Kameruni i jep lamtumirën Botërorit
Danimarka ka kthyer gjithçka në favor të saj duke fituar ndeshjen e dytë në grupin E ndaj Kamerunit. Ndërsa këta të fundit i kanë dhënë lamtumirën përfundimisht këtij kompeticioni pasi dy humbjeve radhazi, me Japoninë dhe mbrëmë me Danimarkën. Në fakt loja për afrikanët nisi shumë mirë, aq sa kaluan në avantazh me anë të kapitenit të tyre, Samuel Eto’o. Por atëherë kur pritej goditja “vdekjeprurëse” e Kamerunit erdhi goli i barazimit të danezëve. Një zbritje e shpejtë në krah të djathtë të sulmit, kros i Romedal, i cili gjen komplet të lirë në zonë Niklas Bendtner. Ky i fundit, një metër larg vijës fatale nuk e ka vështirë të barazojë. Loja vazhdoi më pas me sulme në të dyja skuadrat ku Eto’o goditi edhe shtyllën. Për hir të së vërtetës, Kamerun-Danimarka ka qenë një ndër ndeshjet më impresionuese dhe me më shumë raste për gol. Takimi vazhdoi me sulme nga të dyja ekipet edhe në pjesën e dytë por ishte Romedal ai që u tregua më i saktë duke shënuar edhe golin e fitores për Danimarkën. Në minutat në vazhdim Kameruni tentoi disa herë të ndryshojë rezultatin e ndeshjes por pa arritur që të rrezikojë portën e Sorensen, kjo edhe për mbrojtjen e ngjeshur që aplikuan më pas danezët.