E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ju pres deri më 30 qershor”

Autori i Lajmit: red.
Drejtoria e Informimit Publik të Institucionit të Presidencës bëri të ditur se u mblodh dje grupi i punës i ngritur nga Kreu i Shtetit për asistencë ligjore në përzgjedhjen e aplikimeve të kandidatëve për vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Anëtarët e këtij grupi po punojnë duke shqyrtuar dhe diskutuar mbi kriteret ligjore dhe standardet e tjera profesionale, në bazë të të cilave Presidenti i Republikës do të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. “Grupi i punës administroi sugjerimet e ardhura nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe është në pritje deri ditën e hënë, më 30 qershor 2008, të propozimeve mbi standardet dhe kriteret, veç atyre ligjore, nga të gjitha partitë politike parlamentare. Pas ditës së hënë, grupi i punës do të diskutojë në mënyrë integrale standardet dhe kriteret e propozuara e të sugjeruara, për t i paraqitur më pas Presidentit të Republikës një material përfundimtar”, - thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ky lajm është publikuar: 27/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›