Qeveria ndryshon tarifën e shërbimit duke rritur vlerën monetare
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme kalimin e pronësisë së parcelave ndërtimore nga shteti tek poseduesit e objekteve informale për mbi 5 mijë familje në të gjithë Shqipërinë. Në vendimin e miratuar dje nga qeveria trajtohen 4102 parcela ndertimore, si dhe shtesa pallatesh me një sipërfaqe totale prej 1 132 763.18 m².
Familjet që përfitojnë nga ky vendim banojnë në qytete të ndryshme të vendit, në Tiranë, Durrës, Fier, Vlore, Berat, Kukës, Shkodër, Elbasan etj. Gjithashtu këshilli i ministrave miratoi dhe vendimin për “për përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit për legalizim dhe mbledhjen e administrimin e të ardhurave të procesit të legalizimit”.
Ndryshimet kanë të bëjnë me ripërcaktimin e rregullave të mbledhjes dhe administrimit të vlerës së parcelës ndërtimore, me përfshirjen e bonove të privatizimit në shlyerjen e pagesës së parcelës ndërtimore të objektit pa leje.
Tarifa
Në bazë të vendimit të qeverisë ndryshon masa financiare e tarifës së shërbimit. Kjo tarifë më parë ka pasur vlerën e 4 mijë lekëve të reja për të gjithë objektin pa leje. Ndërsa në bazë të vendimit të ri qytetari duhet të paguaj 4 mijë lekë të reja për çdo kat të ndërtuar pa leje. “Tarifa e shërbimit për legalizimin e objekteve pa leje / shtesave informale në ndërtime me leje, është në vlerën 4 000 (katër mijë) lekë, për çdo kat të objektit pa leje / shtesës informale në ndërtime me leje”, shkruhet në vendim. Më pas vendimi parashikon që pagesa e parcelës ndërtimore, për objektet informale me destinacion social-ekonomik dhe shtesat informale në ndërtime me leje, do të bëhet vetëm në lekë, në vlerë të plotë monetare. Për objektet informale, me destinacion banimi apo të përzier, (banim dhe social-ekonomik), pagesa e vlerës së parcelës mund të bëhet në lekë, në vlerë të plotë monetare, dhe/ose me bono privatizimi. Në rastin kur pagesa kryhet me bono privatizimi, ajo duhet të paraprihet nga depozitimi i kërkesës me shkrim, të poseduesit të ndërtimit informal, pranë drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t, ku të përcaktohet përqindja e pagesës me bono privatizimi. Në vendim parashikohet se sanksionet pёr subjektet ose shoqёritё ndёrtuese qё kanё kryer shtesa anёsore ose shtesa nё kate, pёr qёllim kalimi pronёsie ose qiradhёnieje, llogariten nga ALUIZNI, në përputhje me përcaktimet dhe përqindjet e pёrcaktuara. Për shtesat informale (anësore apo në lartësi), të ngritura në territore (zona) ku nuk ka çmim minimal fiskal, të përcaktuar në përputhje me pikën 2, të nenit 43, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, çmimi minimal fiskal do të llogaritet si mesatare aritmetike e çmimit të zonave me të cilat ky territor (zonë), kufizohet. Likuidimi i penaliteteve do të bëhet për llogari të njësive të qeverisjes vendore brenda 30 ditësh nga pajisja me formularin e penaliteteve për legalizimin e shtesave informale të subjektit ndërtues. Pёr subjektet ose shoqёritё ndёrtuese tё cilat kanё paguar sanksione tё mёparshme pёr shkelje tё lejes sё ndёrtimit, nga vlera totale e sanksioneve do të zbritet vlera e paguar më parë.
14 Prill 2010