E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Gërdeci”, avokatët do kërkojnë veçimin e çështjes



Shkak, pamundësia e ankimimit pas vendimit të Kolegjeve të Bashkuara. Avokatët: Klientët tanë, as ministra dhe as deputetë për t’u gjykuar në Gjykatën e Lartë

Dosja “Gërdeci” parashikohet që për disa seanca të mos ketë asnjë zhvillim, përveç shtyrjeve për shkak të kërkesave që pritet të paraqiten nga pala mbrojtëse. Kërkesa kryesore do të jetë ajo e veçimit të gjykimit, për shkak se të pandehurve u humbet e drejta e ankimimit të vendimit nëse gjykohen nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Pamundësia e ankimimit të vendimit në një shkallë tjetër gjyqësori konsiderohet një shkelje e të drejtës së njeriut nga avokatët, një e drejtë që klientëve të tyre u takon me ligj. Sipas avokatëve, me dërgimin e dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme iu ka mohuar të drejtën për gjykim edhe në shkallë të tjera 29 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit. Të kontaktuar nga gazeta “standard”, burime nga mbrojtja janë shprehur se Gjykata e Lartë ka si kompetencë gjykimi si Gjykatë e Shkallës së Parë deputetët, ministrat etj., siç përcaktohet edhe nga neni 141 i Kushtetutës, ndërsa të pandehurit e tjerë nuk duhet të gjykohen nga Gjykata e Lartë. Sipas mbrojtjes, të gjithë të pandehurit e tjerë do të humbisnin çdo mundësi që të gjykohen nga një shkallë më e lartë gjyqësori, ndërkohë që është një e drejtë që u takon me ligj, ajo e ankimimit të vendimit. Për këtë arsye, mbrojtësit kanë argumentuar se dosja duhet të ndahet dhe të gjykohet nga Gjykata e Shkallës së Parë, në mënyrë të tillë që në Gjykatën e Lartë të gjykohet vetëm ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Pamundësia e ankimimit

Burime nga mbrojtja sqarojnë se të pandehurit nuk kanë mundësi ankimimi, pasi Gjykata Kushtetuese gjykon vetëm zbatimin e anës procedurale për një proces të rregullt ligjor dhe nuk është një shkallë gjyqësori. Ky është motivi pse seanca e parë, por edhe të tjerat në vazhdim nuk do të sjellin ndonjë risi, pasi do të ngulmohet në veçimin e gjykimit nga të gjithë avokatët për klientët e tyre, të cilët nuk janë as ministra dhe as deputetë. Madje, do t’i kërkohet që në seancën e parë Kolegjit Penal, veçimi i gjykimit për ta dhe shpallja e moskompetencës, me qëllim gjykimin nga Gjykata e Shkallës së Parë. Por, për këto pretendime të ngritura nga mbrojtja kontaktuam edhe organin akuzues, prokurorët. Sipas tyre, kërkesa e mbrojtjes është ligjore, por duhet marrë parasysh se kemi të bëjmë me një procedim të lidhur. Kjo ka qenë arsyeja pse janë dërguar të gjithë të pandehurit bashkë në Gjykatën e Lartë. Megjithatë, sipas prokurorëve, është Gjykata e Lartë ajo që do të vendosë për këtë kërkesë të tyre.

Kushtetuta

NENI 141

1. Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Ajo ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

2. Për njësimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë ka të drejtë të tërheqë për shqyrtim në kolegjet e bashkuara çështje të caktuara gjyqësore.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›