Zana Çela: Ju tregoj 10 vitet e “Marie Kraja”-s
Alma Mile
Ndërsa skena e varfër me perde tyli të bardha bënte kontrast me zërat plot kolorit të së rinjve, ajo mendonte se duhej gjetur një zgjidhje. Aty lindi shtysa e parë, që çoi në ngritjen e një institucioni ndërkombëtar. Në datat 7 dhe 8 nëntor, në Tiranë zhvillohet edicioni i dhjetë i Festivalit Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja”. Një jubile, i arritur jo pa vështirësi. Gjatë këtyre 10 viteve, festivali ka zbuluar talente dhe ka qenë një fillim i mbarë për të gjithë ata artistë të rinj, që sot interpretojnë në skenat më të mëdha operistike në Evropë, e më gjerë.Në një intervistë, ideatorja dhe producentja Zana Çela tregon rrugën që ka ndjekur ky festival. Cilat janë vështirësitë, por edhe krenaritë e Zana Çelës.
Më datë 7 dhe 8 nëntor zhvillohet Festivali Ndërkombëtar “Marie Kraja”, i cili këtë vit celebron 10-vjetorin. Si ndjehesh këto ditë Zana?
Një përvjetor është i rëndësishëm, jo vetëm për njerëzit, por edhe për historinë e një ngjarjeje siç është Festivali Ndërkombëtar i Vokalit Operistik “Marie Kraja”. Ky vit jubilar na jep mundësinë të gëzohemi për faktin që ekzistuam dhe rezistuam në kohë, dhe mbi të gjitha, i dhamë këtij festivali një dimension shumë të mirë ndërkombëtar.
Nëse kthehemi në retrospektivë, në fillimet tuaja, si ju lindi ideja për të realizuar këtë festival, dhe pse pikërisht operistik?
Në vlerësimet e mia, midis gjithë arteve, opera është arti më magjik, që të pasuron dijen dhe shpirtin, si asnjë art tjetër. Në imagjinatën time, opera është një planet, ku muzat punojnë së bashku, kryqëzojnë duart për të celebruar të gjithë artet në një. Kur shikon një opera, nuk dëgjon vetëm muzikën e krijuar nga krye-mjeshtërit e shekujve të shkuar, por dëgjon edhe dramat e komeditë e të tjerë mjeshtërve të letërsisë. Shijon arkitekturën e kohës në skenografinë e veprës, apo kostumet e njerëzve që kanë jetuar në atë kohë. Opera është një sintezë e mahnitshme që rrëfen të vërtetën mbi historinë e botës, në një mënyrë tejet emocionale. Të rritesh në një vend të vogël si ky i yni, është fat të kuptosh e të pohosh me krenari, që kemi një traditë të vyer operistike. E rritur me dashurinë për operën, dhe për shkak të talentit e pasionit tim për kanton lirike, kur më lindi ideja e këtij festivali, në mesin e viteve ’90, opera shqiptare kishte divat e saj, kishte zërat që vinin nga një traditë e shquar, por historia kishte mbetur tek lavdia e të mëdhenjve, pa gjetur trashëgimtarë mes brezave të rinj. Kujtoj se në një koncert, në nëntor të vitit 1998, në skenë kënduan disa këngëtarë të rinj dhe me imazh aspak të kuruar, në një skenë pothuaj të errët me perde tyli të bardha. E ndërsa revoltohesha me këtë pamje të skenës, vokalet e këngëtarëve të rinj po më nxisnin fantazinë e një festivali, që do t’i kushtohej vetëm atyre. Me mbështetjen e një grupi artistësh të shquar, nisëm këtë aktivitet të madh. Pikërisht më datë 22 janar 1999, u ngrit sipari i një ngjarjeje të pazakontë për ambientet artistike të kohës. Kujtoj se atë mbrëmje të ftohtë dimri, festivali operistik ngrohu skenën e mpirë të Teatrit të Operës me zërat e 20 këngëtarëve të rinj.
Çfarë do të konsideronit si arritjet më të mëdha të këtij festivali?
Sigurisht ndërkombëtarizimin e këtij festivali. Tashmë ky festival ka hyrë në kalendarët operistikë më të rëndësishëm evropianë, duke tërhequr çdo vit këngëtarë të rinj nga e gjithë bota. Gjithashtu, konsideroj arritje faktin se ky festival gjeneron talente, jo vetëm për skenën tonë, por dhe për skenat evropiane të operës. Shumë këngëtarë të rinj të talentuar, të cilët e kanë filluar karrierën e tyre së pari në festivalin tonë, të stimuluar nga juria jonë ndërkombëtare, të gjithë personalitete të rëndësishëm, që drejtojnë opera kombëtare e agjenci prestigjioze, sot interpretojnë në skenat më të rëndësishme botërore, që nga “Metropolitan” i Nju Jorkut, “La Scala”, Opera e Vjenës, Barcelonës, etj. E këta nuk janë vetëm shqiptarë, si Josif Gjipali, Orjana Kurteshi, Marjana Leka, Erjona Gjyzeli, por dhe italianë, belgë, koreanë, etj., si Vincenso Taormina, Simone Piaçola, Hyoung Kong, etj. Skena shqiptare do të mbetet për ta si starti i karrierave të tyre të suksesshme botërore.
Sa e vështirë ka qenë rruga deri këtu?
Dihet që opera nuk është argëtim, opera është traditë, edukim, investim për unifikim imazhi më të mirë evropian, për të gjithë vendet që aspirojnë të integrohen. Nuk është e lehtë për një vend si Shqipëria të realizojë këtë unifikim, po ashtu dhe në fushën e operës. Ndoshta ky festival ka bërë disa hapa më përpara dhe është në avangardë të këtij procesi integrues. Këtë vit ne ndihemi të nderuar, se kjo ngjarje bëhet nën patronazhin e Kryeministrit, Sali Berisha. Kjo mbështetje është vlerësim dhe respekt për gjithçka me vlerë ka tradita jonë e shkuar dhe kjo e re që po krijojmë.
Nëse dhe komuniteti shqiptar i biznesit do ta shikojë këtë festival si një nga institucionet që po emeton imazh integrues, mbijetesa e tij do të jetë e sigurt dhe në të ardhmen.