fondacionit. Dita fillohet me një kafe bashkë me fëmijët, kur jepet mundësia, pastaj fillon puna në fondacion, e cila ka raste që vazhdon edhe pasdite. Mundohem të mos lë mënjanë shoqërinë time, të takohem shpesh me ta, të ndjek jetën artistike, si ekspozitat e librit, të pikturës, operën, baletin, që për fat të mirë këto kohë Tirana i ka mjaft të rigjallëruara. Aktiviteti është mjaft i ndjeshëm, koha të cilën mezi e pres dhe nuk lejoj të cenohet është koha që harxhoj me fëmijët, me mbesat dhe me nipërit, të cilët kanë angazhime të ndryshme.

Si qëndrojnë të gjitha këto funksione në harmoni me njëra-tjetrën brenda jush?
Jam munduar që të menaxhoj në mënyrë të ekuilibruar kohën për familjen, për fondacionin “Fëmijët shqiptarë”, fondacionin kulturor “Nënë Tereza”, për protokollin, është e vështirë, por thashë edhe njëherë që kam krijuar një far ekuilibri në menaxhimin e këtyre aktiviteteve.
Pra jeni në harmoni të plotë me veten dhe të gjitha funksionet?
Dua të them këtë që aktivitetet protokollare vërtetë zënë kohën e tyre, por nuk mund të mohoj faktin që këto aktivitete nuk kanë bërë të mundur të zhvillojë, ose të kryejë dhe aktivitete të tjera në dobi të fondacionit “Fëmijët shqiptarë” si rezultat i lidhjeve që bëj me njerëzit brenda dhe jashtë vendit, si rezultat i statusit, domethënë ka qenë një lehtësi për kryer shumë aktivitete.

Është një shprehje e njohur që thotë që prapa çdo burri të suksesshëm dhe Sali Berisha është një politikanët më të suksesshëm të këtyre 20 viteve, ashtu siç ka qenë edhe një nga mjekët e suksesshëm deri në vitin 1990 në Shqipëri, qëndron një grua e zgjuar edhe e fortë. Ju në këtë udhëtim tuajin 20-vjeçar të pjesës politike të bashkëshortit tuaj, kush kanë qenë disa nga ato momentet më të bukura dhe të vështira që kujtoni veçanërisht?
Deri në vitin 1990 kam qenë një mjeke pediatre e përkushtuar për pacientët e mi të vegjël të zonës që mbuloja. Pas viteve ’90 sigurisht që jeta ime u bë më e larmishme, kishte mjaft ndryshime, ndryshime të cilat mund të them që më kanë ndryshuar edhe mua në drejtim të vlerësimit të problemeve, në drejtim të raportit me njerëzit, në drejtim të mësimit të shumë gjërave të reja.

Ju thatë që e kujtoni po me aq nostalgji edhe periudhën që keni qenë pediatre?
Ka qenë periudha më e bukur, ka qenë periudhë që e kam dashur shumë profesionin tim, kam gjetur çlodhjen, gëzimin, mundimin, kënaqësinë e jetës sime në profesion, ka qenë vërtetë, tani e kujtoj me shumë nostalgji, pasi kam gati një vit që jam shkëputur nga ky profesion.

Kush janë momentet më të bukura që ju kujtoni këtyre 20 viteve gjatë bashkëshortit tuaj politikan?

Gjatë këtyre viteve kam pasur momente vërtetë të bukura gjatë, ka pasur dhe momente të vështira. Ndër momentet e vështira do të përmendja atë që ka qenë vështirësi për të gjithë shqiptarët, viti 1997. Ndërsa momentet e bukura kam pasur fatin të jem dëshmitare në realizimin e shumë evenimenteve të cilat ngelën në jetë të skalitura, siç është ndërrimi i sistemit, është pavarësia e Kosovës, hyrja në NATO, MSA, në Këshillin e Evropës. Domethënë janë evenimente të cilat të krijojnë emocione të pashlyeshme, janë emocione të cilat nuk mund të shlyhen nga jeta e një njeriu.

