E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Obama vendos shpimin e brigjeve të vendit për naftë



Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama ka vendosur të lejojë shpimin për naftë para bregdetit të vendit, çka ka sjellë reagimin e menjëhershëm të veprimtarëve, të cilët janë shprehur të tmerruar për këtë veprim. Megjithatë, duket se ky vendim nuk ishte i pamenduar mirë. Gjatë fushatës zgjedhore, Obama ishte paraqitur si kundërshtar i të ashtuquajturave “offshore drillings” dhe pas marrjes së detyrës i kishte ngrirë njëherë planet për shpime të paraardhësit të tij Xhorxh Bush, por në fund të janarit në fjalimin mbi gjendjen e kombit Obama nuk paralajmëroi vetëm ndërtimin e centraleve të reja bërthamore, por edhe vendime të vështira në lidhje me hapjen për shpime nafte dhe gazi të terriroreve në bregdet. Ai tha në bazën ajrore “Andreus” në shtetin Merilend, se nuk e kishte marrë lehtë këtë vendim, por ishte e nevojshme që të eksploroheshin territore në det për shpime, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të shpresohej rritje ekonomike dhe vende pune. Ndër rajonet ku lejohen pjesërisht për herë të parë shpime bën pjesë bregdeti i Atlantikut nga Florida deri në Delavare, pjesa lindore e Gjirit të Meksikës dhe bregdeti verior i Alaskës. Tabu për firmat e naftës dhe të gazit mbetet ndër të tjera bregdeti perëndimor dhe një territor në Alaskë, ku jetojnë balena të rrezikuara dhe ku peshkohet shumë. Mbrojtësit e mjedisit reaguan të tmerruar ndaj planeve. Sipas tyre, kjo është një politikë energjetike absolutisht e prapambetur. Por, pas paralajmërimit qëndrojnë llogari politike. Së afërmi Obama do të kalojë në Kongres ligjin e tij për mbrojtjen e klimës dhe shpreson që me planin e ri të tërheqë në anën e tij republikanët. Megjithatë, vëzhguesit e konsiderojnë strategjinë si tepër të rrezikshme, pasi Obama zemëron senatorët e partisë së vet, që janë kundër shpimeve të tjera në det.

Afganistan
Vriten 5 ushtarë afganë dhe 3 ushtarë gjermanë

Ushtarët gjermanë kanë vrarë pa dashje pesë ushtarë afganë, pak orë pas vrasjes së tre ushtarëve gjermanë në afërsi të Kundusit. Në afërsi të Kundusit dy automjete civile kishin lëvizur në drejtim të një grupi ushtarësh gjermanë dhe nuk kishin ndaluar për kontroll. Sipas informacioneve, ushtarët gjermanë ishin duke kontrolluar një rrugë për mina, kur ranë në një kurth të talebanëve islamistë. Tre ushtarë humbën jetën, ndërsa katër të tjerë morën plagë të rënda në luftimet disaorëshe me talebanët islamistë në Çar Dahar pranë Kundusit.

Rusi
Shtohen masat e sigurisë për Pashkë

Rreth 11 mijë policë do të patrullojnë në Moskë këtë fundjavë gjatë kremtës së Pashkëve ortodokse, pas sulmeve vdekjeprurëse në metronë e qytetit që lanë 40 të vdekur. Shtimi i masave të sigurisë është bërë në prag të meshës së kreut të Kishës Ortodokse, e cila u mbajt dje në mesnatë në kishën në qendër të Moskës. Në shërbesë morën pjesë zyrtarë dhe politikanë. Masa të shtuara sigurie gjatë fundjavës janë ndërmarrë edhe në qytetet e tjera të Rusisë. Ministria e Brendshme tha se në mbarë Rusinë, më shumë se 100 mijë policë dhe 3.500 trupa do të jenë në detyrë.

Venezuelë
Putin-Çavez, marrëveshje për energjinë

Kryeministri rus Vladimir Putin ka nënshkruar një seri marrëveshjesh kyçe me presidentin venezuelian Hugo Çavez, gjatë një vizite në Karakas. Çavez ka deklaruar se Rusia ka rënë dakord për të ndihmuar Venezuelën me një impiant bërthamor për energjinë dhe në ngritjen e industrisë së hapësirës. Gjithsesi, lideri venezuelian, prej kohësh kundërshtar i politikës së Uashingtonit, ka theksuar se marrëveshjet nuk përbëjnë një aleancë kundër Shteteve të Bashkuara. Në Karakas, për t’u takuar me kryeministrin Putin ishte ftuar edhe presidenti i Bolivisë Evro Morales.

5 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›