E Diel, 1 Nëntor 2026

Ju rrëfej familjen Mëlyshi mes regjimit komunist dhe SHBA-së

Flet Albana Mëlyshi ( Lifschin), shkrimtarja që ngre ura lidhje mes shqiptarëve dhe Amerikës. Emocionet e papërmbajtura në takimin me ish-presidentin Bill Klinton

Vera Pelaj

Albana Mëlyshi rrëfen në një intervistë gjithë jetën e saj dhe të familjes me origjinë nga Mirdita. Ish-gazetarja e njohur e TVSH-së gjatë viteve 80-të, është kthyer sot në një urë të fortë lidhjeje mes shqiptarëve dhe Amerikës. Ajo është autore e disa librave me tregime, poezi dhe të karakterit historik. Për herë të parë, Albana tregon edhe raportet me gjyshin e saj dhe refuzimin e qeverisë komuniste për ta varrosur në Shqipëri, pas 45 vitesh emigrimi. Sot Albana Mëlyshi (Lifschin) është në SHBA, jo vetëm si ambasadore e vendit të saj, por edhe një artiste që integron kulturat dhe mentalitetet e dy vendeve.

Zonja Albana, keni punuar në RTSH, në kohën kur censura ishte e pashmangshme. Çka kujtoni më shumë kur ktheheni në retrospektivë?

Kohën, kur kam punuar në TVSH, e kujtoj me kënaqësi si kushdo që e dashuron profesionin e vet, por edhe si një periudhë tensioni edhe stresi të vazhdueshëm. Stresi ishte i lidhur jo vetëm me procesin e dorëzimit në kohë të programeve për transmetim, por më shumë me censurën dhe vetëcensurën. Gjatë punimit të një emisioni televiziv, ne, krijuesit, i njihnim mirë kornizat brenda të cilave nuk mund të lëviznin as edhe një milimetër. Emocionet e redaktorit nuk gëzonin asnjë ndjenjë lirie. Nëse do të shtonim një paragraf në tekst për kënaqësinë tonë, ishim 100 për qind të sigurt që do të na e hiqnin gjatë kontrollit, para transmetimit. Censura kalonte deri në ekstrem. Një herë më thirri drejtori i Përgjithshëm i RTSH për të më kërkuar llogari, sepse në një koncert fëmijësh në Durrës. Ai më kritikoi duke më thënë se kisha nxjerrë fëmijë “pa dhëmbë", “sikur të jenë pleq!”. Guxova t'i kujtoja që është mosha e ndërrimit të dhëmbëve.
Një herë tjetër, po i njëjti drejtor më thirri duke më tërhequr vërejtjen që regjisorja e redaksisë sonë nuk kishte nxjerrë në ekran mbesën e kryeministrit (Mehmet Shehut). "I ka mendjen në vend kjo regjisorja juaj? Shkon në kopshtin e fëmijëve ku është mbesa e kryeministrit, e nuk e nxjerr në ekran? Niseni menjëherë me shërbim të bëjë emision tjetër!” E vërteta ishte që mbesa e kryeministrit atë ditë nuk kishte vajtur fare në kopësht, e kur kishte parë në mbrëmje koncertin e shokëve të saj, kishte zënë të qante, se pse ajo nuk qe në ekran bashkë me shoqet. Natyrisht, nipërit e mbesat janë të ëmbël për gjyshërit, por bubullima e gjyshit të saj shkundi televizionin.
Për një kohë kam përgatitur e drejtuar në ekran emisionet për të rinj. Ndodhi që ndonëse isha e sëmurë dhe isha këshilluar nga mjekët për t’u shtruar në spital për operacion, nuk mundesha kurrsesi pa përgatitur së paku programe rezervë për tre javë rresht. Dhe, kur programet e mia ishin në transmetim, çdo të premte njëra pas tjetrës, askush veç familjes dhe të afërmve, nuk e dinte që unë, redaktorja, - që spektatorët e shihnin të gjallë në ekran, - luftoja në spital në mes jetës dhe vdekjes.

Pavarësisht nga censura, ju kishit një vend pune të mirë. Pse e latë Shqipërinë dhe shkuat në Amerikë?

