Ju falëm gjakun, por jo nderin!
Ne, pasardhësit e atyre figurave të shquara të kombit, që ju i vratë pa i gjykuar fare, vetëm e vetëm me urdhër të padronëve tuaj, Mugosha dhe Popoviç, që në të vërtetë ishin padronët tuaj në kohën e luftës për liri, ju falëm gjakun, vuajtjet dhe mjerimin që kasta juaj na shkaktoi. Jua falëm sepse besonim në veprimin e drejtësisë që, shpejt a vonë, do të thoshte fjalën e saj. Por nuk mund t’ju falim nderin dhe dinjitetin tonë. Ju harroni se koha juaj ka perënduar qysh në dhjetorin e vitit 1990. Ju mendoni se mund të vazhdoni të zbatoni ende luftën e urryer të klasave, parimin bazë të diktaturës suaj. Ju doni të ringjallni dishepujt tuaj, ata që e quanin veten shqiptarë dhe që quheshin Enver Hoxha, Mehmet Shehu e kompani, por harroni se ata janë fshirë përgjithmonë nga faqet e historisë së kombit tonë. Kush jeni ju, zotërinj Majko dhe Milo, që guxoni të përflisni figurat e shquara të këtij kombi, që me veprat e tyre kanë lënë me kohë gjurmë në historinë e këtij vendi, duke i quajtur “plehra”? Po ju dhe paraardhësit tuaj çfarë gjurme kanë lënë në historinë tonë? Ndoshta vetëm atë të antishqiptarizmit, tradhtisë dhe turpit. Nga mbiemrat tuaj kuptojmë se ndërsa njeri prej jush prejardhjen e ka nga sllavët, i dyti i ka pasur ata vegla në shërbim të megalidhesë greke. Ndaj, heshtni dhe mos guxoni të fyeni shqiptarët!
Tani më lejoni t’ju tregoj se kush kanë qenë ata “plehra” që ju i vratë prapa krahëve, si të pabesë që keni qenë. Shembujt po i sjell nga treva ime, Mallakastra, pasi po të përmend Shqipërinë, lista është pafundësisht e gjatë. Më 15 tetor 1943 vritet nipi i heroit Rrapo Hekali, Qazim Selfo Hekali dhe bashkë me të i biri 20-vjeçar Izeti, si dhe nipi, Novruz Jaçia. Historia e kësaj familjeje është mjaft e njohur në Shqipëri, por ju me siguri nuk e dini, pasi prindërve tuaj as u shkonte ndërmend t’ua tregonin.
Terrori i gueriljeve të kuqe vazhdoi me egërsi në të gjithë Mallakastrën, sidomos pas atij tetori të zi të vitit 1943. Në fshatin Drizar vritet oficeri i ushtrisë kombëtare, miku i Fan Nolit, Idriz Dano Drizari, të cilit, pasi e torturuan, e therën me thika duke i prerë kokën dhe duke ia hedhur gërxheve. Në nëntor të atij viti vritet patrioti dhe burri i nderuar i krahinës, Nure Jakup Rromsi. Në shkurtin e vitit 1944 vriten nipi i heroit Haredin Fratari, Qani Rakip Fratari, si dhe patrioti i Luftës së Vlorës në 1920, Ibrahim Kurja. Po kështu vritet pabesisht edhe kryeplaku i fshatit Kreshpan, Qazim Malo.
Lista është shumë e gjatë, por unë u përqendrova në ato më kryesoret. Ky është turpi juaj zoti Majko. Ju po i vrisni ata për të dytën herë dhe bashkë me ta edhe pasardhësit e tyre. Po të kishit pasur pak moral, ju duhet t’iu kishit kërkuar të falur atyre në kohën kur ishit Kryeministër i vendit dhe jo të hidhni një mal me fyerje sot. Sa për Paskalin e Rambujesë, të gjithë e dimë kush ishte ai, që pasi braktisi Kosovën atje, tani na i është kthyer përsëri historisë enveriste të përmbysur. Në rast se doni ta rishkruani atë, atëherë shikoni mirë se kush ishin kolaboracionistë dhe kush jo.
Ndaj dua t’iu them këtyre dy karavidheve se pasardhësit e atyre që kanë një histori të ndritur në Shqipëri, e kanë për nder që janë bijtë e këtyre martirëve që sakrifikuan çdo gjë për hir të së ardhmes së vendit të tyre. Ata janë krenarë se nuk u përulën as nga plumbi dhe as nga litari, as nga burgu dhe as nga internimi, por qëndruan të paepur përpara mizorisë komuniste, sepse në shpirtin e tyre kishin idealin e lirisë, për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri etnike me Kosovë dhe Çamëri, idealin e prindërve të tyre heronj. U them atyre se truri i tyre është mykur dhe nuk prodhon më vlera në dobi të kombit, sepse jeni kopje e prindërve tuaj që dikur këndonin “Bijtë e Stalinit jemi ne”, duke mohuar se bijtë e kujt ishin në të vërtetë. Dëshmorët tuaj nuk binin duke thërritur “Rroftë Shqipëria!”, sikurse e keni pranuar edhe vetë nëpër libra dhe filma, por “Rroftë Partia Komuniste!”. Një gjë e tillë ndodhte sepse ju nuk kishit atdhe. Për ju atdheu ishin Partia Komuniste dhe diktatori Stalin. Kurse të rënët tanë binin me thirrjen lapidar “Rroftë flamuri! Rroftë Shqipëria!”. Bëheni vetë krahasimin se kush ishin “plehra” dhe kush jo. Akuzat tuaja janë ato të shpifura nga një tru i kalbur dhe një shpirt i vdekur.
Rrëzimi i komunizmit në vitin 1990 bëri që ju të mundoheshit të futeshit në vrimat e miut, për t’i shpëtuar ndëshkimit të historisë. Por ne nuk kërkuam hakmarrje, edhe pse e kishim të drejtën morale për të kërkuar një gjë të tillë. Nuk kërkuam, sepse kishim një moral të lartë, sepse s’ishte morale dhe njerëzore, sepse nuk donim që mbi plagët tona ende të pathara të hapeshin plagë të tjera, qofshin ato edhe të kundërshtarëve tanë. Ky ishte mesazhi ynë. Nënat dhe baballarët tanë na kishin ngulitur në zemër dashurinë për Shqipërinë dhe shqiptarët, që të jetonim së bashku si vëllezër të një gjaku dhe të mos vrisnim njeri-tjetrin, ashtu siç bëtë ju. Kështu do të ecnim në rrugën e zhvillimit dhe përparimit. Por ju një gjë të tillë nuk doni ta kuptoni, sepse i tillë është brumi juaj, ndaj nuk ju mbetet tjetër veçse të mbani në ndërgjegjen tuaj vulën e turpit për këtë tradhti të madhe. Mjerë ju për ndërgjegjen tuaj!
*Ish-i burgosur politik