Ministria e Brendshme depoziton padi penale për falsifikimin e dokumenteve të identitetit

Ministria e Brendshme ka paditur dje falsifikatorët e dokumenteve zyrtare. Padinë e bëri publike dje për mediat, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili mori shkak nga akuzat publike, për falsifikim të kartave të identitetit.
Sipas Ponit, mësohet se, dje, mbështetur ne nenet 280 dhe 281 te Kodit të Procedurës Penale, Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, ka depozituar kallëzimin penal me objekt: Kallëzim për veprat penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose të vizave” dhe të “Përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga nenet 189 dhe 267 të KP.
Më tej, Zëvendësministri i Brendshëm sqaron se parashtrimi i fakteve qe çuan ne këtë veprim te Ministrisë se Brendshme është ai qe tashme njihet botërisht: Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 4 Mars 2010, është deklaruar publikisht se ka prova e fakte të cilat disponohen nga ana e deklaruesve, në lidhje me qarkullimin dhe përdorimin nga persona të ndryshëm të kartave të identitetit false (letërnjoftimeve elektronikë). Ky pohim është ripërsëritur nga mediat e shkruara si edhe në emisionin “Ora e Debatit” të datës 12.3.2010 në Televizionin Ora News.
Duke konstatuar se deklaratat mbi ekzistencën e kartave te identitetit false, vërtetojnë faktin se është kryer një vepër penale e cila parashikohet në legjislacionin shqiptar e konkretisht në nenin 189 te Kodit Penal, duke mos pasur dijeni mbi autoret e kësaj vepre penale si dhe personat e tjerë që kane dijeni mbi rrethanat e faktet, si dhe duke mos u njohur me ndonjë veprim të Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për fillimin kryesisht te veprimeve procedurale, mbi faktet e bëra publike, Ministria e Brendshme, bazuar ne nenin 281 të Kodit te Procedurës Penale, paraqiti përpara Prokurorisë se rrethit gjyqësor kallëzimin penal. Sjellim ne vëmendje te opinionit publik se janë parashikimet ligjore te neneve 189, 267, 280 dhe 281 te KP qe mbështesin kallëzimin penal te bere nga Ministria e Brendshme. Ministria e Brendshme, në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës të Kontratës Koncesionare “Prodhimi dhe shpërndarja e dokumenteve të identitetit” është tepër e interesuar që të zbardhet tërësisht e vërteta rreth deklarimeve publike, të vihen në dispozicion të prokurorisë dokumentet e paraqitura në seancë plenare nga deklaruesit, të sqarohet se pse dhe në ç’mënyrë i disponojnë këto dokumente, si kane marre dijeni për këtë informacion e të tjera pyetje, që vërtet do të mund të sqaronin çështjen por edhe do të ruanin këtë projekt madhor për Shqipërinë nga ndërhyrje që mund të cenonin soliditetin e tij apo që më keq, që synojnë të prekin pa asnjë bazë imazhin e procesit. Ministria e Brendshme shpreh bindjen e plotë mbi pamundësinë e falsifikimit te dokumenteve origjinale te prodhuara nga firma koncesionare, sipas standardeve më të mira të BE-së e më gjerë, tërhoqi vëmendjen më tej Zëvendësministri Poni.
Nga ana tjetër, sistemi i prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit, është provuar të jetë një sistem solid, që mishëron teknologjinë e fjalës së fundit në fushën e identifikimit dhe procedura strikte të mirëpërcaktuara për aplikimin dhe shpërndarjen e Letërnjoftimit Elektronik dhe Pasaportës Biometrike. Këto vlerësime janë dhënë Në Raportin e datës 14 Shtator 2009 të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare të 28 qershorit 2009, ku vlerësohet së tepërmi procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me Letërnjoftim Elektronik, por edhe nga ekspertët e fushës të BE-së të cilët kanë inspektuar dhe monitoruar sistemin në tërësinë e vet, në kuadrin e Procesit të Liberalizimit të Vizave (Blloku i parë), vijoi më tej Zëvendësministri i Brendshëm.
Duke qene se evidentohen apo ravijëzohen mjaft qarte elementet e veprës penale, Ministria e Brendshme shpreh shqetësimin për veprimet e konstatuara dhe është e mendimit se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ndodhet në kushtet e fillimit të çështjes penale, në përputhje me nenet 153 e në vijim (dëshmia) dhe nenin 280 e në vijim (Marrja dijeni për veprën penale) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
Për sa më sipër, duke pasur parasysh rëndësinë e pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti të standardeve evropiane të një cilësie dhe sigurie të lartë, duke reflektuar besueshmëri tek partnerët evropianë si dhe tek qytetarët shqiptarë, për të shmangur raste të tilla në të ardhmen, kërkuam regjistrimin e kallëzimit penal dhe fillimin e procedurave të verifikimit e hetimit të fakteve përkatëse ndaj dokumenteve të paraqitura dhe personave që kanë dijeni për çështjen, përfundoi komunikimin e tij, para mediave, Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni.