Nuk e lashë Shqipërinë, në 1992, kur bleva biletën për Nju Jork, dhe nuk e kam lënë as sot, 18 vjet më pas. Siç e theksuat edhe ju, unë kisha një punë shumë të mirë në atdhe. Punoja për Televizionin e Tiranës, kisha gjithë familjen dhe rrethin shoqëror që më donte e respektonte atje. Madje, atë kohë sapo kisha mbaruar një cikël të rëndësishëm televiziv për periudhën e tranzicionit në Shqipëri. Atë vit, në 1992-in unë e mora avionin për në Amerikë në rrethana të jashtëzakonshme familjare dhe aspak me mendimin për të ndenjur përgjithnjë atje. U nisa për t’i qëndruar pranë gjyshit tim, Nikoll Mëlyshit, në ditët e tij të fundit. Ai po mbyllte sytë larg familjes, mungesën e të cilës e kishte vuajtur për 45 vjet rresht. Isha e vetmja “përfaqësuese” nga Shqipëria. Ndoshta është vendi këtu të bëj një prezantim më të gjatë, që ju ta kuptoni se ç’ishte për mua dhe familjen time ai udhëtim. Unë jam e mbesa e Pal Mëlyshit “Heroi i Popullit” dhe e Nikoll Mëlyshit (babai i Palit), nacionalist dhe antikomunist i betuar. Gjyshi im shkoi në luftë për të luftuar okupatorin, por, duke vënë një kusht: “Dorën grusht nuk e bëj dhe yllin e kuq në kapelë nuk e mbaj, sepse ato s’janë shenja shqiptare”. Vinte nga një familje bajraktare, e nderuar në Mirditë. Kur u kthye nga lufta për çlirimin e vendit, u ndesh me një zhgënjim të paimagjinueshëm. E gjeti shtëpinë e tij (kullën) të djegur nga partizanët, si edhe të gjithë familjen të internuar. Sado e pabesueshme të tingëllojë kjo, është plotësisht e vërtetë. Tek vështronte harkun e mermertë të derës, me emrin e të atit “Gjon Melyshi-bajraktar”, e asnjë këmbë njeriu, ai ndjeu tradhtinë e madhe që i ishte bërë. Në këto rrethana, u detyrua të arratisej, e ta linte atdheun e vet, për lirinë e të cilit luftoi, e ndoshta do të kishte rënë dëshmor.

Nga ajo ditë duhej të kalonin 45 vjet rresht, me kujtimin e familjes së tij si relike të shtrenjtë në shpirt.. Asnjë komunikim nuk iu lejua me familjen nga qeveria e Tiranës, edhe pse babai ishte hero. Por, qe antikomunist dhe kishte shkruar libra kundër qeverisë së Tiranës, ku numëronte fakte të vrasjeve dhe eliminimit pa gjyq të shumë kundërshtarëve të saj nga krahinat e Veriut, veçanërisht në Mirditë, përfshirë këtu edhe 8 pjesëtarë nga familja e tij. Gjyshi kishte shtetësinë amerikane, por kokën e zemrën e kishte në Shqipëri. Ka banuar në Nju Jork, dhe ka qenë anëtar i vjetër i organizatës panshqiptare “Vatra”. Mjaft nga miqtë që e kanë njohur janë ende gjallë. Pas 45 vjetësh, në vitin 1989, i ndarë nga familja në atdhe, na dërgoi një telegram ku thuhej: “Mbusha 90 vjeç, a mund të vij të vdes në vendin tim? Baba.”

Familja i kërkoi leje Qeverisë që ta pranonte babanë në atdhe. Mirëpo, përgjigja erdhi negative. Ai burrë i vjetër kërkonte një copë varr në vendin ku kishte lindur, por edhe kjo iu mohua nga qeveria e Ramiz Alisë. Në fund të vitit, pa i marre leje askujt dhe i vendosur për të parë familjen e tij, pas 45 vjet ndarje, mbërrin në aeroportin e Tiranës, Qe tronditje e madhe emocionale për familjen, ndërsa për Qeverinë duket se ishte një tërmet, sepse na solli Sigurimin në shtëpi për t’i dhënë urdhër plakut 90-vjeçar, babait të heroit, të kthehej menjëherë nga kishte ardhur, si person “non grata”. Im gjysh u kthye në Nju Jork, i detyruar për herë të dytë të linte atdheun.

