E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jozefina Topalli qëndron edhe për katër vjet në krye të Kuvendit



Jozefina Topalli do të vazhdojë ta drejtojë Kuvendin e Shqipërisë edhe për katër vitet e ardhshme. Lajmi është zyrtarizuar së fundi nga burime informacioni pranë Kuvendit. Duket se marrëveshja është arritur në sajë të negociatave të shpeshta të ditëve të fundit midis kryetares Topalli dhe kreut të Ekzekutivit, Berisha. Ditët e fundit Topalli ka zhvilluar një sërë takimesh me kreun e qeverisë në zyrën e tij në Kryeministri. Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë krijimi i kabinetit të ri qeveritar, ndarja e posteve ministrore, emrat e deputetëve të PD-së që do të jenë në qeverinë e re, por edhe posti që do të mbajë numri dy i selisë blu, Topalli. Burimet nga PD-ja kanë bërë të ditur se gjatë muajve të verës Topalli ka bërë përpjekje që të marrë postin e ministres së Punëve të Jashtme. Ky post është synuar që herët prej saj. Por negociatat me LSI-në përfunduan me marrëveshjen që këtë post do ta marrë kreu i kësaj partie, Ilir Meta. Ndaj dhe Topallit do t’i duhet të mbajë postin e kryetares së Kuvendit edhe për katër vitet e ardhshme. Gjatë ditës së djeshme kryetarja Topalli ka inspektuar sallën e Kuvendit dhe ka dhënë urdhër që të merren të gjitha masat në mënyrë që çdo gjë të jetë gati për fillimin e seancës së parë parlamentare për legjislaturën e re, që do të mbahet ditën e hënë në orën 18:00. Katër vitet e kaluara, kur Kuvendi u drejtua nga Topalli, u karakterizuan marrëdhënie të acaruara mes saj dhe opozitës socialiste. Madje, PS-ja depozitoi në Kuvend dy mocione për shkarkimin e Topallit, të cilat u rrëzuan nga forca e kartonit të maxhorancës. Pritet që edhe gjatë këtij mandati katërvjeçar marrëdhëniet e përfaqësuesve të opozitës me kryetaren e Kuvendit të jenë të vështira.

5 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›