Ka një përjetim publik, pasi zoti Berisha, qoftë në ndërrimin e sistemeve, ka qenë protagonist absolut për rikthimin e pluralizmit politik në Shqipëri, qoftë për fitoren e parë Partia Demokratike, por edhe të gjithë ato evenimente që ju thatë. Në shtëpi ka një ndryshim në përjetimin e këtyre emocioneve nga ai përjetim publik që bëhet, që është i përcjellë përmes pamjeve filmike nga
zoti Berisha, apo është i njëjtë ky gëzim. Ka një përjetim ndryshe?

Po sigurisht. Pa dyshim që çdo vend politik kur diskutohet në shtëpinë e një politikani është gjithmonë më prezent, diskutohet, përjetohet.
Vazhdojnë dhe bisedat politike.
Sigurisht në shtëpinë e një politikani diskutohen dhe probleme të tjera, diskutohen probleme familjare, diskutohen shqetësime të ndryshme, por politika është prezente, nuk shmanget dot.

Duke qenë se bisedat politike tuaja nuk janë të ndara nga jeta familjare, madje besoj se nuk dihet ku fillon njëra dhe mbaron tjetra, dhe anasjelltas, për shkak të një angazhimi kaq të madh. Çfarë e ka gëzuar më shumë Sali Berishën nga arritjet e tija politike gjatë këtyre 20 viteve?

Ka pasur arritje të cilat nuk janë një, por janë disa. Pluralizmi ka qenë një arritje që e ka gëzuar, një nga arritjet më emocionantet që e kemi përjetuar ndoshta edhe familjarisht shumë më tepër ka qenë pavarësia e Kosovës, hyrja në NATO, dëshira e madhe për në BE, liberalizimi i vizave, MSA-ja, po ato që përmenda pak më lart për veten time.

Zoti Berisha ka lënë të kuptohet publikisht disa herë që vetëm zoti mund ta largojë nga politika, në kuptimin që jeta e tij tashmë dhe destimi i tij në jetë është politika, deri në fund. Madje ka thënë edhe që 30 vite të tjera do të jetë në politikë. A keni ju një dëshirë që në një moment të caktuar që pasi të arrijë ndoshta edhe ëndrrat e tij më të mëdha në politikë të thuhet stop dhe ju të vazhdoni jetën tuaj jashtë politikës, gjithsesi me të gjithë ato arritje dhe mosarritje?
Politika është një mision dhe pasion për Sali Berishën. Këtë pyetje nuk ia bëj vetes sime, kështu që atij nuk ia bëj kurrë. Politika është një mision dhe pasion i tij, nuk mund të mendosh që t’i heqësh Berishës misionin dhe pasionin e tij, e mbështes në të gjitha mendimet dhe veprimet e tij.

Ju e keni mbështetur në të gjitha zgjidhjet e vështira që i duhet një bashkëshorti të marrë në jetë. Për shembull, ndërrimi i profesionit nga mjek në politikan, apo edhe në këtë vendim për të vazhduar deri në fund qenien e tij në politikë?

Ne diskutojmë çdo problem familjar, çdo shqetësim familjar, por edhe shqetësime të tjera ndahen së bashku. Sigurisht që e kam mbështetur në të gjitha vendimet që ai ka marrë në politikë, në profesion, kemi pasur rrugë të përbashkët dhe kemi qenë mbështetje e njëri-tjetrit.
Thuhet që shpesh që politikanët që përveç këshilltarëve, që përveç stafeve të tyre, për shkak edhe se janë qenie familjare, konsultohen edhe me familjarët e tyre, kjo është krejt normale.

Gjatë fushatave elektorale, unë kam pasur t’ju takoj nëpër Shqipëri, ku ju keni qenë bashkë me kryeministrin, bashkë me zotin Berisha. E ndiqni gjithmonë në fushatë elektorale, apo ndodh që e ndiqni edhe nga ekranet e medieve, nga televizorët, nga gazetat?