Atë kohë unë punoja për televizionin shtetëror. Qe hera e parë që pashë me sytë e mi fytyrën mizore të diktaturës. Pas kësaj, im gjysh u sëmur me kancer në pankreas. Ndërkohë, Shqipëria u hap me botën dhe u vendosën marrëdhëniet diplomatike me SHBA. Atëherë unë intervistova konsulleshën e parë amerikane në Tiranë, Barbara Cummings lidhur me kriteret e dhënies së vizave për qytetarët shqiptarë. Unë vetë isha nga të parat që mora vizë dhe erdha në Amerikë. Erdha, - siç thashë më lart, - për t’i qëndruar pranё gjyshit tim, në ditët e fundit të jetës së tij. I detyrohesha në emër të familjes. Mbi këtë ngjarje kam shkruar tregimin “Shamia e zezë”, tregim i cili mori vlerësime maksimale nga kolegë dhe lexues. Shumë miq më sugjeruan ta shtrija në përmasat e një romani. Këtë tregim e kam përfshirë edhe në librin tim të fundit “Magjia e një zëri”.

Pas vdekjes së gjyshit tuaj, ju qëndruat në Amerikë. Si arritët të integroheni në shoqërinë amerikane?

Kur mendova se mund të qëndroja në Amerikë për një kohë të gjatë, i thashë vetes që duhet t’i kthehem edhe një herë shkollës. Intelektuali në dhe të huaj ka nevojë të kompensojё jetën shpirtërore. Pa të ai vdes. Mora një diplomë për biznes. Këtë e bëra duke menduar se do të më shërbente po qe se do të kthehesha në Tiranë, (megjithëse e kam ditur se unë kurrë s’kisha për t’u bërë një biznesmene e mirë) dhe të dytën për Paralegal nga Universiteti i Nju Jorkut. Në Tiranë më pat mbetur merak se nuk mbarova edhe fakultetin juridik. Kështu, aktualisht punoj në një zyrë avokatie që merret me problemet e emigracionit, të rregullimit të statusit të emigrantëve të rinj, pra në një fushë njerëzore- zgjedhja ime më e preferuar. Njohja me ta dhe me studentët e mi emigrantë, pasi edhe jap mësim në Institutin “Globe”, në Manhattan, më ka frymëzuar në punën time krijuese.

Keni 17 vjet që jetoni në Nju Jork dhe përsëri vazhdoni të keni në fokus të krijimtarisë tuaj temën e emigrimit. Pse?

Në Amerikë përditë vazhdojnë të vijnë emigrantë të rinj. Të gjithë kalojnë në rrugën e vështirë të njohjes dhe përshtatjes me realitetin amerikan, ndërtojnë ëndrrat e përcaktojnë objektivat që duan të arrijnë për veten dhe fëmijët e tyre. Në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, në mënyrë të ngadaltë, por të natyrshme, përqafojnë edhe identitetin e tyre të ri, atë amerikan, e megjithatë dashuria e malli për vendlindjen mbetet i madh. Është një ndjenjë e thellë e pashpjegueshme. Me trup në Amerikë e me mendje e zemër në Shqipëri. Kështu ka ndodhur gjithnjë me gjeneratën e parë të emigrantëve. Ka një shprehje të trashëguar që thotë se emigrantët e parë "trupin e kanë në Amerikë dhe qafa u zgjatet mbi Atlantik". Është një temë që nuk duket se ka të shteruar. Në të kundërtën ende lexohet me interes.

Duket se libri më tipik i juaji në këtë drejtim, është ‘Ura mbi oqean”. Menjëherë të shkon mendja se kjo është urë e hedhur midis Shqipërisë dhe Amerikës. Çfarë të veçante ka ky libër në krahasim me tre librat që keni botuar më parë dhe pёrse ky libër u promovua nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë?

