E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbi, shpërndahet qeveria, së shpejti zgjedhjet e parakohshme

Koshtunica: “Ekzekutivi do të vazhdojë punën, por jo si më parë” . Kryeministri ka propozuar që zgjedhjet të mbahen më 11 maj
Blerina OLLDASHI

Pas dorëheqjes së kryeministrit Koshtunica, qeveria e Serbisë është shpërndarë gjatë ditës së djeshme zyrtarisht, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Vendimi është marrë gjatë një seance të shkurtër, pas përçarjeve që ndodhën në qeverinë serbe lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe përpjekjeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, ka thënë se nuk ekziston më një politikë e përbashkët mes partnerëve në koalicion, por Ekzekutivi do të vazhdojë punën me një intensitet të vogël deri në zgjedhjet e ardhshme. Kryeministri aktual ka propozuar që 11 maji, kur do të mbahen zgjedhjet lokale, të jetë edhe dita e zgjedhjeve parlamentare. Fushata do të jetë një garë e fortë mes demokratëve dhe radikalëve, e konsideruar si partia më e fortë. Kabineti qeveritar ka qenë vazhdimisht i përçarë, por përçarja e fundit lidhur me projektrezolutën e Partisë Radikale, e cila do të konfirmonte se Serbia do të shkojë në Bashkimin Europian vetëm me Kosovën si pjesë të saj ishte goditja e fundit e qeverisë “Koshtunica”.
Ashtu si kryeministri, edhe presidenti Tadiç këmbëngul se Kosova do të mbetet gjithmonë pjesë e Serbisë, por ai nuk pranon të përdorë pavarësinë e Kosovës për të kundërshtuar përpjekjet për afrimin me Bashkimin Europian. Presidenca sllovene e Bashkimit Europian është shprehur se shpresonte që partitë pro-europiane të fitonin zgjedhjet. Ministri i Jashtëm slloven, Dimitri Rupel, tha: “Që të jem i ndershëm, nuk mendoj se ka ndonjë mundësi tjetër për miqtë tanë serbë përveç Bashkimit Europian. Ku do të shkojnë ata?” - u shpreh Rupel. Zgjedhjet në Serbi priten t´i japin zgjidhje grindjes disajavëshe që po zhvillohet mbi kursin e politikës së jashtme të qeverisë, pas dorëheqjes së kryeministrit Koshtunica. Shtrohet pyetja se nga vjen ky gjest racional pas parullave të propagandës? Ndoshta kjo ka të bëjë me llogaritjet për pushtetin, sepse sa më shumë të zgjasë situata politike në Serbi, aq më e madhe do të jetë mundësia që qytetarët të shkëputen emocionalisht nga Kosova dhe të përqendrohen në probleme të tjera. Zgjedhjet e parakohshme megjithatë shihen si thellim i krizës politike në Serbi. Partnerët e koalicionit nuk bien dakord për strategjinë e të ardhmes së vendit dhe nëse çështja kryesore me rëndësi për vendin janë marrëdhëniet me Bashkimin Europian apo pavarësia e Kosovës. Një ministër nga radhët e partisë së Tadiçit ka deklaruar për agjencitë e lajmeve se zgjedhjet do të ishin referendum për perspektivën europiane të Serbisë ose izolimit të saj.

11 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›