Socialistët flasin rrugëve, por refuzojnë parlamentin për objeksionet mbi projektin
Komisioni i Sigurisë miraton projektligjin për SHISH
Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare ka miratuar dje projektligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Pas diskutimit të draftit një ditë më parë në prezencë të kreut të SHISH, komisioni për rreth 4 orë ka miratuar pa praninë e opozitës projektligjin nen për nen. Projektligji ka marrë edhe miratimin e komisionit të ligjeve dhe pas kësaj, pritet që ai të kalojë për miratim seancës plenare ditën e enjte.
Menjëherë pas miratimit, Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Leonard Demi ka folur për ligjin e SHISH, pas kalimit të tij, nga komisioni që ai drejton. Sipas Demit ndryshimet e bëra në këtë projektligj i japin pavarësi vetë SHISH. Demi ka sqaruar se ndryshimet në projektligj janë të rëndësishme. është ndryshuar sipas tij paragrafi 10 i nenit 3, duke bërë të mundur rritjen e veprimtarisë së Shërbimit Informativ Shtetëror. Demi ka deklaruar më tej se në miratimin e këtij projektligji Komisioni i Sigurisë ka marrë parasysh edhe sugjerimet e bëra nga përfaqësuesit e SHISH dhe Këshilli i ministrave.
Kreu i komisionit, Demi u shpreh se në hartimin e ligjit janë marrë parasysh kërkesat e drejtuesve aktual të institucionit dhe rekomandimet e ndërkombëtarëve.
Gjithashtu, kryetari i Komisionit Leonard Demi deklaroi se ndryshimet e miratuara janë tepër të rëndësishme pasi rrisin transparencën dhe standardet e SHISH-it.
Pjesë të këtij ligji, që janë kundërshtuar edhe nga opozita, kanë të bëjnë me faktin se, drejtori i SHISH duhet të marrë pëlqimin në parim të kryeministrit për të bashkëpunuar apo jo me shërbime të vendeve të tjera.
Me këtë ndryshim, dhe disa te tjera, komisioni i sigurisë kombëtare vetëm me anëtarët e mazhorancës votoi projektligjin për funksionimin e SHISH dhe është i bindur se kështu rritet pavarësia e institucionit te inteligjencës shqiptare ne aktivitetin e saj.
Nga ana tjetër mazhoranca e ka mbyllur këtë çështje për sa i përket diskutimit në komision parlamentar, ndërsa njëkohësisht e ka lënë të paprekur edhe nenin 5/1 i cili kufizon mandatin e drejtorit dhe nëndrejtorit të SHISH-it në 5 vjet ndërkohë që procedurat për emërimin në detyrë fillojnë jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit përkatës.
Pas mbledhjes, lidhur me mospjesëmarrjen e deputetëve socialistë në mbledhjen e djeshme, reagoi kryetari i këtij komisioni Leonard Demi.
“Sot bëri përshtypje mungesa e deputetëve socialistë, të cilët edhe pse janë angazhuar në media për ta demonizuar ligjin, nuk kanë denjuar as të paraqiten në komision e as të paraqesin publikisht objeksionet e tyre për projektin që të enjten pritet të shndërrohet në një dispozitë ligjore”, u shpreh Demi.
Ndërkohë, kreu i PS-së, Edi Rama ka kundërshtuar miratimin e këtij projektligji, duke e cilësuar si një provokim ndaj aleatëve strategjikë.
Si shumë eksponentë të tjerë të PS-së, edhe Rama, dje ka folur para mediave, ndërsa, duke marrë e mbajtur peng grupin e deputetëve socialistë, nuk i lejon ata të marrin pjesë, në mbledhjet e komisioneve parlamentare, për diskutime të ndryshme projektligjesh, sikurse është edhe ai i SHISH-it.