Rrëzohet neni antikushtetues për hapjen e kutive, edvinistët refuzojnë rekomandimin e kushtetueses
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miraton projektligjin për hetimin e zgjedhjeve. Fatmir Xhafaj pretendon miratimin e nenit 4, para nenit 1
Pas debateve të ashpra ndërmjet komisionerëve të majtë dhe të djathtë, mazhoranca konsideroi antikushtetues nenin për hapjen e kutive, duke konstatuar se nuk ka përputhshmëri ligjore dhe kushtetuese.
Opozita braktisi punimet e komisionit parlamentar të ligjeve, ku do të diskutohej dhe votohej nen për nen, projektligji i ofruar prej tyre për disa ndryshime në ligjin për komisionet hetimore si dhe amendamentet e ofruara për këtë projektligj nga disa deputetë të mazhorancës.
Kjo erdhi, pasi deputeti socialist Fatmir Xhafaj kërkoi diskutimin që në fillim të mbledhjes së komisionit, të nenit 4 të projektligjit me pretendimin se pikërisht ky nen, i cili flet në pikën tre të tij edhe për hapjen e kutive të votimit, përbën thelbin e qëndrimit opozitar.
“Ne theksuam se është thelbësore, po jo panegociueshme dhe lamë mundësinë për të gjetur një zgjidhje për ta konsideruar hapjen e kutive, një provë të rëndësishme për hetimin parlamentar”, u shpreh Xhafaj, ndërsa këmbëngulte për diskutimin e miratimin e nenit 4, para nenit 1, të projektligjit të propozuar prej vetë PS-së.
Kryetari i Komisionit te Ligjeve Ilir Rusmali, në përgjigje të pretendimeve të Fatmir Xhafajt, u shpreh se procedura e punimeve nuk ishte aspak e dyshimtë, pasi nenet do te diskutoheshin sipas radhës numerike të tyre.
“Ky komision, në vullnetin e tij e shpreh ne fund qëndrimin pas diskutimit nen për nen”, u shpreh Rusmali.
Kjo ishte e mjaftueshme për deputetët e opozitës, të braktisnin mbledhjen e Komsionit Parlamentar të Ligjeve.
“Ishte thjesht një hipokrizi për shkak sepse relacioni i paraqitur dhe në mënyrë të veçantë amendamentet e sotme të cilat janë shprehje, reflektim i qëndrimit politik që lidershipi politik, kryeministri Berisha ka për iniciativën tonë ligjore, rrëzon në thelb atë çfarë ne kemi kërkuar, mundësinë e trajtimit si provë të kutive zgjedhore në procesin hetimor parlamentar”, tha Xhafaj, ndërsa braktisi mbledhjen.
Pretendimet e deputetëve socialistë u hodhën poshtë nga kryetari i komisionit Ilir Rusmali, i cili citoi procedurën parlamentare të miratimit të një inisiative ligjore.
“Të ngrihesh nga tavolina e komisionit sepse nuk do të votosh pro themelit të shtetit tënd, themelit ku ti ushtron aktivitetin tënd politik është së paku absolute. Nuk mund të bëhet sakrifica për hir të qenies së tyre këtu duke hequr themelin mbi të cilin ngrihet gjithë shteti. Prandaj është ushtrim i pamundur ajo që Xhafaj na vendosi sot në tavolinë, ajo që Xhafaj na kërkoi ne të miratojmë”, ju përgjigj Rusmali pretendimeve të Xhafajt.
Mungesa e deputetëve të PS-së, nuk pengoi mazhorancën tu japë miratimin disa neneve të propozuara në nismat e PS, së bashku me ndryshimet e propozuara nga PD dhe rrëzimin e nenit 4, të cilat bien ndesh me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën e vendit.
Fillimisht, deputetët e mazhorancës miratuan Nenin 1 të propozuar nga PS-ja së bashku me ndryshimin e propozuar nga PD.
Duke i paraprirë diskutimit të amendamentit të ofruar nga mazhoranca për nenin 1 të projektligjit të socialistëve, Rusmali tha se kjo ishte arsyeja e vërtetë e braktisjes së punimeve të komisionit prej opozitës.
Në Nenin 1, PD, kërkoi një ndryshim sipas të cilit komisionet hetimore nuk mund të kenë objekt dhe as mund te hetojnë çështjet e gjykuara nga gjykatat e vendit, nuk mund të kenë objekt dhe as të hetojnë çështje, fakte apo kompleks faktesh për te cilat është regjistruar kallëzim penal ne prokurori ose kur ato janë ne shqyrtim gjyqësor. Neni 1 përmban tani dhe këtë amendim.
Në Komisionin e Ligjeve është miratuar edhe neni 2. Në bazë të miratimit që iu dha amendamenteve në këtë nen, Komisioni hetimor do të zgjasë 3 muaj nga 24 muaj që kishte propozuar PS-ja.
Njëherazi është rrëzuar neni 3 i PS-së, i cili kërkonte shumicë në komisione edhe për hetime të tjera, ndërkohë që Partia Demokratike ka propozuar që opozita të ketë shumicën në komision vetëm për hetimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Gjithashtu PD kërkon ndryshim të një paragrafi ne nenin 3, sipas të cilit objekti i hetimit duhet të jetë i argumentuar dhe duhet të përmbajë fakte që tregojnë qartë se çfarë hetohet.
PD kërkoi që në fillim të diskutimeve, të ndryshojë neni 4 i projektligjit, që hetimi parlamentar të fokusohet në çështje të tjera, përveç materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit, kur për to ka një vendim gjykate. Tre deputetë të PD, Gent Strazimiri, Eduart Halimi dhe Edi Paloka kanë paraqitur disa propozime mbi projektligjin e PS për hetimin e zgjedhjeve. Deputeti Eduart Halimi një prej firmëtarëve të amendamenteve, tha se kjo ndjek logjikën e parimit të ndarjes së pushteteve.
Tashmë propozimet e socialistëve bashkëngjitur amendamentet e mazhorancës, pritet të diskutohen në seancën e datës 18 mars në Kuvend, por mazhoranca nuk e përjashtoi edhe diskutimin e këtyre argumenteve në komisionin e ligjeve, përpara seancës së pritshme plenare, në përpjekje për të zgjidhur situatën politike. Ndërkohë, do të jetë grupi parlamentar i PS-se ai që do të përcaktojë qëndrimin që do mbajë në 18 mars, datë e përcaktuar si limit nga Komisioni Europian për zgjidhjen e krizës.