Jubileu, 20 konkurrentë në garë
Është plot 20 numri i konkurrentëve që do të ngjiten në skenën e Akademisë së Arteve, mbrëmjen e 7 nëntorit, në natën e parë të festivalit “Marie Kraja”. Nuk ka qenë e thjeshtë të përzgjidheshin më të mirët, mes 92 kandidaturave e paraqitura nga katër anët e Globit. Juria përzgjedhëse e përbërë nga Zana Çela, Burhan Spahiu, Suzana Frashëri, Shqipe Mingomataj, Shqipe Zani dhe Xhovana Dako nisi punën qysh në fillim të muajit tetor, për të arritur në rezultatin që do të paraqitet në netët e festivalit. Fillimisht është bërë përzgjedhja e kandidatëve shqiptarë e disa ditë më vonë, në 18 tetor juria përzgjedhëse ka bërë seleksionimin e kandidatëve të huaj. Pjesëmarrësit vijnë nga Bullgaria, Austria, Italia, Ukraina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rumania, Greqia, Spanja, Holanda etj. Ndërsa Kosova do përfaqësohet me dy konkurrentë. Edhe ketë vit struktura e festivalit do t’i qëndrojë besnike traditës. Mbrëmjen e 7 nëntorit, në skenën e Akademisë së Arteve do të ngjiten të 20 konkurrentët, performanca e të cilëve do të transmetohet direkt në ekranin e TVSH-së. Gjatë këtij prezantimi juria ndërkombëtare do të përzgjedhin 10 finalistët, të cilët mbrëmjen e 8 nëntorit do të konkurrojnë për çmimet e mëdha të festivalit “Marie Kraja”.