E Shtunë, 31 Tetor 2026

Judah: Kosova ka ngecur në vend


Ndërsa kanë kaluar dy vjet nga pavarësia e Kosovës kritikët thonë se pas inercisë së pavarësisë, vendi duket se ka ngelur në vend.

Në një intervistë për BBC-në, publicisti britanik Tim Judah i cili ka shkruar librin 'Kosova: Luftë dhe Hakmarrje', thotë se autoritetet kosovare nuk po bëjnë "një politikë pro-aktive", siç e quan ai, për promovimin e vendit duke e lënë këtë në dorë të të huajve.

Ai thotë se Kosova ka ngecur në vend edhe për sa i përket ekonomisë, dhe krijimit të vendeve të punës.

"Një vit më parë do të thoja, po, gjërat kanë shkuar përgjithësisht shumë mirë, duke marrë parasysh parashikimet shumë të errëta se çfarë mund të ndodhte pas pavarësisë, ndërsa njerëzit flisnin për një valë të re refugjatësh, për një konflikt të ri. Por tani, pas dy vitesh, mendoj se ekziston një ndjenjë që Kosova thjesht ka ngecur në vend dhe nuk po ecën me të vërtetë", ka thënë Judah.

Sipas analistit të njohur britanik, "duket se ka një ndjenjë inercie për Kosovën, nuk duket se ka ndonjë vizion strategjik se çfarë duhet të bëjë më pas dhe qeveria e saj nuk po bën sa duhet, apo mjaftueshëm, për të krijuar vende pune, apo për të tërhequr investime".

"Sigurisht, që nuk është e lehtë, por më është krijuar përshtypja që Kosova duket se ka ngecur në vend dy vjet pas pavarësisë", ka thënë ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›