E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti në Haiti më shkatërrimtar se cunami më 2004

Përmasat e shkatërrimeve në Haiti janë shumë më të mëdha, se sa ato që i përjetoi Azia pas cunamit në vitin 2004, thuhet në studimin më të ri, në të cilin u vlerësua se dëmet që shkaktoi tërmeti, i cili goditi Haitin muajin e kaluar, arrijnë shumën prej 14 miliardë dollarë.

Në raportin e bërë nga Inter-American Development Bank (IDB) u theksua se tërmeti në Haiti mund të jetë katastrofa më shkatërrimtare në historinë moderne të njerëzimit.

Ky vlerësim u bë në momentin kur kryeqyteti i Haitit, Port Au Prince, gjendet ende nën gërmadha. Më shumë se 200 mijë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit.

Në raportin preliminar të IDB-së theksohet se dëmet në Haiti kapin shumën prej tetë deri në 14 miliardë dollarë.

“Është e vërtetë se tërmeti në Haiti ka qenë më shkatërrimtar se cunami në Indonezi në vitin 2004 dhe se cikloni që goditi Mianmarin në vitin 2008”, u theksua në raportin e IDB-së.

Zyrtarët në Haiti kanë theksuar se më shumë se 217 mijë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit, apo 2.4 për qind e popullatës së përgjithshme të Haitit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›