E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha kërkon intensifikimin e reformave në shëndetësi

Në takim u vlerësua si një detyrë e rëndësishme dhe e menjëhershme përcaktimi hapave konkretë për implementimin sa më parë të strategjisë së emergjencave, për krijimin e një sistemi urgjence mbarëkombëtare. U diskutua mbi gjetjen e masave dhe zgjidhjeve konkrete të menjëhershme, afatmesme e afatgjata për luftën ndaj korrupsionit në çdo hallkë të sistemit shëndetësor

U zhvillua sot nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha takimi i radhës i Taske-Forcës për thellimin e reformave në shëndetësi. Në fillim të këtij takimi ministri i Shëndetësisë z. Petrit Vasili parashtroi një plan veprimi, ku disa nga pikat kryesore ishin: dixhitalizimi dhe informatizimi i sistemit shëndetësor, si një prioritet madhor që do të bëjë të mundur ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj të gjithë qytetarëve duke zhdukur informalitetin në shëndetësi, duke luftuar korrupsionin e sjellë shërbimet më afër qytetarit; përllogaritja e kostove në shërbimin shëndetësor spitalor sipas VKM-së miratuar nga qeveria, pak kohë më parë; respektimi dhe forcimi i Sistemit të Referimit; edukimi në vazhdim i punonjësve të shëndetësisë; akreditimi i institucioneve shëndetësore etj.

Më tej në këtë takim, pasi u vlerësua shërbimi i urgjencave si një shërbim nga i cili varet prognoza e sëmundjes, ecuria dhe shkalla e invalitetit të pacientit u vlerësua si një detyrë e rëndësishme dhe e menjëhershme përcaktimi hapave konkretë që duhen ndjekur për implementimin sa më parë të strategjisë së emergjencave, për krijimin e një sistemi urgjence mbarëkombëtar, të unifikuar dhe sipas standardeve të një cilësie të lartë.

Në fund të takimit u diskutua dhe mbi gjetjen e masave dhe zgjidhjeve konkrete të menjëhershme, afatmesme e afatgjata për luftën ndaj korrupsionit në çdo hallkë të sistemit shëndetësor. Kryeministri Berisha theksoi edhe një herë se nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç reformave të thella që sistemi i shëndetësisë të dalë një herë e mirë nga korrupsioni, të modernizohet e të përafrohet me standardet dhe modelet më të suksesshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›