E Shtunë, 31 Tetor 2026

Judah: “Politika në Beograd ndikon edhe në Kosovë”

Ngjarjet në Serbi mund të ndikojnë në situatën në Kosovë, në varësi se kush do ta udhëheqë qeverinë e Serbisë në të ardhmen. Kjo ka qenë deklarata e analistit britanik, Tim Judah. “Nëse është një qeveri më pro-europiane, ka shumë më pak gjasa të jenë aktivë në destabilizimin e Kosovës sesa, për shembull, një qeveri e udhëhequr nga radikalët, sepse ata do të hiqnin dorë nga Bashkimi Europian dhe nuk do ta çanin kokën nëse do të akuzoheshin për destabilizimin e Kosovës dhe prishjen e marrëdhënieve me EULEX-in dhe misionin e Bashkimit Europian”, - është shprehur Judah gjatë një interviste. Ai e ka cilësuar rënien e qeverisë së Serbisë si të një rëndësie të veçantë për të ardhmen e Serbisë nëse ajo do të drejtohet nga BE-ja ose jo, por edhe për situatën në Kosovë. Sipas Judah, pritet të shihet nëse zgjedhjet serbe do të mbahen edhe në vendbanimet serbe në Kosovë, nëse kjo do të jetë e mundur nga autoritetet kosovare pas shpalljes së pavarësisë. "A do të interpretohet kjo si një sfidë e vërtetë për sovranitetin e shtetit të ri? Nëse po, si do të zgjidhet kjo çështje? Mendoj se ky do të jetë një problem i ndërlikuar”, - u shpreh Judah. Ai është shprehur pesimist lidhur me mundësinë që autoritetet e Kosovës, por edhe misioni i BE-së të mund ta shtrinin pushtetin e tyre në komunat veriore të banuara me serbë, ku Prishtina zyrtare nuk ka pasur qasje që pas përfundimit të luftës në vitin 1999.

11 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›