Josip Kuzhe, “fshesa e zezë” e miliona eurove”Portret nga një media agresive. Revista kroate “Nacional”, të cilën e kishte në pronë i ndjeri gazetar Ivo Pukaniç, e pikturon me ngjyra tepër të errëta njeriun që besohet se do të jetë trajner i Sh

Bledar KUKA – Në prezantimin e Tiranës fitoi shumë pikë, ndonëse ishte jo pak i emocionuar nga prania e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, besojmë jo edhe aq nga ajo e gazetarëve shqiptarë. Në Kroaci e njohin shumë më mirë dhe ka disa media që e pikturojnë errshim, ndonëse jo ato kryesoret si “Jutarnji Listi” apo “Veçernji Listi”. Një portret negativ i është bërë nga media agresive “Nacional”, që e ka pasur si pronë gazetari i ndjerë kroat, Ivo Pukaniç, vrarë kohët e fundit në një atentat mafioz në Zagreb.
“Kumarxhiu që drejton Dinamon” ishte mbititulli i shkrimit, me titull “Josip Kuzhe, dora e zezë e milionave të humbura”. Nëntitulli ishte po ashtu agresiv: “Nacionali” zbulon sesi trajneri i Dinamos, për shkak të varësisë nga kumari dhe bastet, iu detyrohet qindra njerëzve për shumë milionë euro, të cilat nuk mundet më t’i paguajë”.
“Mes borxhdhënësve të tij ishin njerëz që punojnë me kamatë, aktorë, menaxherë futbolli, bashkëpunëtorë të përkohshëm, futbollistë dhe banka, - vazhdon “Nacionali”, - mes tyre ishte i ndjeri Dino Pokrovac, aktorja Ankica Dobriç, futbollisti Nino Bule, tregtari i këpucëve Ivan Lozushiç, menaxheri i futbollit Sinisha Shosho”.
“Në ambientet e kumarit edhe sot përflitet se në një natë të vetme humbi 1.2 milionë euro, aq sa duhej t’i takonin nga transferimi i futbollistit Mirko Hrgoviç tek japonezët e Gambës së Osakës, sot lojtar i Dinamos së Zagrebit”.
Pas kësaj akuze, “Nacionali” shkruan se një futbollist i një ekipi amator të Zagrebit, Ivica Brico i klubit Shpansko, e hodhi në gjyq për moskthim të 75 000 eurove.
Sipas tij Kuzhe i kishte kthyer vetëm 15 000 dhe do t’i jepte kamatë mujore prej 5 000 eurosh.Kuzhe e hodhi poshtë akuzën, duke thënë se kurrë nuk ishte marrë me baste dhe se kishte qenë dhe ishte njeri i ndershëm.
Kjo media kroate thotë se zotëron dokumente të një borxhdënësi dalmatinas që kërkon 50 000 marka gjermane nga Kuzhe, një borxh disavjeçar, ndërsa pohon se bosi i Dinamos së Zagrebit, Zdravko Mamiç, i ka paguar një pjesë të borxheve, gati 700 000 euro. “Nacionali” nuk sqaron se për çfarë arsyeje Mamiçi duhej t’i paguante këto 700 000 euro për të ndihmuar Kuzhen.
Në vitin 2006, sipas “Nacionalit”, Kuzhe u tha gazetarëve se “jam pronar i një shtëpie që kushton 2 milionë euro, e kam blerë pasi u ktheva nga Japonia. Kam borxhe të cilat po i paguaj me të ardhurat (tek Dinamo e Zagrebit) që arrijnë në 20 000 euro në muaj”.
“Nëse do të kem probleme, - vazhdon Kuzhe, cituar nga kjo media, - do të shes shtëpinë dhe do të jetoj me 1.6 milionë euro në bankë. Nuk do të më duhej të punoja deri në fund të jetës sime dhe të kisha nivel të lartë jetese”. Por “Nacionali” shkruan se “sipas asaj që dimë ne, pronare e shtëpisë është gruaja e tij, Ana”.
Banka, së cilës Kuzhe duhet t’i ketë ose t’i kishte borxhe (sipas “Nacionalit”), quhet “Hipo Alpe-Adria (Hypo Alpe Adria) dhe borxhi duhej të arrinte ose të arrijë në 750 000 euro.
