Vila: Në Zagreb, për të luftuar për formacionin
Emiljano Vila nuk dëshiron të presë. Në këto javë të para të aventurës me Dinamon e Zagrebit, talenti durrsak shfaq hapur ambiciet: të fitojë një fanellë titullari. "Kam ardhur këtu për të luftuar që të jem pjesë e formacionit", deklaroi 21-vjeçari. "Kjo realizohet me shumë punë dhe me vullnet". Paraqitjet e mesfushorit të Kombëtares gjatë fazës përgatitore në Austri kanë lënë përshtypje të mira te drejtuesit e klubit të mirënjohur kroat. Ai shënoi që prej debutimit me fanellën e kampionëve "Prva HNL" (Liga e parë), në miqësoren e fituar 11-3 me NK Kalcer-Vodoterm, skuadër e kategorisë së dytë sllovene. Në atë përballje, Vilës iu nevojitën vetëm 180 sekonda për të gjetur rrugën e rrjetës, duke treguar se nuk ka aspak probleme ambientimi. "Ndihem mirë këtu dhe shokët e skuadrës më pritën mjaft mirë", tha lojtari. Më tej ai vlerësoi edhe organizimin te klubi më i suksesshëm në Kroaci: "Te Dinamo gjërat ndryshojnë shumë nga Teuta? Në Durrës ishte diçka krejt e ndryshme. Më duhet të pranoj se diferenca është mjaft e madhe, në organizim, në disiplinë, pra në të gjitha aspektet". Mesfushori nuk e mendon skuadrën nga Zagrebi si një ndalesë afatshkurtër. Natyrisht që emri i këtij klubi është një trampolinë e mirë për të ardhmen, por fillimisht Vila kërkon të arrijë gjëra të mëdha. "E kam të qartë që Dinamo është një klub i madh dhe duhet të presim për të parë se çfarë do të më rezervojë e ardhmja. Nuk mund të them se në cilin klub do të dëshiroja të luaja, pasi më parë synoj të arrij shumë gjëra këtu në Zagreb. Për të ardhmen e karrierës time do të mendoj vetëm kur të vijë koha". Talenti i ka të qarta modelet që duhet të ndjekë në karrierë. Përveç kapitenit të Olimpik Marsejës, Lorik Cana, i cili është edhe një prej pikave të forta të Kombëtares shqiptare, ai veçon edhe dy yje ndërkombëtare: "Lojtarët që më pëlqejnë më shumë, të cilëve dua t‘u ngjaj, janë Lionel Mesi dhe Kaka". Në këtë fillim sezoni me Dinamon ai ka shfaqur të gjithë kualitetin: "Këtë e kam dhuratë nga Zoti, por njohuritë e mia për futbollin janë përmirësuar edhe falë punës së mirë te Teuta".