Gjykimi i shkurtuar, “pendohet” Ilir Paja
TIRANE – Ilir Paja, personi i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë të një agjenti policor, kërkon gjykim me kohë të shkurtuar. Kërkesa e Pajës i është bërë dje gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Idriz Mulkurti, i cili kryeson pesëshen gjykuese të kësaj dosjeje. Në seancën e djeshme të paraqitjes së kërkesave paraprake, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Paja i ka kërkuar gjykatës që gjykimi i klientit të tij të bëhej vetëm mbi bazën e akteve që ndodhen aktualisht në dosje. Gjykata ndërpreu seancën dhe e shtyu atë për një datë të re, ku do të shprehet edhe në lidhje me pranimin ose jo të kërkesës. Ngjarja për të cilën do të gjykohet nga Krimet e Rënda Ilir Paja, emri i njohur për dy arratisje nga burgjet italiane, ka ndodhur më 6 mars të vitit 2008. Ndërsa ishte person në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale të kryera në Gjermani dhe në Itali, ai është parë nga dy agjentë të operacioneve speciale teksa lëvizte me një automjet tip “Fiat puno” përballë maternitetit “Koço Gliozheni” në kryeqytet. Njëri nga agjentët i ka bllokuar korsinë me një motor dhe tjetri i është afruar duke i thënë “Policia, dorëzohu!”. “Sapo ka parë policët që po i drejtoheshin atij, Ilir Paja ka reaguar duke lëvizur makinën indietro me shpejtësi. Ai ka marrë poshtë motorin e agjentit B.H, ndërsa mjeti ka vazhduar lëvizjen duke kaluar trafikndarësen dhe duke mbajtur nën vete zvarrë, motorin dhe agjentin e policisë”, thuhej në kërkesën për gjykim. Aksioni është pasuar me shkëmbim zjarri, ku është plagosur Paja, i cili është prangosur më pas. Nga drejtësia shqiptare, Paja akuzohet për “vrasjes të mbetur në tentativë në rrethana të cilësuara”, ndërsa nga në Gjermani dhe Itali ai akuzohet për vrasje, trafik droge, vjedhje të vilave, rrëmbim personi, dhunë seksuale e deri te shfrytëzim prostitucioni. ar.ba