KALLëZIM PENAL
KALLëZUES: Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, adresa “Sheshi Skënderbej”, nr. 3, Tiranë.
OBJEKTI: Kallëzim për veprat penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose të vizave” dhe të “Përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga nenet 189 dhe 267 të Kodit Penal.
BAZA LIGJORE: Nenet 280, 281 të Kodit të Procedurës Penale.
DREJTUAR: PROKURORISë Së RRETHIT GJYQëSOR TIRANë
PëR DIJENI: PROKURORISë Së PëRGJITHSHME
Zoti Drejtues i Prokurorisë,
Bazuar në nenet 280 dhe 281 të Kodit të Procedurës Penale parashtrojmë këtë kallëzim penal për veprat penale të sipërcituara, duke parashtruar rrethanat e fakteve konkrete ku bazohet kallëzimi, provat me të cilat vërtetohen këto fakte si dhe dispozitat ligjore penale të cenuara.
* RRETHANAT E FAKTEVE
Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 4 Mars 2010, është deklaruar publikisht se ka prova e fakte të cilat disponohen nga ana e deklaruesve, në lidhje me qarkullimin dhe përdorimin nga persona të ndryshëm të kartave të identitetit false (letërnjoftimeve elektronikë).
Ky pohim është ripërsëritur nga mediat e shkruara si edhe në emisionin “Ora e Debatit” të datës 12. 03. 2010 në Televizionin ORA NEWS.
Duke konstatuar se deklaratat mbi ekzistencën e kartave te identitetit false, vërtetojnë faktin se është kryer një vepër penale e cila parashikohet në legjislacionin shqiptar e konkretisht në nenin 189 te Kodit Penal, duke mos pasur dijeni mbi autoret e kësaj vepre penale si dhe personat e tjerë që kane dijeni mbi rrethanat e faktet, si dhe duke mos u njohur me ndonjë veprim të Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për fillimin kryesisht te veprimeve procedurale, mbi faktet e bëra publike, Ministria e Brendshme, bazuar ne nenin 281 të Kodit te Procedurës Penale, paraqet përpara kësaj Prokurorie këtë kallëzim penal.
* LIGJI I APLIKUESHëM
Kodi Penal në nenin 189 të tij parashikon se:
“Falsifikimi ose përdorimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave të falsifikuara dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet dhe me gjobë nga katërqind mijë deri në një milionë lekë.
Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet dhe me gjobë nga gjashtëqind mijë deri në dy milionë lekë.
Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë të lëshojë letërnjoftimin, pasaportën apo vizën, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga një milionë deri në tre milionë lekë.”
Neni 267 i Kodit Penal parashikon se:
“Përhapja e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.”
Neni 280 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se:
“Prokurori dhe policia marrin dijeni për veprën penale me iniciativën e vet dhe me njoftimin e bërë nga të tjerët.”
Neni 281 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se:
1. Nëpunësit publikë, te cilët gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të funksioneve a të shërbimit të tyre, marrin dijeni për një vepër penale që ndiqet kryesisht, detyrohen të bëjnë kallëzim me shkrim edhe kur nuk është individualizuar personi të cilit i atribuohet vepra penale.
2. Kallëzimi i paraqitet prokurorit ose një oficeri të policisë gjyqësore. ...”
* ANALIZA LIGJORE E FAKTEVE
Ministria e Brendshme, në cilësinë e autoritetit mbikëqyrës të Kontratës Koncesionare “Prodhimi dhe shpërndarja e dokumenteve të identitetit” është tepër e interesuar që të zbardhet tërësisht e vërteta rreth deklarimeve publike, të vihen në dispozicion të prokurorisë dokumentet e paraqitura në seancë plenare nga deklaruesit, të sqarohet se pse dhe në ç’mënyrë i disponojnë këto dokumente, si kane marre dijeni për këtë informacion e të tjera pyetje, që vërtet do të mund të sqaronin çështjen por edhe do të ruanin këtë projekt madhor për Shqipërinë nga ndërhyrje që mund të cenonin soliditetin e tij apo që më keq, që synojnë të prekin pa asnjë bazë imazhin e procesit.
Ministria e Brendshme si institucioni përgjegjës për prodhimin dhe shpërndarjen e letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike dhe autoriteti mbikëqyrës i procedurës, shpreh bindjen e plotë mbi sigurinë dhe pamundësinë e falsifikimit te dokumenteve origjinale te prodhuara nga firma koncesionare, sipas standardeve më të mira të BE-së e më gjerë. Në Raportin e datës 14 Shtator 2009 të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare të 28 qershorit 2009, vlerësohet së tepërmi procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me Letërnjoftim Elektronik.
