E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hashim Thaçi: Kosova e përjetoi rëndë Gërdecin...

Shekulli:Z.Kryeministër, urime për Pavarësinë e Kosovës. Kemi pak ditë nga shpallja e pavarësisë, çfarë ka ndryshuar për të mirë në Kosovë?

Thaçi: Faleminderit! Pavarësia e Kosovës shënon një ndryshim epokal, në radhë të parë për vetë Kosovën, por edhe për rajonin në përgjithësi. Me pavarësinë e Kosovës, mbyllet përgjithmonë një kapitull i historisë me plotë padrejtësi, por edhe me përpjekje të vazhdueshme të popullit të Kosovës për liri, e në anën tjetër hapet perspektiva e sigurt e qytetarëve tanë për zhvillim ekonomik, mirëqenie dhe integrim të vendit në strukturat Euroatlantike, krahas integrimit të mbarë rajonit.

Po në aspektin ekonomik, çfarë ka ndryshuar për qytetarët e Kosovës?

Zhvillimi ekonomik i vendit ka qenë i ngulfatur nga mungesa e statusit politik ndërkombëtar të Kosovës. Pavarësia e ka kapërcyer këtë problem. Tash qasja jonë në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare do të jetë e drejtpërdrejtë dhe do të na mundësoj që pasi të krijojmë kushtet e domosdoshme politike dhe juridike në vend, të kemi investime të fuqishme nga kapitali i huaj, por edhe i brendshëm. Këto investime do të nxisin rritjen ekonomike, e cila më pas do të sjellë uljen e papunësisë dhe varfërisë në vend. Unë dhe qeveria që drejtoj e kuptojmë qartë se tash e tutje stabiliteti politik dhe ai ekonomik varen shumë prej njëri-tjetrit. Ne do të punojmë në dy drejtimet.

Me shpalljen e pavarësisë, erdhën edhe njohjet e njëpasnjëshme të shtetit të Kosovës, ku deri tani numri ka kaluar mbi 30 shtete. Çfarë mund të na thoni për të tjerat?

Procesi i njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës nga shtetet anëtare të OKB-së është duke shkuar mirë. Faza e njohjes kualitative është përmbushur, ndërsa tani jemi në fazën kuantitative të njohjes. Jam i impresionuar me mirëkuptimin që ka hasur në botë lindja e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Në anën tjetër me të gjitha kapacitetet tona jemi të angazhuar që procesi i njohjes së pavarësisë të përshpejtohet edhe më shumë.

Si e vlerësoni rolin e Shqipërisë në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës?

Shqipëria ka bërë shumë për luftën çlirimtare në Kosovë, si dhe gjatë procesit të shpalljes së pavarësisë. Nuk ka kursyer asgjë nga mundësitë e saj në funksion të pavarësisë së Kosovës. Qytetarët dhe institucionet e Kosovës janë shumë mirënjohëse dhe falënderuese për këtë kontribut të madh.

Dita ditës në Mitrovicë po ndodhin disa incidente të herëpashershme, sipas qeverisë që ju drejtoni dhe të dhënat që keni, kush po i organizon ata dhe a mendoni se ka nxitje nga qeveria e Beogradit?

Incidentet në Mitrovicë janë të nxitura nga grupe me mentalitet të se kaluarës, e që në radhë të parë shkojnë kundër vetë interesave të qytetarëve serb të Kosovës. Këta qytetarë duan interesat e tyre të përfaqësohen institucionalisht, e jo nga grupe huliganësh. Qytetarët serb të Kosovës jam i bindur se kanë ndjenja të distancimit nga ky lloj huliganizmi. Ata duan të kenë të ardhme të sigurt për fëmijët dhe familjet e tyre. Unë dhe qeveria që drejtoj jemi plotësisht të përkushtuar për të garantuar këtë siguri. Shteti i Kosovës është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallime etnike apo religjioze

Sa kanë ndikuar vizitat e herë pas hershme të ministrit serb për Kosovën në Mitrovicë dhe si i komentoni këto vizita, pasi është vërejtur edhe ai në mesin e protestuesve?

