E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: “Edhe ne kemi kriteret tona”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste do t i dorëzojë sot Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kriteret e kërkuara prej saj për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, pohoi se pas marrjes së letrës së Kreut të Shtetit, grupi i punës po merret me shqyrtimin e saj dhe pritet që sot të ketë një përgjigje, edhe pse PD e ka dorëzuar atë më parë. “Nuk po bëjmë garë me Partinë Demokratike se kush do ta çojë më parë përgjigjen e letrës që ka ardhur nga Presidenti. Ne e kemi marrë letrën. PS ka treguar seriozitet duke ia dhënë letrën ekspertëve, pra është në proces vlerësimi. Shumë shpejt, nesër, do të ketë një përgjigje për Presidentin e Republkikës, e cila, natyrisht, do t u bëhet e ditur dhe juve”, - tha Leskaj për median. E pyetur nëse Grupi Parlamentar Socialist do të mbështeste përsëri 5 emrat, në rast se ata rivijnë në Kuvend, Leskaj pohoi se nuk mund të komentojë një çështje për të cilën nuk ka informacion. “Nuk kemi informacion për sa u përket 5 emrave, nëse janë apo jo kandidatë për poste në Gjykatën e Lartë. Pasi të kemi një informacion do të ketë një vlerësim tonin”, - tha ajo. Dy ditë më parë, Partia Demokratike i ktheu përgjigje Kreut të Shtetit për përzgjedhjen e kandidatëve të Gjykatës së Lartë. Në letrën e firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar Demokrat, Astrit Patozi, përcaktoheshin 4 kritere përveç atyre ligjore dhe të caktuara me Kushtetutë, për përzgjedhjen e kandidaturave. PD kërkon që emrat për kandidatë të Gjykatës së Lartë të mos kenë marrë pjesë gjatë karrierës së tyre në procese politike, të mos kenë favorizuar apo ndihmuar gjatë hetimit dhe gjykimit individë ose anëtarë të organizatave kriminale, të mos jenë përfshirë në vendime gjyqësore me konflikt interesi si dhe të kenë bërë transparente dhe të kenë justifikuar pasurinë e tyre.
Ky lajm është publikuar: 27/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›