E kam ndjekur në pothuajse në të gjitha fushatat elektorale, mund të them që jam pjesë e çdo fushate elektorale. Unë bëj pjesë aktive në fushatën elektorale. Në të gjitha fushatat elektorale kam qenë prezente dhe fushatës elektorale.

Duhet të jeni më prezente sepse politikani Berisha në këtë periudhë është edhe më shumë i angazhuar, dhe më i stresuar, ka më shumë nevojë për kujdes. Keni bërë publike kështu një element që ju nuk jeni shprehur dhe gjithmonë e kam menduar që një pjesë e suksesit ka qenë edhe prania juaj pranë Kryeministrit?
Nuk mund të them që pjesë e suksesit në fushatë ka qenë Liri Berisha, por ka qenë pjesë e fushatës elektorale.

Do të doja të kaloja në një pjesë tjetër. Sa rëndësi i kushtoni pamjes suaj të jashtme?
Është shumë e rëndësishme për një grua të ketë një luk të pranueshëm, përpara vetes, përpara familjes, përpara shoqërisë, është mjaft e rëndësishme që lukun ta paraqesë brenda një kornize sa mirë. Por, duke u bërë person publik, mendoj që përkujdesja shtohet akoma edhe më tepër. Për sa i përket veshjes, ne kemi qenë ai brez që nuk kemi pasur veshje firmato apo bizhu, kemi qenë brezi që kemi dëshiruar, por që nuk i kemi pasur. Megjithatë në veshjen time kam krijuar stilin tim, vishem me atë që më pëlqen dhe më shkon, mundohem të jem e pranueshme për të gjitha shtresat shoqërore që ka vendi. Pasi e di që në veshjen time, duke qenë një njeri publik, nuk jam vetëm më vetëm Liri Berisha, por përfaqësoj të gjitha këto shtresa që shoqëria ka.

Duke u kujdesur për lukun tuaj thatë që keni një stil tuajin, ai vihet re lehtësisht tek pjesa zyrtare të paktën, që është stili klasik. Keni një ndarje, gjatë kohës që jeni në publik dhe në angazhimet publike, me veshjen jashtë angazhimeve publike, në fundjavë?

Sigurisht që në momente të veçanta duhen veshje të veçanta. Jo vetëm pushimi, aktiviteti jashtë politikës, por edhe takimet jashtë të kërkojnë një paraqitje krejt tjetër. Mundohem të jem e kujdesshme në këtë drejtim, të jem sa më korrekte dhe sa më brenda kornizës.

A ka qenë një moment i veçantë, ku realisht mund të jeni shqetësuar për të qenë në lartësinë e duhur, për ta përfaqësuar Shqipërinë nëpërmjet të qenit gruaja e kryeministrit të këtij vendi në një takim të veçantë me zonjën Bush, ose me dikë tjetër. Kujtoni diçka të tillë?

Nuk mund të them në takime me këto zonjat. Por, në fillimet e para, kur Saliu ishte President dhe Shqipëria doli nga një varfëri, sigurisht që më shqetësonte mënyra e zgjedhjes të veshjes sime kur dilja jashtë. Por nuk them se më ka shqetësuar shumë, sepse gjithmonë brenda një kuadri jam munduar të paraqitem sa më thjeshtë dhe sa më pranueshëm. Nuk më ka shqetësuar shumë problemi i firmatos, ai është i domosdoshëm në disa raste.

Kam dëgjuar komente të tilla qoftë edhe nga bashkëshortja ime që çfarë firme do të jetë kjo, çfarë parfumi përdor zonja Berisha, ose këpucët, siç kanë qejf gratë deri tek detajet e imta. Keni ju firma të veçanta?