E veçanta është se që në konceptim unë i vura vetes qëllim që ky libër t’u përkushtohej emigrantëve të rinj që vijnë në Amerikë. Është për ata që bëjnë gati valixhet, por edhe për ata emigrantë që porsa kanë ardhur në këtë botë të madhe dhe e ndjejnë veten të humbur, po nuk u ndihmuan. Dikush e quajti “guidë” për emigrantët, sepse nëpërmjet tregimeve të këtij libri, veç të të shijuarit estetik, ai gjen edhe një informacion të bollshëm, realist, për jetën amerikane, sheh rrugën nëpër të cilën do të kalojë dhe mëson si të orientohet në këtë botë të madhe. Nëse promovimin e tij e organizoi Instituti i Diasporës në Ministrinë e Jashtme, mendoj se ka qenë pikërisht kjo arsyeja. Instituti i Diasporës e bëri si aktivitet të vetin. Më ftuan në promovim bashkë me bashkëshortin tim. Zoti Flamur Gashi, Drejtor i Institutit të Diasporës, i cili drejtoi këtë aktivitet e vlerësoi librin, si një shërbim të mirë për emigrantët shqiptarë të Amerikës....

Krijimtaria juaj është vlerësuar shumë nga profesionistë të fushës se letrave dhe shquheni si shkrimtare që bazohet në jetën reale. Mendon se suksesin tuaj në letërsi e keni arritur pikërisht për këtë?

Realizmi është zemra e krijimtarisë sime. Pa të nuk do të isha unë. Jam adhuruese e Heminguejt dhe Çehovit, dy nga prozatorët e mijë më të preferuar. Materialin e gjallë ata e merrnin nga jeta, madje edhe nga vetë jeta e tyre. Kjo, mendoj se i bëri tё pavdekshëm. Heminguej ka thënë se për një shkrimtar është vitale të vёzhgojё dhe të hedhë në letër vёzhgimet e tij, saktësisht. Ai ndjente që materiali i shkrimtarit duhet të vijë nga pёrvoja personale, përndryshe nuk do të qe bindës. Duke e zbatuar këtë në praktikë, nobelisti gjithnjë merrte me vete një makinë shkrimi, kudo që shkonte. Çehovi, nga ana tjetër, me tregimet e tij, krijoi mërira tek miqtë më të afërt. Nëse “njeh” jetën e rrethin e të njohurve të Çehovit, disa nga ata i gjen në tregimet e novelat e tij.

Kur libri juaj "Children of Kosova…" u aprovua si tekst shkollor, nga Ministria e Arsimit e Nju Jorkut, qe padyshim sukses i madh për ju. Ishte hera e parë që kjo ndodh me një autore shqiptare apo jo?

Qe një rastësi. Një mësues amerikan që kishte lexuar librin, i pat sugjeruar Polit, bashkëshortit tim, që t'i dërgonim një kopje Bordit të Arsimit të Nju Jorkut. Ai vetë, si mësues i shkollës së mesme, e gjeti interesant librin për lëndën e studimeve sociale dhe e kishte punuar në klasë. Ne ndoqëm këshillën e tij. Pas dy muajsh, na erdhi një shkresë e Bordit të Arsimit të Nju Jorkut që thoshte se libri qe aprovuar si 'text book" për klasat 6-12. Nuk më besohej. Libri e kishte tejkaluar parashikimin tim.

Ky libër i është dhënë vetë presidentit Bill Klinton me dedikim nga dora juaj. Si ndodhi?

Në takimin e organizuar nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan (NAAC) për nder të Presidentit Klinton, për kontributin që ai dha për çlirimin e popullit të Kosovës, ky libër qe vendosur në çdo tavolinë për çdo të ftuar në atë darkë. Natyrisht, edhe në tavolinën ku qe ulur presidenti, përpara tij. Një nga shoqëruesit e tij m’u afrua me librin në dorë, duke më kërkuar të nënshkruaj me dedikim për presidentin Klinton. Sinqerisht u emocionova kaq shumë, sa atë moment thashë se s'dija asnjë fjalë anglisht. Por, mbaj mend që kam shkruar: "God Bless you, Mr. President!”. Nga ajo darkë, kam kujtim një fotografi ulur në tavoline, në krah të tij. Kur ke nderin të qëndrosh pak minuta pranë njerëzve të mëdhenj dhe e bisedon qoftë edhe për pak me ta, ndjen madhështinë e tyre...Kjo qëndron pikërisht në thjeshtësinë që kanë….

