E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhguesit vendorë: Problematika në zgjedhje u shkaktua nga loja e partive politike



Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë publikoi dje raportin përfundimtar për zgjedhjet e 28 qershorit. Në këtë raport zgjedhjet parlamentare vlerësohen si pozitive dhe se kanë dhënë një kontribut për demokracinë e vendit. Por, në këtë raport theksohet se problematika e vënë re në zgjedhje u shkaktua nga loja e partive politike.
“Ne i vlerësojmë këto zgjedhje si një kontribut dhe arritje pozitive në procesin kompleks të zhvillimit demokratik të Shqipërisë. Me gjithë problematikën që i shoqëroi, që jo në pak raste, për mendimin tonë, ishte produkt i lojës politike midis partive dhe subjekteve zgjedhore, këto zgjedhje, në tërësinë e tyre, prodhuan arritje pozitive në rrugën për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së dhe standardeve të KE-së për zgjedhjet demokratike, si dhe me legjislacionin shqiptar”, - thuhet në raport. Vëzhguesit vendorë gjithashtu kanë konstatuar se gjatë procesit të votimit ka pasur raste kur zgjedhësit nuk mundën të votonin sepse nuk e kishin emrin në listë. Ata vlerësuan rolin e policisë para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, si dhe faktin që për herë të parë Shqipëria shkoi në zgjedhje me listën elektronike të zgjedhësve. Reforma zgjedhore, me gjithë kundërshtimet e një pjese të partive politike, vlerësohet se u realizua nëpërmjet një konsensusi politik të konsiderueshëm. Fushata, sipas raportit, synoi të motivojë zgjedhësit për të votuar. “Tonet negative, edhe kur u përdorën, nuk arritën të mbizotërojnë”, - shkruhet në raport. Koalicioni i vëzhguesve shqiptarë vë re se në disa raste, për qëllime të fushatës, u kapërcye ligji. Në përurime u angazhuan edhe në formë të detyruar punonjës të institucioneve publike, të organeve të pushtetit vendor, nxënës e mësues, mjete dhe infrastruktura të institucioneve publike. Por, nga ana tjetër, votimi në grup dhe votimi në familje vazhdon të mbetet në nivele të konsiderueshme, veçanërisht në zonat rurale. Raporti i gjykon të parakohshme ndryshimet e sistemit zgjedhor. Por, nëse klasa politike vendos ta trajtojë këtë problem, koalicioni i vëzhguesve vendorë rekomandon dy opsione: ose një mënyrë që votat të përkthehen më mirë në mandate, çka mund të ishte një korrektim kombëtar i sistemit aktual; ose kalimin nga sistemi aktual proporcional rajonal, në një sistem proporcional kombëtar. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë aktivizoi për vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2450 vëzhgues afatshkurtër, 396 vëzhgues afatgjatë, duke monitoruar 100 vendet e numërimit të votave dhe 20 të zonave rurale.

5 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›