E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli kundër Bashës për postin e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së

Lufta “e heshtur” Topalli-Basha për më shumë pushtet në PD. Kryetarja në katër vite ka eklipsuar diplomacinë e ministrit

Numri dy i selisë blu, Jozefina Topalli, mësohet se ka kundërshtuar skemën e kryeministrit Berisha për të emëruar Lulzim Bashën në postin e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së. I mbetur pa dikaster për shkak të marrëveshjes PD-LSI, një nga skemat që është diskutuar së fundi midis drejtuesve të lartë të PD-së ka qenë ajo e emërimit të Bashës në krye të deputetëve demokratë. Por, nëse Basha do të kryesojë Grupin e PD-së, automatikisht ai do të marrë postin e nënkryetarit të PD-së, duke u barasvlerësuar për nga pesha politike me numrin dy të selisë blu, Jozefina Topalli. Pikërisht forcimi politik i figurës së Bashës në parti, sipas burimeve nga PD-ja, tremb nënkryetaren aktuale, Topalli. Kjo për faktin se nga shumë deputetë, anëtarë të PD-së, por edhe nga vetë kreu i PD-së Berisha, Basha është parë dhe është “reklamuar” në atë mënyrë, si të jetë programuar për të qenë pasardhës i Berishës në PD. Por duket se kjo nuk do të pranohet lehtë nga Topalli, e cila njihet për ambiciet e saj për pushtet. Madje, gjatë katër viteve të kaluara jo pak herë e ka treguar natyrën e saj ambicioze. Aq sa arriti ta ngrejë në nivele të tilla diplomacinë parlamentare, sa arriti të eklipsonte punën e ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha.
Përplasja
Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se nuk ka pasur ndonjë përplasje të hapur mes Topallit dhe Bashës, porse dihet se mes tyre ka ekzistuar një “luftë e heshtur”. Kjo për faktin se Topalli ka synuar gjithmonë postin e ministres së Punëve të Jashtme dhe megjithëse nuk e ka pasur këtë post, ajo ka synuar të krijojë hapësira për të bërë kryediplomaten. Gjatë katër viteve të kaluara kryetarja e Kuvendit arriti të kishte një axhendë të tilla udhëtimesh dhe takimesh me homologët e saj në vende të ndryshme të botës, aq sa eklipsoi rolin e ministres së Integrimit dhe rolin e ministrit të Jashtëm. Në bisedat e saj Topalli kërkonte të bënte lobim jo vetëm për çështje që lidhen me integrimin europian, por për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për firmosjen sa më parë të MSA-së, si dhe së fundi për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave me BE-në. E gjithë kjo veprimtari diplomatike e Topallit është bërë paralel me punën e ministrit të Jashtëm. Pra dy deputetë të Partisë Demokratike dhe dy drejtues të dy institucioneve të rëndësishme të vendit në asnjë moment nuk morën nismën që të hartonin një program pune që synon bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë të dy institucioneve për çështje që lidhen me diplomacinë. Përkundrazi, axhenda diplomatike e kryetares së Kuvendit ka qenë më e ngjeshur dhe më e mediatizuar sesa ajo e ministrit të Jashtëm, aq sa e vendosi në hije punën e këtij të fundit.
Skema
Nga ana tjetër, Topalli nuk mund të pranojë kurrsesi që të ketë homolog në PD një figurë si Basha, i cili synon një karrierë të gjatë në politikë, ashtu sikurse dhe ajo që synon që një ditë të marrë në duar “frenat” e drejtimit të selisë blu. Madje këtë e ka shprehur dhe publikisht kohë më parë, gjatë një interviste. E pyetur nëse Basha mund të jetë pasardhësi i Berishës, Topalli është përgjigjur se kjo është veçse një barcaletë. Së fundi, burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se Topalli, e cila është pjesë e bisedimeve bashkë me Berishën e Boden për krijimin e qeverisë së re, ka kundërshtuar emërimin e Bashës në krye të Grupit Parlamentar të PD-së. Burimet bëjnë të ditur se drejtimin e Grupit mund të vazhdojë ta mbajë Astrit Patozi dhe në rast se ky i fundit merr post ministror, një kandidat favorit që gëzon mbështetjen e Topallit është Ilir Rusmali.

5 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›