Organizatat botërore: EULEX të jetë më i përgjegjshëm se UNMIK-u
Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch”, i ka bërë thirrje BE-së që misioni i saj në Kosovë të jetë i përgjegjshëm. Kjo organizatë, në një raport të përbashkët me Amnesty International dhe Komitetin e Helsinkit, kërkon që EULEX të jetë më i përgjegjshëm se pararendësi i saj UNMIK, misioni i OKB-së. Në këtë raport paralajmërime adresohen edhe për NATO-n, e cila duhet të jetë më e kujdesshme në Kosovë në këtë situatë të re të krijuar pas pavarësisë. Sipas këtij raporti, UNMIK ka qenë shumë i kritikuar në lidhje me tejkalimin e kompetencave të veta, si dhe mungesë përgjegjësie në detyrë. Kështu, përmendet ngjarja e shkurtit të vitit 2007, kur u përdorën plumba gome për të qëlluar protestuesit, ku dy persona mbetën të vdekur. Në këtë raport listohen një sërë sugjerimesh për misionin EULEX, që të mos bëjë gabimet e UNMIK-ut, por të demonstrojë përgjegjshmëri që në ditën e parë të punës në Kosovë, veçanërisht në caktimin e gjyqtarëve e prokurorëve dhe të shmangin influencën politike në detyrën e tyre.
11 Mars 2008