Si zhvillohet jeta letrare shqiptare në Amerikë?

Tek ne ka një organizatë shkrimtarësh të krijuar nga poeti Gjekë Marinaj, - “Shoqata e Shkrimtarëve”, - e cila herë pas here bën promovime të librave të anëtarëve të saj si edhe organizon aktivitete. Po ashtu, ka mjaft shkrimtarë e poetë të njohur, të cilët nuk janë inkuadruar në të, por që botojnë vazhdimisht. Mendoj që në përgjithësi shkrimtarët tanë më të mirë, janë shpërndarë kontinenteve dhe punojnë në heshtje në modestinë e tyre. U duket sikur i kanë harruar, dhe në fakt e vërteta është që në lulëzimin e shumëllojshëm të një letërsie të re masive, pak veta kujtohen për profesionistët. Edhe për të botuar një libër, atyre u duhet të kërkojnë sponsorë, kur botuesit duhet t’ua marrin librin nga dora.

Në pranverën e vitit 2008, jeni nderuar edhe me titullin “Gruaja e vitit” nga organizata e gruas Shqiptaro -Amerikane në Nju Jork “Motrat Qiriazi”. ǒka do të thotë ky vlerësim për juve?

Organizata “Motrat Qiriazi” është organizata më e vjetër e gruas Shqiptaro -Amerikane në SHBA, me qendër në Nju Jork, që drejtohet nga aktivistja e njohur dhe e respektuar këtej dhe përtej oqeanit, Dr. Anna Kohen. Është vlerësim i madh dhe jam mirënjohëse. Aq më tepër që këtë titull e përcaktuan në një ditë të shënuar, në festimin e 15 vjetorit të krijimit të organizatës. Qe një nder i bërë në një përvjetor të veçantë të kësaj organizate, gjë që s’harrohet.

Intervista është marrë me shkurtime nga libri i gazetares Vera Pelaj me titull "Kaleidoskopi i letërsisë shqiptare", i botuar para pak ditësh në Shqipëri

PORTRET

Albana Mëlyshi (Lifschin) ka mbaruar Fakultetin e Gazetarisë në vitin 1973, në Universitetin e Tiranës. U emërua fillimisht si gazetare tek gazeta “Zëri i Rinisë” dhe në vitin 1977 në Televizionin Shtetëror (TVSH). Punoi në televizion deri në vitin 1992, periudhë që përkoi me largimin në Nju Jork. Në vitin 2001 mbaroi studimet në një nga universitetet prestigjoze të Nju Jorkut. Që nga viti 2002, Albana punon në një zyrë avokatie që merret me problemet e migracionit, si dhe jep mësim në Institutin Globe, Manhattan. Zonja Albana Lifschin është ndër anëtaret e para të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro - Amerikanё që në themelimin e saj. Është autore e 10 librave në prozë dhe poezi si dhe autorja e librit të parë për historinë e SHBA-së, në gjuhën shqipe me titull “Udhëtim në historinë e Amerikës”, botuar në vitin 2003. Zonja Mëlyshi-Lifschin ka shkruar librin dokumentar në anglisht dhe shqip “Children of Kosova –stories of horror”(Fëmijët e Kosovës-histori tmerri) dedikuar ngjarjeve të vitit 1999, gjenocidit të popullsisë kosovare nga regjimi Milosheviçit. Albana ёshtё autore e 5 vëllimeve me tregime, me tematikë jetën e emigrantëve në emigracion. Libri i saj “Ura mbi oqean” ka në fokus përpjekjet e emigrantëve për t’iu përshtatur jetës dhe kulturës amerikane. Libri i saj i fundit është “Magjia e një zëri”. Në maj të vitit 2008, zonja Albana Melyshi Lifschin, nderohet me titullin, “Gruaja e vitit” nga Organizata e Grave shqiptaro-amerikane “Motrat Qiriazi”.

5 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›