Sigurisht që më pëlqejnë firmatot, por nuk them se në gardërobën time kam shumë të tilla. Pasi, edhe daljet e mia publike janë të shpeshta. Unë mundohem të marr atë që më pëlqen edhe ato që më shkojnë. Për sa i përket parfumit, nuk më pëlqen ta ndryshoj. Bizhutë janë ato që më pëlqejnë, por shpeshherë e shoh veten time jashtë shtëpisë pa bizhu, i harroj t’i vë, si rezultat ndoshta i refleksit të asaj kohe në rini, kur donim t’i kishim dhe s’mund t’i kishim. Tregoj kujdes për lukun, nuk bëj ndonjë grim të veçantë.

Keni ndonjë stilist të veçantë, ndonjë linjë?
Jo, mjafton të më pëlqejë dhe të jetë në shijen time.

Sa e vështirë ose e lehtë është të jesh gruaja e Kryeministrit të Shqipërisë?
Thashë, është një status që të jep një farë përgjegjësie, duhet të jesh i angazhuar në aktivitetet protokollare. Duhet të menaxhosh mirë me kohën, duhet të jesh e kujdesshme, nuk e ke atë lirinë, ke një privim të lirisë, pavarësisht se thua se jam e lirë. Por, të qënurit një person publik më ka ndihmuar për të zgjidhur edhe shumë probleme, të cilat unë kam dashur t’i zgjidh, lidhur me fondacionin, lidhur me problemet e fëmijëve në nevojë.

Pluralizmi është rotacion, mund të jeni gruaja e kryeministrit sot, mund të jeni gruaja e opozitës nesër, do ta vazhdoni aktivitetin tuaj dhe a mendoni se mbështetja juaj do të jetë e njëjtë për fondacionin tuaj?

Angazhimi do të jetë i njëjtë, gjithmonë do të përpiqem të bëj çfarë të kem mundësi për fëmijët në nevojë. Unë mund të them që mbështetësit kryesore kanë qenë biznesi. Biznesi ka qenë një mbështetje mjaft e madhe për realizimin shumë e shumë problemeve të fëmijëve në nevojë.
Si bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë, si një nënë, si një grua, edhe si mjeke pediatre, a keni ju një këshillë për vajzat e reja, për nënat e reja?

Do të thosha që jeta është e larmishme, ka të mirat dhe vështirësitë e saj. Këshilla që do të jepja në këtë rast është që përpara vështirësive të mos rrëzohen, të mos humbasin. Vështirësi kalojnë të gjithë njerëzit, nuk janë vetëm dhe pas çdo vështirësie do të ndihen më të forta dhe më të fuqishme për ta përballuar dhe për të ecur përpara. Si nënë dhe pediatre, këshilla ndoshta do të ishte në drejtim të familjes. Duhet t’i kuptojmë mirë fëmijët tanë në moshat që ata kanë, në shoqërinë që ata jetojnë, duhet të mbështeten shumë dhe të besojnë shumë tek familja, pasi po të bëjnë një gjë të tillë do të jenë më të qeta, më të forta, do të kenë më pak lot, do të jenë më të suksesshme si nëna dhe si gra. Si pediatre ndoshta këshilla që do të jepja, do të ishte për nënat e reja më shumë. Të jenë shumë më të vëmendshme për çdo ndryshim jo të zakontë që japin fëmijët, shumë të vëmendshme në drejtim të zhvillimit psikomotorr të fëmijës dhe jo kaq shumë në drejtim të ushqyerjes me zor apo të përqendrimit të vëmendjes tek ushqyerja e fëmijës. Të dyja duhet të shkojnë paralel dhe jo të zhvendoset kujdesi i prindërit vetëm tek ushqyerja. Ushqyerja dhe zhvillimi psikomotorr duhet të lidhen bashkë. Çdo nënë duhet të jetë tepër e vëmendshme që shikon tek fëmija.

Zonja Berisha, meqënëse jemi tek pjesa e këshillave, kush do të ishte një e tillë për gratë e politikanëve të rinj?
Për këto zonja mendoj t’u drejtohem, që të mbështesin patjetër bashkëshortët e tyre në punën që ata kanë nisur, të mbajnë sa më larg fëmijëve dhe familjes emocionet politike.

14 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›