Heroina, 18 vjet burg dy ushtarëve
TIRANE – Korrierët “Komando” të heroinës rrezikojnë nga 9 vjet heqje lirie, nëse Gjykata e Tiranës pranon kërkesën e Prokurorisë. Prokuroria e kryeqytetit paraqiti dje përpara gjykatës diskutimin përfundimtar të dosjes në ngarkim të Elvis Arifajt, Martin Gjocajt dhe Mehmet Belbes, të akuzuar për “prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, si edhe të “moskallëzimit të krimit”. Në përfundim përfaqësuesi i akuzës kërkoi nga gjykata dënimin me nga 9 vjet heqje lirie për Elvis Arifajn dhe Martin Gjocajn, ndërsa 3 vjet për Mehmet Belbën. Tre të pandehurit e kësaj çështjeje u arrestuan në gusht të vitit 2008 pranë stadiumit “Qemal Stafa” në kryeqytet, teksa ishin duke shitur një sasi prej rreth 1 kilogramë heroinë një agjenti policie të infiltruar. Sipas Prokurorisë, Elvis Arifaj dhe Martin Gjocaj, të dy ish efektivë të repartit “Komando” të Zall-Herrit ishin “punësuar” nga Mehmet Belba kundrejt pagesës për transportin e lëndës narkotike. Momentin e arrestimit nga ana e policisë ishte inskenuar vendi i shkëmbimit të mallit me paranë dhe menjëherë të tre ata janë arrestuar. ar.ba