E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ju siguroj që b që po shikoni nuk është e imja!

Thonë që struci për t'iu fshehur rrezikut që mund ta kërcënojnë, fut kokën në rërë, duke mos i vajtur mendja që ka lënë jashtë trupin sa një mal. E do të mjaftonte vetëm kaq, që Luani ta rrëmbente për bythe e ta bënte copë e çikë. Mirëpo struci ynë është racë e veçantë.

Edhe pse ai vetë e di që të gjithë e dinë që i ka mbetur bytha jashtë; akoma vazhdon të ngulë këmbë e të thotë: "Unë ju siguroj ju zotërinj deputetë dhe gjithë shqiptarët në Shqipëri e kudo që janë që bytha që ju shikoni, nuk është e imja!".

Në mitet tona thuhet se Shqipërisë dhe shqiptarëve e keqja i ka ardhur shpesh nga "Bajlozi" i detit, që në imagjinatën tonë është një përbindësh që kudo që shkelte, nuk mbinte bar, e topuzi i tij këpuste koka djelmësh e vashash të Arbrit. A nuk po ndodh e njëjta gjë edhe sot?

Mijëra hektarë pyje të shkatërruar. Qindra-mijë hektarë tokë e lënë shkretë që shqiptarët të mbjellin domatet e grekut, për të blerë domatet e maqedonasit. Miliarda e miliarda lekë të groposura të një industrie që përveçse do të mbante shqiptarët në punë, do të ishte mjaft kompetitive në tregun e jashtëm, por që sot nuk ekziston më.

Shpërngulja demografike e përmasave biblike e "kontrolluar" ka sjellë dëme të pallogaritshme urbane e social-ekonomike. Firma piramidale të ideuara nga politika për t'u grabitur, po nga politika do të sillnin maxi-tragjedinë e vitit 1997, që do të pasohej më vonë me të tjera tragjedi. Viktimat e rrugëve të vdekjes ia kalojnë çdo buletini lufte. Vetëflijimi i të pashpresëve është kthyer në fenomen. Mijëra jetë të humbura japin alarmin SOS të një populli të stërlashtë që rrezikon të zhduket. Ende pa u ngritur nga zija kombëtare e Farkës, një tjetër tragjedi e llahtarshme ia ul kokën përsëri flamurit. Nuk gjeti kurrë paqe ky flamuri ynë? Bajlozi kësaj radhe nuk erdhi nga deti. E kemi mes nesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›