Menaxheri i lojtarëve, Sinisha Shosho, që ka qenë edhe në burg dhe është akuzuar nga “Sllobodna Dalmacija” si bashkëpunëtor në vrasje, flet mirë për Kuzhen. “I kemi dhënë njëri-tjetrit borxh disa herë dhe gjithnjë kemi qenë korrektë me njëri-tjetrin, - thotë Shosho, - është një nga njerëzit e rrallë në futbollin kroat që punon në mënyrë të ndershme dhe transparente, nuk ekziston mundësia që të ndikosh tek ai për të ndihmuar pa të drejtë një lojtar apo një tjetër. Këtë e di mirë si menaxher që jam”.
“Nacionali” vazhdon citimin e Shoshosh ku thotë se “problemet e tij (Kuzhes) me kumarin (zaret) nuk janë të panjohura, por më vjen mirë që ka nisur një faqe të re në jetën e tij”. Duke treguar disa nga borxhdhënësit, media citon aktoren Ankica Dobriç, që e akuzon Kuzhen për moskthim parash. “Më kërkoi një sasi parash për të transferuar një futbollist, - tha ajo, - për mua ishin shumë, për atë ndoshta jo. I thashë se shpresoja që këto para të mos prishnin miqësinë tonë dhe, për fat të mirë, kjo nuk ndodhi”. “Më vjen keq që gruaja e tij nuk e dinte më parë këtë dobësi të tillë me zaret, ndryshe do ta kalonte më shpejt si problem”, - vazhdon Dobriç.
Por aktorja e vlerëson Josip Kuzhen si burrë që di të sillet dhe që ka forcën të pranojë defektet e tij edhe publikisht. “Kuzhe ka qenë gjithnjë burrë i sjellshëm, - pohon aktorja, - ka ditur edhe të tjerëve t’u japë borxh, para që shpesh nuk i janë kthyer. Gjithsesi, ai është njeri i mirë që ka pasur forcën të pranonte botërisht mëkatet”. Nga media jepet edhe një lajm tjetër se ai i ka marrë borxh 50 000 dollarë futbollistit Nine Bule, që luante në Japoni dhe se nuk ia ka kthyer. Vetë Bule përgjigjet se ky është një problem i zgjidhur.
Intervista
Kuzhe: Mund ta shikoj këdo në sy, fitoj dhe shpenzoj
-ǒmund të thoni për borxhet tuaja?
“Mund të them se këdo mund ta shikoj në sy, këtë e pohoj në mënyrë kategorike, sepse edhe ato që mund të kem borxh, i kthej”.
-Si është sjellja juaj ndaj kumarit?
“Unë kam folur në mënyrë të hapur mbi këtë faqe të errët të jetës sime, ndaj edhe më marrin nëpër gojë nëpër gazeta, ndonëse shumë nga njerëzit e futbollit shkojnë nëpër bastore, por kjo siç duket nuk i intereson kujt”.
-Flitet për borxhe të pakthyera Ankica Dobriçit, Sinisha Shoshes, Dobrisllav Rakiçit, Ivan Lozushiçit, përfaqësuesit të firmës së këpucëve “Polini”, Nine Bules dhe njerëzve të tjerë ...
“Është e vërtetë se u kam marrë para borxh. E them edhe një herë se gjithsecilin mund ta shikoj në sy dhe jam shumë kurioz të di se çfarë do t’ju thonë këta për marrëdhëniet me mua. Nuk shqetësohem nëse akuzojnë. Për shembull, para se të më jepte Ankica Dobriç 7 000 marka, i kam falur unë asaj 5 000 marka. Më pas, ia ktheva ato para. Nino Bule shkoi të luante në Japoni krejtësisht falë meje. Në klubin ku shkoi nuk e dinin kush ishte derisa u bashkua me ekipin. I mundësova që të fitonte 1.5 milionë dollarë. Më pas i kërkova para borxh, por ia ktheva. Me disa nga njerëzit që kam pasur gjëra të tilla, kam qenë në marrëdhënie pune dhe nuk turpërohem nga kjo”.
-A ndikon kjo në jetën tuaj familjare?
“Unë bëj një jetë të qetë familjare dhe punoj mirë. Kam kryer fakultetin juridik, shkollën e futbollit në Këln, flas 4 gjuhë të huaja dhe në futbollin tonë nuk ka kaq shumë njerëz me të dhënat e mia. Nuk di përse quhem sot njeri kaq jo i zakonshëm”.
-Si janë marrëdhëniet tuaja me paranë?
“Kurrë të qëndrueshme. Lehtë i kam fituar dhe lehtë i kam shpenzuar. Ndoshta kam gabuar sepse kam folur në mënyrë motive për problemet e mia të së kaluarës, gjë që më ka sjellë shqetësime të panevojshme mediatike”.
Përgatiti nga “Nacional”, Bledar Kuka
E Hene, 18 Maj 2009