Tare,“vrasësi” i gjeorgjianëve
Igli Tare është futbollisti i Kombëtares shqiptare, që i ka shënuar më shumë ekipit përfaqësues gjeorgjian. Ish-kapiteni kuqezi ka regjistruar tre gola ndaj tyre në dy ndeshje të ndryshme. Për herë të parë ndaj Gjeorgjisë, Tare ka shënuar në përballjen e 10 shtatorit 2003, kur Kombëtarja jonë fitonte 3-1. Ish-sulmuesi shënoi golin e dytë të takimit, pasi më parë kishte kaluar në avantazh skuadrën tonë kosovari, Besnik Hasi. Ndërkaq, Tare ka sigluar edhe një dopietë në ndeshjen e 4 qershorit 2005 në kualifikimet e Botërorit “Gjermani 2006”. Duhet theksuar se në atë ndeshje skuadra jonë luajti me dyer të mbyllura pa praninë e tifozëve, për shkak të dënimit që pati marrë më parë nga UEFA për hedhje të sendeve në fushë gjatë ndeshjes me Ukrainën. Në këtë ndeshje Shqipëria fitoi 3-2, ku shënoi edhe Ervin Skela. Në historikun e golashënuesve ndaj Gjeorgjisë janë edhe Altin Rraklli dhe Bledar Kola, të cilët kanë shënuar në fitoren e skuadrës sonë më 9 tetor 1999.