Josip Kuzhe: E detyruam K. Ronaldon të zvarritej
Jetmir Halilaj
Pak sekonda e kanë ndarë Josip Kuzhen nga sensacioni më i madh i ditës së shtunë të eliminatoreve për Botërorin 2010. Ai me Kombëtaren e Shqipërisë e pati një pikë në dorë. Mirëpo, për fatin e keq të tij vendosi goli i Bruno Alveshit i shënuar në minutën e tretë të kohës shtesë. Kështu ka komentuar gazeta kroate “Veçernji list” performancën e trajnerit kroat në debutimin e tij në krye të kuqezinjve. Shqipëria është mposhtur me rezultatin 2-1 në “Qemal Stafa”. “Dëm i madh, e kemi merituar një pikë. Kemi luajtur befasisht shumë mirë, ndërsa rezultatin e vendosi një gabim i portierit tonë, i cili i dha mundësinë portugezit të shënonte. Në ato momente gati e tërë skuadra e Portugalisë ishte në 16-metërshin tonë, kanë sulmuar me të gjitha forcat dhe këtë presion ne nuk arritëm ta përballojmë si duhet”, ka thënë Kuzhe, trajneri që ka pak ditë që ka nisur punën në Shqipëri. Kroati i ka pritur me dashamirësi reagimet e publikut dhe mediave në Tiranë, përfshirë edhe ato nga presidenti i FSHF-së, Armando Duka. “Të gjithë janë falënderues, ngase e merituam atë pikë. Jemi të bindur se te rezultati 1-1 nuk na është dhënë një penallti e pastër. Aty ishte edhe Oto Bariç. Ishte me shumë rëndësi mbështetja e tij, ai vlerësohet shumë në Shqipëri”, ka vijuar Kuzhe. Kuzhe nuk ka mundur të mos komentojë ato që kolegu i tij te Portugalia, Karlos Keiroz, kishte thënë për të dhe lojtarë shqiptarë, dy ditë para takimit. “Portugezët ishin të motivuar dhe të vendosur. Para ndeshjes trajneri i tyre Keiroz ka thënë se nuk do të donte të ishte në dorën e trajnerit të Shqipërisë, pasi portugezët e shihnin këtë ndeshje si shansin e fundit. Kjo u duk në fushën e lojës, madje edhe Kristiano Ronaldo u detyrua të zvarritej shpesh. Kjo dëshmon se sa e dëshironin ata fitoren”, ka deklaruar Kuzhe. Gazeta kroate nuk ka harruar ta pyesë trajnerin nëse në skuadrën kuqezi kishte lojtarë për Dinamon. “Ka, ka, por për këtë nuk mund të flas pasi mund të më shpallin menaxher. Pranë meje është Xhemal Mustedanagiç, dikur agjent i Dinamos, le t’u tregojë ai”, është shprehur Kuzhe me humor. Shqipëria në pesë takimet e fundit, para ardhjes së Kuzhes jo që nuk ka fituar, po ka dështuar edhe të shënojë të paktën gol. Shterpësinë e sulmit e prishi Bogdani me golin kundër Portugalisë. Shqipëria është në vendin e pestë në Grupin 1 me 6 pikë nga 8 ndeshje.