E Shtunë, 31 Tetor 2026

BDI: Shqiptarët në NATO, BE, me apo pa maqedonasit

 

Partitë shqiptare në Maqedoni kanë paralajmëruar qeverinë e Nikolla Gruevskit se do të përdorin mënyra më radikale për të kërkuar zgjidhjen e konfliktit mes Shkupit dhe Athinës. Ata kanë vendosur si afat fundin e dhjetorit të këtij viti. “Shqiptarët do të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe NATO me ose pa maqedonasit”, është shprehur nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Rafiz Haliti. “Shqiptarët janë deklaruar për platformën ku është shkruar: Maqedonia në BE dhe NATO. Për ne është me rëndësi që deri në dhjetor të gjendet një zgjidhje për emrin. Referendumi është çështje tjetër”, tha ai. Përfaqësuesi i BDI-së, partisë shqiptare në koalicionin qeveritar, tha se anëtarësimi në NATO dhe BE ka qenë premtim parazgjedhor i partisë së tij, kështu që BDI-ja patjetër duhet ta plotësojë këtë zotim para votuesve. Ai ka shtuar se ka rrezik që situata të radikalizohet nëse kjo nuk ndodh. BDI-ja i ka bërë thirrje qeverisë Gruevski që deri në dhjetor të dërgojë garanci të qarta tek Athina dhe ndërkombëtarët, se Maqedonia është e gatshme për kompromis dhe zgjidhje të kontestit me Greqinë. Ndaj deklaratës së BDI-së, VMRO-DPMNE është përgjigjur se nuk pranon shantazhe për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar maqedonas. Nga ana tjetër edhe kryeministri grek, Jorgo Papandreu tha se Greqia mund të bllokojë në samitin e dhjetorit fillimin e procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në BE, nëse deri atëherë nuk janë dhënë shenja të zgjidhjes së konfliktit për emrin, i cili po zgjat prej dy dekadash.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›