Në këtë raport citojmë:
Faqe 1, paragrafi 2 “Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 shënuan një progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, ...”
Faqe 2, paragrafi 3, “Një projekt tjetër i madh i Qeverisë ishte lëshimi kartave të reja dhe të sigurta të identitetit për të gjithë shtetasit.”
Faqe 11, pika B “Identifikimi i Zgjedhësve”, paragrafi 3 “Duke pasur parasysh kufizimet e ndryshme, fushata për pajisjen e qytetarëve me karta të reja identiteti ishte në përgjithësi e suksesshme dhe vendosi themelet për një sistem solid të identifikimit të zgjedhësve. Qeveria e mbështeti procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit përmes një fushate të informimit publik, përmes zgjatjes së orarit të punës të qendrave të aplikimit dhe vendosjes së skemës së subvencionimit për të ndihmuar zgjedhësit në pagesën e tarifës së aplikimit.”
Nga ana tjetër, sistemi i prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve të identitetit, është provuar të jetë një sistem solid, që mishëron teknologjinë e fjalës së fundit në fushën e identifikimit dhe procedura strikte të mirëpërcaktuara për aplikimin dhe shpërndarjen e Letërnjoftimit Elektronik dhe Pasaportës Biometrike. Këto vlerësime janë dhënë edhe nga ekspertët e fushës të BE-së të cilët kanë inspektuar dhe monitoruar sistemin në tërësinë e vet, në kuadrin e Procesit të Liberalizimit të Vizave (Blloku i parë).
Elementet e veprave penale të konsumuara konsistojnë si vijon:
Për veprën penale të “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose të vizave”, parashikuar nga neni 189 i Kodit Penal.
Objekti - Faktet në të cilat referojnë deklaratat e bëra janë të tilla që mund të sjellin pasoja të dëmshme në raport me sigurinë e përdorimit të dokumenteve të identitetit (letërnjoftimeve elektronikë).
Ana objektive - Veprimet e kundërligjshme në të cilat referojnë deklaratat e bëra, konsistojnë në falsifikimin dhe/ose përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, përmes paraqitjes së të dhënave të rreme në dokumentet përkatës zyrtarë (letërnjoftimet elektronikë).
Subjekti - i kësaj vepre penale mund të jetë çdo shtetas, përfshirë edhe deklaruesin, por kjo mbetet një çështje që kërkon verifikim të hollësishëm nga organi i Prokurorisë.
Ana subjektive - Në kuadër të deklarimeve të bëra, pretendohet nga deklaruesi se veprimet janë bërë me faj në formën e dashjes, me qëllim përdorimin e këtyre dokumenteve për të siguruar përparësi të paligjshme në procesin zgjedhor.
Për veprën penale të “Përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal.
Objekti - Faktet në të cilat referojnë deklaratat e bëra janë të tilla që, në rast falsiteti të tyre, mund të sjellin pasoja të dëmshme në raport me krijimin e një gjendjeje paniku dhe pasigurie në publik.
Ana objektive - Veprimet e kundërligjshme, në rast falsiteti të deklaratave të kryera, konsistojnë në përhapjen me fjalë të informatave apo njoftimeve të rreme mbi falsifikimin e dokumenteve përkatës të identitetit.
Subjekti - i kësaj vepre penale është deklaruesi, i ndodhur në kushtet e plotësimit të elementeve të tjerë të kësaj vepre penale.
Ana subjektive - Në kuadër të deklarimeve të bëra, dhe të përmbushjes së elementeve të tjerë të veprës penale, qëllimi si element cilësues i kësaj vepre penale konsiston në ngjalljen e një gjendjeje pasigurie dhe paniku në publik, duke përdorur për këtë qëllim informata apo njoftime të rreme.
* KONKLUZIONI
Ministria e Brendshme shpreh shqetësimin për veprimet e konstatuara dhe është e mendimit se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ndodhet në kushtet e fillimit të çështjes penale, në përputhje me nenet 153 e në vijim (dëshmia) dhe nenin 280 e në vijim (Marrja dijeni për veprën penale) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.
Për sa më sipër, duke pasur parasysh rëndësinë e pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti të standardeve evropiane të një cilësie dhe sigurie të lartë, duke reflektuar besueshmëri tek partnerët evropianë si dhe tek qytetarët shqiptarë, për të shmangur raste të tilla në të ardhmen, kërkojmë regjistrimin e kallëzimit penal dhe fillimin e procedurave të verifikimit e hetimit të fakteve përkatëse ndaj dokumenteve të paraqitura dhe personave që kanë dijeni për çështjen.
Bashkëlidhur ju vëmë në dispozicion kopje të gazetave Shekulli; Shqip; Gazeta Shqiptare; Panorama; Rilindja Demokratike; Ballkan etj., të datës 5.3.2010, si dhe CD-në e regjistrimit të deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë.