E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ju sjell rebelin Petro Marko

12/03/2009  Te Petro Marko ka parë gjithnjë një pjesë të vetes. Ndaj edhe mendon se e meriton të bëjë skulpturën e shkrimtarit të njohur, ashtu si dhe Marko e meriton të hidhet në bronz nga ai, Agim Rada.

I përzgjedhur zyrtarisht për realizimin e bustit të Markos, e ka menduar figurën që do të sjellë thuajse në çdo detaj.

Boceti i vogël i paraqitur mbase nuk tregon shumë për bustin, por është i bindur se trajtimi plastik, kompozimi, silueta e marrëdhënia me sheshin ku busti do të vendoset në Dhërmi, do t’i japin formën e plotë veprës artistike, ashtu siç e dëshiron.

Si bazament apo si zanafillë të bustit të ka menduar të jetë një shkëmb në Dhërmi, më pas do të vijnë librat e përmbi to figura e Petro Markos. “Kam menduar një zgjidhje të natyrshme, që të mos ketë sforcim, të jetë një lëvizje e figurës pa gjestikulacione. Bazamenti është në gur dhe ka një lloj spiraleje, që rrëfen edhe ngjitjen e këtij shkrimtari, këtij njeriu të madh. Do të thotë se ai është ngritur nga trualli ku mbështetet dhe është njëkohësisht edhe ngjitja e këtij personaliteti. Mbi këtë buron natyrshëm edhe ngjitja e kësaj figure, figura e një artisti rebel. Unë e kam zgjedhur ta sjell me kokën pak të ulur, pasi vendi që pashë atje në Dhërmi, te shtëpia ku ka lindur Petro Marko dhe ku do të vendoset busti, është disi i lartë. Kështu që mendova se duke qenë lart ky vend, atëherë Petroja në bust duhej të shikonte poshtë nga deti, të cilin ju e dini se sa shumë e donte, sa shumë për zemër e kishte”, - shprehet skulptori Rada.

Njohja dhe “sakrifica”...

Pa hezitim e quan prozatorin më të madh shqiptar dhe të pazëvendësueshëm në letrat shqipe. Kontaktin e parë me këtë shkrimtar e ka pasur nëpërmjet veprave të tij. “Nuk ishte nga ato figura të përkëdhelura apo gjysmë të përkëdhelura. Për mendimin tim në letrat shqipe Petro Marko është i pazëvendësueshëm si prozator. Duke e njohur më pas edhe figurën e tij fizike, duke e njohur edhe si njeri, edhe si natyrë, them se më përshtatet shumë figura e Petro Markos, sepse unë gjithnjë kam dashur të nxjerr në pah vlerat e vërteta të artit dhe të figurave që trajtojmë, - komenton Rada tek flet për njohjen e tij me Petro Markon dhe atë çfarë e shtyu të sjellë figurën e tij. - Asnjëherë në krijimtarinë time nuk kam bërë kompromise, as gjatë periudhës së regjimit komunist. Gjithnjë kam thënë atë që kam menduar dhe kam shpëtuar mirë, ndoshta ngaqë kam pasur rreth meje miq të mirë, që më kanë përkrahur. Sakrifica nuk iu shpërblye Petros. Çfarë dha ai, nuk iu kthye asnjëherë mbrapsht, të paktën derisa ishte gjallë, ndaj unë me skulpturën time mundohem që ta përmbush këtë raport.”

Nuk ngurron të paralelizojë këtë rast edhe me skulptura të tjera të realizuara prej tij për sa i përket joshjes dhe ngacmimit që i kanë shkaktuar. I tillë është Marin Barleti, që tani gjendet në Galerinë e Arteve, princat e Skënderbeut në Muzeun e Krujës apo Onufri në Kalanë e Beratit - të gjitha të derdhura në bronz. “Figura e Petro Markos është një figurë që më ngacmon njësoj siç më kanë ngacmuar figura të tjera të mëdha, të cilat unë i kam derdhur në bronz. Jam kujdesur gjithë jetën time të respektoj veten në radhë të parë, se duke respektuar veten kam respektuar edhe vlerat e vërteta të artit, punën time. Jam krenar për veprat e mia. Fondit tim i shtohet një vepër e re, që plotëson mozaikun e krijimtarisë sime. Nuk e di nëse do të jem i zoti që vepra ime t’i shkojë për shtat Dhërmiut. Por mendoj se gjërat po ecin mirë”, - vëren Rada. Busti i Petro Markos, i menduar të vendoset në fshatin e tij të lindjes, do të ketë një gjatësi rreth 2 metra e gjysmë së bashku me bazamentin.

Të rinjtë dhe konkurset sot...

I diplomuar për skulpturë në vitin 1977, Rada ka punuar me mjeshtër si Kristaq Rama e Thoma Thomai, të cilët i konsideron miq të tij. “Kam punuar me mjeshtër të mëdhenj, me profesorë, për të cilët kam respekt. Madje, me Kristaqin kam punuar deri para se të ndërronte jetë. Kam punuar shumë dhe kënaqësinë që më ka falur krijimtaria nuk ma ka falur asgjë në botë”, - nënvizon ai ndërsa pranon të flasë për atë që sheh sot tek artistët e rinj. Thekson se nuk ka shumë rëndësi puna sasiore, por cilësia, pasi artisti është gjithmonë duke menduar, ka ide në lëvizje, por që fatkeqësisht sot “të rinjtë janë larguar nga embrioni i artit”. “Ai është bërë si komerc dhe ka kaluar disi në perversitet.” Nuk ngurron të flasë edhe për konkurset që rëndom bëhen (siç është rasti për bustin e Petro Markos), e ku ka abuzime nga vetë artistët pjesëmarrës. “Unë e shikoj edhe nëpër konkurset që zhvillohen. Për shembull, na u tha se boceti për Petro Markon duhet të jetë 20-25 cm, që do të thotë se boceti duhet të jetë i tillë, por sjellin bocete më të mëdhenj se kaq. Edhe unë mund të bëja një bocet më të madh, siç kanë bërë disa të tjerrë këtu, por kaq ishin përmasat e lejuara në konkurs. Efekti që bën një bocet i madh është shumë më ndryshe nga një më i vogël. Komisioni edhe mund të gënjehet prej tij. Unë kësaj i trembesha dhe m’u duk se boceti im ishte ndër më të vegjlit. Madhësia të lë hapësira për spekulim. Boceti është vetëm ngacmim i parë, pastaj rruga për të përfunduar një bust është mjaft e sikletshme, e mundimshme dhe kërkon net pa gjumë.”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›