E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parashikimi i Rulit: Çmimi i bukës në rritje, tregu në monitorim

SHKRUAN: Sabina Veizaj 04-03-2011 11:53

Ministri Ruli ka paralajmëruar se, çmimi i bukës do të vazhdojë të rritet dhe nuk parandalohet, mbulon më shumë se 20% të nevojës së konsumatorit.

Mangësi infrastrukturore, për të krijuar sasi të stokut që zbut ndikimin e menjëhershëm të çmimit të bukës dhe reflektimi i tregut ndërkombëtar janë dy arsyet thelbësore, që ministri i Bujqësisë, Genc Ruli, ka dhënë për rritjen e çmimit të bukës tre herë gjatë 6 muajve të fundit. Ministri Ruli ka paralajmëruar dje se, çmimi i drithërave e si rrjedhojë edhe çmimi i bukës do të vijojë të rritet, për shkak të konjukturave që paraqet tregu ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, masat që duhet të merren përveç monitorimit të vazhdueshëm, sipas tij, është që qeveria të ndërhyjë në infrastrukturë, që të krijohet mundësia e ruajtjes së stokut të drithërave, që për çdo rritje çmimi në tregun ndërkombëtar të mos ketë ndikim të menjëhershëm në tregun e brendshëm. ‘Ajo që sigurisht ka ndikuar në paketën e çmimeve të produkteve ushqimore kanë qenë drithërat. Prodhimi vendas i produkteve të drithërave te ne nuk mbulon më shumë se 20% të nevojës së konsumatorit. Përderisa ne importojmë rreth 80% të drithërave dhe të miellit nga jashtë, ne padyshim çmimin e marrim nga importi. Ajo që nxit më shumë këtë rritje ka qenë sinkronizimi i ciklit të rritjes së produkteve ushqimore, bashkë me atë të energjisë. Për perimet e thata, ne kemi një rritje që shkon nga 5 në 20%. Por ato që kanë ndikuar te produktet ushqimore kanë qenë drithërat” - tha dje ministri për mediat. Sipas tij, qeveria nuk mund të bëjë asgjë për të frenuar këtë rritje të vazhdueshme të produktit jetik, veçse të shikojë mundësinë e shmangies së spekulimeve në tregun vendas. Ai tha se kujdesi po ushtrohet, duke e ndjekur fenomenin hap pas hapi. Sipas tij, tendenca e rritjes së çmimeve është shkaktuar nga politikat e gabuara, të marra në rang botëror, por edhe nga rritja e çmimit të energjisë. Ministri Ruli deklaroi se, tregu i drithërave dhe i bukës do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, që të mos abuzohet me çmimet. Duke iu referuar analizës së publikuar, në faqen e internetit të Ministrisë së Bujqësisë, mbi çmimet mesatare të shumicës dhe pakicës të vendit dhe importit, për sa i përket çmimit të grurit, analizohet prodhimi vendas, kërkesa në treg, dhe ulja e interesit të fermerit. Duke iu referuar po të njëjtës analizë, prodhimi i grurit për vitin 2010 është ulur me 11%, krahasuar me vitin 2009. Kjo ka ardhur, pasi sipërfaqja e mbjellë, krahasuar me vitin 2009, është ulur me rreth 11 000 ha, si dhe për pasojë të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në tre rrethe të vendit (Lezhë, Shkodër dhe Korçë) apo dhe i kushteve të disfavorshme të motit (prania e lagështisë së tepërt në stadet e zhvillimit të bimës). Ndërsa kërkesa në treg ka pësuar rritje, ndërkohë që oferta është ndikuar nga një sërë faktorësh negativë: prodhimi global ka pësuar rënie (ulje e prodhimit në shtetet më të mëdha prodhuese si Rusia, përmbytjet në Australi etj); rritja progresive e çmimit të naftës nga prilli 2010 e deri tani. Në të njëjtën kohë, vërehet një ulje e interesit të fermerit për kultivimin e kësaj kulture, për arsye të sipërfaqeve të vogla kultivimi; mbështetje e Qeverisë për kultura të tjera, si pemë frutore, ullinj, vreshta dhe agrume (ulje e sipërfaqes së mbjellë me grurë); shkalla e ulët e mekanizimit; çmime të larta të inputeve të tjera bujqësore (fara, plehu, etj); etj. Sipas Organizatës së Bujqësisë dhe Ushqimit (FAO), çmimet e ushqimeve arritën një kulm të ri historik në janar 2011, për muajin e shtatë radhazi, në bazë të indeksit të çmimeve (të azhornuar të FAO-s) (një shportë mallrash që azhornohet me ndryshimet mujore në çmimet botërore të ushqimit). Në janar 2011, ky indeks u rrit 3,4 për qind nga muaji dhjetor 2010. Ky është niveli më i lartë (si në terma reale dhe nominale) që kur FAO ka filluar matjen e çmimeve të ushqimit në 1990. Këto çmime të larta ka të ngjarë të vazhdojnë edhe në muajt që vijnë sipas FAO-s. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, indeksi i çmimit të drithërave u rrit me 3% në janar 2011, krahasuar me dhjetorin 2010, (më i larti që nga Korriku 2008, sidoqoftë 11% më pak se piku i vitit 2008). Rritja në janar 2011 e çmimit të drithërave, më së shumti reflekton rritjen e vazhdueshme të çmimeve ndërkombëtare të grurit dhe të misrit, dhe ofertën e cunguar për to.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›