E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josipoviç: Serbia e kishte humbur Kosovën

Zagreb
Presidenti kroat i kërkon Beogradit të pranojë realitetin

Presidenti i porsazgjedhur i Kroacisë, Ivo Josipoviç, deklaroi këto ditë se Serbia e kishte humbur Kosovën shumë kohë para shpalljes nga kjo e fundit të pavarësisë së saj, por se, sidoqoftë, nuk u takon vendeve fqinjë me Serbinë që të diskutojnë për këtë. Në një intervistë që i dha më 19 janar 2010 gazetës së përditshme serbe, “Vreme”, Presidenti i ri kroat gjithashtu shprehu bindjen se Serbia, një ditë, do të ketë një qëndrim tjetër ndaj Kosovës, sepse “realiteti nuk mund të ndryshohet, sepse rrota e historisë nuk mund të kthehet mbrapsht”. Duke komentuar deklaratën e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, se ai nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e tij të inaugurimit si President i ri i Republikës së Kroacisë, nëse në të do të jetë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, z. Josipoviç i tha gazetës serbe se “nuk më takon mua të vlerësoj politikën e shtetit dhe të Presidentit tuaj. Unë e di se kjo gjë nuk ka të bëjë as me mua, as me Kroacinë. Ky është qëndrimi që Serbia ka zgjedhur të mbajë ndaj Kosovës. Personalisht, mendoj se ky nuk është një qëndrim i dobishëm që mban Serbia, por nuk më përket mua të bëj koment për këtë. Më vjen keq që kjo gjë reflektohet edhe në marrëdhëniet tona të ndërsjella”. Ai vazhdoi më tej se, “nëse Tadiçi, me të vërtetë, nuk vjen në ceremoninë e tij presidenciale, nuk do ta konsideroj këtë si shenjë të mungesës së vullnetit për bashkëpunim, por si një shprehje të nevojave specifike të Serbisë lidhur me politikat e saj të brendshme dhe të jashtme”. Sa i përket bashkëpunimit rajonal, Josipoviçi vlerësoi se ai është mjaft i rëndësishëm, sepse, për shkak të përvojave historike, jo vetëm të atyre të bukura, por, për fat të keq, edhe të një përvoje të hidhur nga e kaluara e afërt, ne kemi nevojë të madhe për të në të ardhmen. Në vazhdim të intervistës së tij dhënë gazetës serbe “Vreme”, duke folur për akuzën për gjenocid, të paraqitur vitin e kaluar nga Kroacia kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës, Presidenti i sapozgjedhur kroat vuri në dukje se “ajo (akuza) u paraqit në Hagë në një kohë, kur Serbia nuk po tregonte shenja bashkëpunimi jo vetëm kundrejt Kroacisë, por edhe kundrejt bashkësisë ndërkombëtare. Në kohën e paraqitjes së akuzës kroate kundër Serbisë, kjo e fundit as nuk bashkëpunonte me Hagën dhe as vetë nuk bënte atë që duhej të bënte”, theksoi Josipoviçi, duke shtuar se, megjithatë, tani në këtë drejtim kanë ndodhur ndryshme dhe ato janë pozitive. “Sa i përket kundërakuzës serbe për gjenocid ndaj Kroacisë, duke pasur parasysh gjendjen faktike, mendoj se ajo nuk ka ndonjë shans serioz për sukses. Me siguri, kjo kundërakuzë serbe ndërmerret edhe për nevojat e brendshme, edhe për nevojat e saj kundër Kroacisë. Ne, në Kroaci, nuk shqetësohemi se Kroacia do të mund të dënohet për gjenocid”, nënvizoi Josipoviç.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›