E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jozefina Topalli, e sigurt në krye të diplomacisë shqiptare

Autori i Lajmit: red.
Kryetarja aktuale e Kuvendit dhe nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, është tashmë e sigurt se do të jetë ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Lajmi bëhet i ditur nga burime të brendshme si nga selia blu , por edhe nga bashkëpunëtorë të ngushtë të Kryetares së Kuvendit. Tashmë janë ulur tonet brenda PD-së dhe ethet e kabinetit të ri qeveritar, dhe nuk do të ketë më përplasje midis ministrit aktual, Lulëzim Basha, dhe pasardhëses së tij, Kryeparlamentares Topalli. Kreu i PD-së dhe kryeministri Sali Berisha ka bërë të shuhet kështu një nga përplasjet më të mëdha ndofta të të gjitha kohërave brenda PD-së, Basha-Topalli që e ka zanafillën këtu e 3 vjet përpara. Burime shumë të besueshme brenda selisë së demokratëve bëjnë me dije se menjëherë pas miratimit nga konventa e LSI-së të hyrjes së Metës në koalicion me Berishën, i hapet rruga liderit të LSI-së për të marrë postin e Kreut të Kuvendit dhe Jozefina Topallit në krye të diplomacisë shqiptare. Për sa i përket Lulëzim Bashës, të njëjtat burime bëjnë të ditur se si fitues dhe njeriu që ktheu Elbasanin me PD-në, duke marrë 7 mandate deputetësh, kryeministri Sali Berisha ka vendosur që ta ketë pranë vetes duke e bërë zëvendëskryeministër. Çmohet se kabineti i ri qeveritar do të marrë formën e prerë dhe do të bëhet publik, me emrat e gjithë kandidaturave për ministra të qeverisë së re Berisha të katërvjeçarit të dytë, në mes të muajit gusht ose pas përfundimit të pushimeve verore.
Ky lajm është publikuar: 09/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›