E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti për sigurinë, SHBA-Rusi nënshkruajnë marrëveshjen për plutoniumin



Blerina Olldashi

Samiti i Uashingtonit ka përfunduar me nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme ndërmjet Shtetet e Bashkuara dhe Rusisë për reduktimin e arsenalit të armatimit me shkallë plutoniumi. Protokolli u nënshkrua nga sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton dhe ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov. Në këtë takim të rëndësishëm, disa nga vendet prezantuan strategji lidhur me sigurinë ndërkombëtare. Kështu brenda katër viteve të ardhshme materiali bërthamor do të mbrohet nga terroristët. Në Uashington fjala nuk është për përcaktim faji, por për një lloj inventari. Megjithatë sipas këshilltarit të Obamës për luftën kundër terrorizmit një gjë është fare e qartë: “Janë disa vende që këtë material duhet ta mbrojnë më mirë në mënyrë që terroristët të mos shfrytëzojnë dobësitë e tyre”.
Ka mjaft informacione se organizata terroriste si Al Kaida, synojnë të fusin në duar material nuklear. Por Shtëpia e Bardhë nuk beson se Al Kaida është në gjendje që tani të prodhojë armë bërthamore. Në shumë raunde diskutimesh duhet të sqarohet se cilat vende kanë nevojë për ndihmë dhe cilat shtete mund të ofrojnë këtë ndihmë. Në fund të samitit u bënë edhe deklarata detyruese për vendet e veçanta dhe një agjendë për hapat e ardhshëm.
Propozimet
Holanda nga ana e saj ka dalë me një propozim konkret. Ajo ka kërkuar ngritjen e një gjykate të posaçme për të luftuar terrorizmin bërthamor. Një tribunal i tillë, sipas kryeministrit të Holandës, Jan Peter Balkenende do të nxirrte në bankën e drejtësisë ato shtete që u kanë mundësuar terroristëve të shtjenë në dorë material bërthamor. Presidenti amerikan ka reaguar pozitivisht ndaj këtij propozimi, bën të ditur qeveria holandeze. Më parë, në hapje të samitit për sigurinë bërthamore, presidenti amerikan Barak Obama bëri thirrje për hapa specifikë dhe konkretë për të mbrojtur materialin bërthamor që të mos bjerë në duar të terroristëve. Kancelarja gjermane Angela Merkel, kërkoi që të flitej edhe për sigurimin e materialit të dobët radioaktiv, me të cilin mund të prodhohen të ashtuquajturat bomba të papastra. Ndërkohë, Presidenti i Ukrainës Viktor Janukoviç, deklaroi gjatë një takimi me homologun e tij amerikan Barak Obama, se deri në vitin 2012 e tërë sasia e uranit shumë të pasuruar në ish-Republikën Sovjetike do të kthehet në të padëmshme. Në ditën e parë të këtij tubimi, Ukraina shpalli se do të lirohet nga arsenali i uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë, deri në vitin 2012. Në këtë samit morën pjesë 42 vende, me qëllimin e vetëm për siguri ndërkombëtare dhe marrjen e masave parandaluese ndaj armëve bërthamore.

Prishtina zyrtare: GJND-ja ka ndikuar te njohjet

Mbretëria e Suazilandit është shteti i fundit që ka bërë njohjen formale të Republikës së Kosovës, duke rritur numrin e njohjeve në 66. Ministria e Jashtme në Prishtinë njoftoi se ambasada e Kosovës në Londër ka marrë notë verbale nga ambasada e Suazilandit në Kuvajt, ku thuhet se Suazilandi e ka njohur Kosovën. Zyrtarët në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) kanë thënë se këto ditë mund të ketë shtim të numrit të njohjeve ndërkombëtare për Kosovën. Albana Beqiri, zëdhënëse në këtë ministri, konfirmon se nga kontaktet e vazhdueshme që MPJ ka me përfaqësuesit e shteteve të ndryshme, por edhe me ambasadorët e Kosovës, ka sinjale për njohje të reja. Por, siç thotë ajo, procesi i Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka bërë që të ketë vonesa në këtë drejtim. “GJND-ja ka ndikuar në stagnimin, ta quaj kështu, të njohjeve. Është një fakt, të cilin ne e kemi potencuar edhe më herët dhe e kemi pranuar vazhdimisht. Është një numër shtetesh, që pret opinionin këshillëdhënës për të marrë vendimin”. Por, përfaqësues të partive opozitare dhe analistë për çështje politike vazhdimisht kritikojnë institucionet, përkatësisht Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke thënë se kjo ministri nuk ka një strategji të duhur për lobim.

Hagë, Karaxhiç përballet me dëshmitarët në gjyq

Rifillon në Hagë procesi gjyqësor ndaj ish-udhëheqësit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç. Ai u përball me dëshmitarë të palës paditëse për herë të parë. Karaxhiç është nën akuzën për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë në vitet 1990. Dëshmitari i parë është Ahmet Zulic, që ishte i burgosur në një kamp serb. Ai ka qenë dëshmitar edhe tre herë të tjera më parë duke përfshirë edhe procesin gjyqësor ndaj Slobodan Milosheviçit. Dëshmia e Zuliç zgjati rreth një orë dhe më pas atij iu drejtuan pyetje nga Karaxhiç. Megjithëse Karaxhiç ka thënë se do të vetëmbrohet, Gjykata e Hagës për ish Jugosllavinë ka urdhëruar avokatin Richard Harvey të jetë i pranishëm në proces.

Kirgistan, presidenti Bakijev ofron të japë dorëheqjen me kushte

Presidenti i Kirgistanit, Kurmanbek Bakijev, ka bërë të ditur se është gati të japë dorëheqjen nëse garantohet siguria për të dhe familjen e tij si dhe nëse qeveria e përkohshme e vetëshpallur ndalon derdhjen e gjakut në vendin e tij. Duke folur nga qyteti jugor i Jalalabad-it, zoti Bakijev tha se dëshironte të mbante bisedime me kreun e qeverisë së përkohshme, Roza Otunbayeva. Njoftimi i tij erdhi disa orë pasi qeveria e përkohshme i hoqi atij imunitetin presidencial dhe tha se do të dërgonte forca për ta arrestuar atë, nëse ai nuk dorëzohej deri në fund të ditës.
Zoti Bakijev shkoi në Kirgistanin jugor javën e kaluar pasi një kryengritje kundër tij dhe qeverisë së tij la më shumë se 80 të vdekur.

Rusi, identifikohen gjysma e viktimave të aksidentit ajror

Ministrja e shëndetësisë e Rusisë, Tatjana Golikova, tha se pothuajse gjysma e 96 trupave të pajetë nga rrëzimi i aeroplanit presidencial polak, janë identifikuar. Prej ditës së djeshme, trupi i pajetë i presidentit të Polonisë, Leh Kaçinski, u ekspozua në Varshavë, në mënyrë që njerëzit të mund i bëjnë nderimin e fundit. Trupi i tij ishte i pari që ishte identifikuar. Ministrja Golikova tha se trupi i bashkëshortes së presidentit të ndjerë, Maria Kaçinski, e cila po ashtu humbi jetën në rrëzimin e aeroplanit polak afër qytetit Smolensk në pjesën perëndimore të Rusisë, u kthye gjatë ditës së djeshme në Poloni. Pritet që i ndjeri Kazinski të varroset të shtunën.

14 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›