Kanë qenë vizita destruktive dhe manipuluese në raport me qytetarët serb të Kosovës. Në raport me Kosovën ato paraqesin vetëm disa veprime të kota, që nuk mund të kenë asnjë lloj ndikiminë realitetin ndërkombëtarisht të njohur të Kosovës së pavarur dhe sovrane.

Çfarë planesh ka qeveria për të evituar këto incidente dhe ndarjen e mundshme të Mitrovicës?

Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, me integritet territorial të garantuar ndërkombëtarisht. Mund të them me siguri të plotë se kufijtë e shtetit të Kosovës janë kufijtë më të sigurt nga të gjithë kufijtë shtetëror në rajonin tonë. Skenarët imagjinarë të ndarjes paraqesin vetëm disa iluzione negative të atyre qarqeve zyrtare në Beograd që assesi s'po arrijnë të shkëputen nga e kaluara e errët.

Në fund, një koment për tragjedinë e Gërdecit në Shqipëri, keni shpreh ngushëllime tuaja me anë të mesazheve, çfarë i thoni atyre banorëve nëpërmjet gazetës "Shekulli".

Ishte një ngjarje tronditëse për të gjithë. Qytetarët dhe institucionet e Kosovës e përjetuan rëndë këtë ngjarje. Vetë reagimi i menjëhershëm dhe masiv i tyre, në dhënien e gjakut dhe ndihmave në forma të tjera e dëshmon këtë përjetim. Në emër të popullit të Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, përmes mediumit tuaj, gjej rastin që edhe njëherë tu shprehë ngushëllime të gjithë atyre familjeve që humbën pjesëtarët e tyre në këtë tragjedi.

SIMBOLET E REJA

"Flamuri kuqezi? Jetojmë me shpresat e së ardhmes dhe me kujtimet e së kaluarës"

Po rikthehemi edhe njëherë te shpallja e pavarësisë, ku u publikua për herë të parë edhe Flamuri i Kosovës, ky është ai Flamur që duan shqiptarët apo kjo u imponua me pakon e Presidentit Ahtisari?

Kosova si shtet i pavarur dhe sovran është e domosdoshme t'i ketë simbolet e saj. Këto simbole janë mirëpritur dhe përkrahur fuqishëm nga të gjitha shtresat e qytetarëve të Kosovës. Flamuri i shtetit të Kosovës simbolizon aspiratën e qytetarëve të Kosovës për t'u bërë pjesë e familjes së madhe të popujve të lirë evropianë. Qytetarët e Kosovës kanë sakrifikuar shumë për liri dhe shtet. Tash jemi përpara një sfide po aq të rëndësishme, atë të integrimeve euroatlantike.

Po Flamuri kuq e zi, çfarë simbolizon tashmë për kosovarët?

Ai është pjesë e identitetit historik të shqiptarëve dhe si i tillë, do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm dhe i respektuar. Shoqëritë nuk jetojnë vetëm me shpresat për të ardhmen, por edhe me kujtimet e së kaluarës.

Çfarë po bëhet për Himnin e Kosovës, ka ndonjë variant?

Konkursi për Himnin është shpallur, kriteret janë përcaktuar. Tash jemi në fazën e ofrimit të ideve dhe shumë shpejt do të merret vendimi për idenë më të qëlluar.

Sa larg formimit të saj është KUSHTETUTA e KOSOVËS?

Kushtetuta e Kosovës është gati, ndërsa proceduarat e domosdoshme deri në funksionalizimin e saj do të kryhen gjatë muajve të pranverës. Sa për përmbajtjen mund të them se kemi të bëjmë me një kushtetutë moderne, ku janë sublimuar vlerat e liberal demokracisë, vlerat eqytetarisë, vlerat e një shteti që ka në qendër të tij qytetarin, të drejtat dhe liritë e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›