E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi elektoral para zgjedhjeve të 2009-ës

Autori i Lajmit: red.
“Procesi i dorëzimit të kartave të identitetit do të nisë në fillim të vitit dhe i gjithë procesi i dorëzimit të kartave të identitetit të shqiptarëve do të mbyllet brenda një periudhe 6-mujore”, - ka sqaruar ministrja e Integrimit

Shqipëria duhet të ketë gati para zgjedhjeve të vitit 2009 kodin elektoral dhe kartat e identitetit. Këto kritere janë theksuar dje nga Komisioni Evropian gjatë takimit të radhës i Taske-Forcë këshillimore Shqipëri-KE, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas ratifikimit. Në përgjigje të këtij qëndrimi, Shqipëria i ka premtuar KE-së se brenda shtatorit të vitit 2008 do të ketë gati kodin elektoral për zgjedhjet e ardhshme. Në takimin e zhvilluar në Bruksel është theksuar gjithashtu se duhet mbrojtje më e mirë e pronës, sidomos kur bëhet fjalë për kompanitë evropiane, dhe të miratohet urgjent nga Parlamenti ligji “Për shpifjen” pas modifikimit të Kodit penal. Po në këtë takim u diskutua edhe planveprimi për zbatimin e strategjisë kundër korrupsionit në Shqipëri dhe zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
Takimi
“Procesi i dorëzimit të kartave të identitetit do të nisë në fillim të vitit dhe i gjithë procesi i dorëzimit të kartave të identitetit të shqiptarëve do të mbyllet brenda një periudhe 6-mujore”, - ka sqaruar ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Ndërkohë që ajo ka sqaruar më tej se dhe kodi elekoral në kuadër të reformë zgjedhore pritet të jetë gati brenda shtatorit të këtij viti. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit pritet të hyjë më shpejt në fuqi në krahasim me atë që kishin parashikuar zyrtarët e Bashkimit Evropian, të cilët kanë përmendur eksperiencat e vendeve të tjera të rajonit, Kroacisë dhe Maqedonisë, për të cilat ratifikimi i MSA-së ka kërkuar 3 vjet nga 15 anëtarët e asaj kohe. Ndërkohë KE mendon se Shqipëria duhet të bëjë më shumë edhe në drejtim të të drejtave të autorit. Përpara raportit, KE pret ndërkohë që Shqipëria të ketë miratuar një plan kundër krimit të organizuar dhe një plan të detajuar kundër korrupsionit.

Ky lajm është publikuar: 27/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›