E Diel, 1 Nëntor 2026

Jozefina Topalli në Berlin për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon garanton mbylljen e procedurave për 2 muaj

Kryeparlamentarja e Shqipërisë vazhdon aksionin e radhës

Kryetarja e Parlamentit, në aksionin e saj të radhës, përmes diplomacisë parlamentare, kërkon mbështetjen e Gjermanisë për heqjen e vizave për shqiptarët. Në udhëtimin e saj për vizitë zyrtare në Suedi, gjatë ndalesës në Berlin, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u prit në Busdestag nga kryeparlamentari Norbert Lammert i cili i shprehu kënaqësi dhe interes të veçantë për takimin.
Në këtë takim, Jozefina Topalli e falënderoi Presidentin e Bundestagut Lammert që, me gjithë impenjimet e tij të mëdha, i dha mundësinë Kryetares së Parlamentit për një takim që zgjati përtej kohës së parashikuar.
Midis të tjerave, Kryeparlamentarja Topalli bëri një ekspoze të zhvillimeve më të fundit në Shqipëri. Ajo i bëri të njohur reformat që ka ndërmarrë qeveria në drejtim të plotësimit të detyrimeve në proceset integruese. Në mënyrë të veçantë e njohu kolegun e saj gjerman me përmbylljen e të gjitha kërkesave lidhur me menaxhimin e kontrolluar të kufijve, me vënien në funksion të teknologjive të reja më të avancuara në këtë drejtim, të gjitha këto të lidhura me procesin e heqjes së vizave. Gjithashtu Jozefina Topalli u ndal në punën në parlament dhe në numrin e madh të ligjeve të reformave të kaluara këto muajt e fundit. Duke diskutuar lidhur me çështjet ekonomike, ajo shprehu krenarinë për vlerësimet e FMN-së dhe Bankës Botërore për Shqipërinë si i vetmi vend në rajon që edhe pse i rrethuar nga kriza financiare globale vazhdon me rritje ekonomike të qëndrueshme.
Në bisedën e gjatë me kryetarin e Bundestagut, Kryetarja e Kuvendit u përqendrua kryesisht në angazhimin e plotë e serioz të institucioneve shqiptare për heqjen e vizave si një objektiv që i ka ardhur koha për t’u vënë në jetë. Jozefina Topalli shprehu shpresën dhe besimin se Gjermania sërish do ta mbështesë Shqipërinë në heqjen e vizave për qytetarët e saj.
Në aksionin e saj përmes diplomacisë parlamentare kesaj radhe Kryetarja e parlamentit është përqendruar tërësisht për të marrë mbështetjen nga vendet e BE-së për gjënë më të shtrenjtë e të rëndësishme për shqiptarët – heqjen e vizave.

Fajon: KE, vlerësim pozitiv për vizat, procedurat mbyllen për dy muaj
Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian eurodeputetja Tanja Fajon shprehet se Komisioni Evropian do japë vlerësim pozitiv për hapat e hedhura nga Shqipëria, në procesin e liberalizimit të vizave. Sipas Fajon, KE do të marrë vendimin menjëherë pas dorëzimit të raportit të vëzhguesve në terren, mbi kriteret e realizuara nga qeveria shqiptare, sipas udhëzimeve të udhërrëfyesit të vizave.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›